Mete takim me ambasadorin Steiner, diskutohet rritja e bashkëpunimit dhe e investimeve austriake në Shqipër
Aktualisht në vendin tonë operojnë 99 biznese me të paktën 1 aksioner me shtetësi austriake.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, priti në një takim ambasadorin e Austrisë në Tiranë, Christian Steiner.
Gjatë këtij takimi u diskutua mbi bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Austrisë, ku u vlerësua niveli shumë i mirë i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve dhe u pohua se ka ende mundësi për forcimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen.
Ministri Mete vlerësoi mbështetjen e Austrisë për Shqipërinë në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik dhe rrugëtimit drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ministri pohoi faktin se Austria renditet ndër vendet kryesore sa i përket investimeve të huaja direkte, duke shtuar se Shqipëria mirëpret investitorët austriakë të rrisin prezencën e tyre në vendin tonë, në sektorë prioritarë të ekonomisë.
Sa i përket bashkëpunimit në vijimësi, ministri Mete dhe ambasadori Steiner diskutuan mbi çështje të promovimit të tregtisë dypalëshe, forcimit të lidhjeve dhe bashkëpunimit mes bizneseve të dy vendeve, marrëveshjeve të mundshme lidhur me bashkëpunim ekonomik dhe mbrojtjen e investimeve, si edhe forcimit të partneritetit me fokus kryesor në inovacion dhe teknologji.
Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Austrisë kanë njohur rritje në vitet e fundit, duke shënuar shifrën e 104.1 milionë eurove në vitin 2022. Stoku i investimeve austriake në Shqipëri është karakterizuar nga një trend rritës përgjatë periudhës 2018-2023 dhe për 6-mujorin e parë të vitit 2023, Austria renditet e katërta për sa i përket fluksit të investimeve të huaja. Aktualisht në vendin tonë operojnë 99 biznese me të paktën 1 aksioner me shtetësi austriake.