Fushata e Gjelbër, BE projekte me ndikim në mjedis në Shqipëri
“Fushata e Gjelbër” e BE-së fton të gjithë të ndërmarrin hapa konkretë dhe t’i bashkohen “Rrugëtimit të Gjelbër”.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri ka nisur “Fushatën e Gjelbër”, me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve shqiptarë, politikëbërësve, shoqërisë civile, bizneseve dhe aktorëve të tjerë rreth çështjeve mjedisore që prekin vendin.
“Fushata e Gjelbër” e BE-së fton të gjithë të ndërmarrin hapa konkretë dhe t’i bashkohen “Rrugëtimit të Gjelbër”. Një thirrje për të ndërhyrë me një sërë veprimesh, që shtrihen nga zgjedhjet individuale, deri te nismat dhe politikat publike, me qëllim ruajtjen e mjedisit sipas standardeve evropiane.
Nën moton, “Bashkoju Rrugëtimit të Gjelbër, Evropa është këtu”, fushata synon jo vetëm të ndërgjegjësojë shqiptarët për ndikimin e veprimeve të tyre në mjedis, por edhe të nxjerrë në pah se si po e ndihmon BE-ja vendin për mbrojtjen e biodiversitetit të tij dhe për të luftuar degradimin e mjedisit.
Andrea Ferrero, i Seksionit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik dhe Social në delegacionin e BE-së, tha për mediet se, “ndërsa Shqipëria po përparon në procesin e anëtarësimit në BE, është thelbësore të harmonizojë politikat, ligjet dhe nismat e saj në përputhje me legjislacionin e BE-së në fusha vendimtare si menaxhimi i ujit, biodiversiteti, energjia e gjelbër dhe qarkore, cilësia e ajrit dhe ndryshimet klimatike”.
Ferrero theksoi se, “gjatë dhjetë viteve të fundit në mbështetje të mbrojtjes së mjedisit dhe diversifikimit të natyrës në Shqipëri janë investuar 210 milionë euro nga BE”.
Në kuadër të platformës së komunikimit të “Fushatën e Gjelbër”, qëndron fakti i prezantimit të projekteve të financuara nga BE-ja, të cilat janë zbatuar dhe janë duke u zbatuar, si dhe diskutimi me aktorët e linjës mbi sfida dhe zgjidhjet e ndryshme të gjelbra, duke vënë gjithashtu në dukje mbështetjen e zgjeruar të BE-së dhe shteteve anëtare për Shqipërinë”.
Kështu nën sloganin “Mushkri të gjelbra për qytetet tona” BE-ja ka financuar projektin: Platforma alternative dhe e monitorimit nga poshtë-lart për cilësinë e ajrit, ndotjen akustike dhe gjelbërimin urban, duke ndikuar në hartimin e politikave në nivel vendor që i shërbejnë përafrimit të standardeve sipas BE-së, për këta tregues që përmirësojnë cilësinë e jetës .
Objektivi i përgjithshëm i projektit ishte t’u mundësonte organizatave mjedisore vendore të shoqërisë civile të ndikojnë te politikat dhe performancat mjedisore në nivel vendor në përputhje me kërkesat e anëtarësimit në BE, duke u mundësuar atyre të zbatojnë politika të bazuara në prova dhe advokim që ndikon në fushën e mbrojtjes së mjedisit urban.
Projekti synonte të krijonte një platformë alternative dhe gjithëpërfshirëse për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe ndotjes akustike, si dhe për të bërë vlerësimin e ekosistemit të gjelbërimit urban për të ndikuar dhe orientuar më mirë axhendën e qeverisjes vendore me të dhëna të bazuara në prova.
Gjithashtu, një projekt tjetër i mbështetur nga BE-ja është dhe ai, për investime që ulin ndikimin e ndotjes në mjedis. Promovimi i praktikave dhe instrumenteve inovative për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë në Bashkinë e Kavajës, është një tjetër investim i radhës i mbështetur nga BE për këtë nismë.
Ky investim synon përmirësimin e shërbimeve bashkiake, të cilat kontribuojnë për zhvillimin dhe zbatimin e Axhendës së Gjelbër, me përfshirjen e komuniteteve vendore në Bashkinë e Kavajës.
Ndërsa në Parkun Kombëtar të Divjakës, BE ka investuar projektin për “forcimin e Kapaciteteve Kombëtare për Ruajtjen e Natyrës – përgatitje për rrjetin Natura 2000”.
Investimi synonte të ndalonte humbjen e biodiversitetit në Shqipëri duke përmirësuar menaxhimin e zonave të mbrojtura në vend.
Projekti i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit IPA 2013 u zbatua nga tetori 2015, deri deri në maj 2019, me një vlerë totale buxhetore prej 4 milionë eurosh.
(Marrë nga ATSH)