Një shtytje për zgjerimin!

Aspirantët duhet të tregojnë vullnet politik për reforma, veçanërisht në fushën e sundimit të së drejtës.


Nga Ditmir Bushati

Dhjetë vjet pasi shpërthyen protestat pro BE-së në sheshin Maidan të Kievit, për shkak se presidenti i atëhershëm ukrainas refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e asociimit me BE-në, udhëheqësit e BE-së, në mbledhjen e fundvitit morën një vendim me përmasa historike: hapjen e bisedimeve për anëtarësim për Ukrainën, e goditur nga agresioni rus, dhe për Moldavinë, e cila dy vitet e fundit ka ndërmarrë reforma të rëndësishme. Nëse kjo mbledhje do të përfundonte pa një vendim për Ukrainën, për shkak të kundërshtisë së Hungarisë, BE-ja do të dukej e dobët dhe Komisioni do të akuzohej se kishte premtuar tepër për Ukrainën. Dëmi që kjo do t’i sillte reputacionit të BE-së do të ishte i pakthyeshëm.

Në shenjë inkurajimi, gjithashtu, BE-ja i dha Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat. Ndërsa Bosnje-Hercegovina bëri hapa milimetrikë drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim në BE. Ky është lajmi i parë i mirë nga mbledhja e fundvitit e udhëheqësve të BE-së.

Kur Komisioni Europian në qershor të vitit 2022 rekomandoi statusin e kandidatit për Ukrainën dhe Moldavinë, ai parashtroi respektivisht shtatë dhe nëntë kushte për t’u përmbushur nga këto vende, me qëllim fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE. Këto kushte ishin kryesisht, por jo ekskluzivisht, të lidhura me reformat e shtetit të së drejtës. Sipas pakesës së zgjerimit të paraqitur nga Komisioni Europian, më 8 nëntor 2023, Ukraina ka plotësuar vetëm katër nga shtatë kushte dhe Moldavia gjashtë nga nëntë kushte. Ndërsa Gjeorgjia, ka plotësuar vetëm tre nga dymbëdhjetë kushtet e vendosura verën e kaluar.

Qoftë paketa e zgjerimit ashtu dhe vendimmarja e BE-së reflektojnë një klimë më të favorshme për zgjerimin, krahasuar me vitet e shkuara. Pushtimi rus i Ukrainës ka ringjallur debatin e zgjerimit dhe të ardhmen e projektit europian. Shumica e vendeve anëtare të BE-së e shohin atë si një mënyrë për t’iu përgjigjur realitetit gjeopolitik dhe për të forcuar BE-në në fqinjësinë e saj të afërt. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse zgjerimi i BE-së do të mund të materializohet.

Treshja e vendeve të Fqinjësisë Lindore është nën trajtat e ndryshme të presionit e pushtimit nga ana e Rusisë. Kësisoj, vendimmarrja e BE-së përcakton jo vetëm një vijë ndarëse mes botës euroatlantike dhe asaj euroaziatike, por njëkohësisht dëshmon se shtytja e zgjerimit nga ana e BE-së është një aset i fortë gjeopolitik, për shkak të fuqisë tërheqëse të saj.

Në mënyrë të paprecedentë, vendimi për Ukrainën u mor në kushtet e abstenimit të Hungarisë, kryeministri i së cilës la sallën në momentin e vendimmarrjes, duke e konsideruar atë si një vendim të gabuar nga ana e BE-së. Nga ana tjetër, kryeministri Orbán pengoi vendimmarrjen e BE-së për disbursimin e fondeve aq shumë të nevojshme për Ukrainën, me argumentin se një gjë e tillë sjell pasoja në zbatimin e projekteve të parashikuara të BE-së për qytetarët e vendit të tij.

Negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë nuk do të nisin menjëherë. Udhëheqësit e BE-së ngarkuan Këshillin që të miratojë kornizat përkatëse të negociatave pasi të përmbushen rekomandimet e Komisionit Europian të datës 8 nëntor 2023. Thënë ndryshe, vendimi i Këshillit Europian është një vendim në parim. Komisioni Europian duhet të paraqesë një raport për përmbushjen e rekomandimeve në mënyrë që vendet anëtare të BE-së të miratojnë më pas në mënyrë unanime kornizën negociuese. Një minimum prej 70 vendimesh unanime do të kërkohen gjatë viteve të ardhshme në rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në BE.

Këshilli Europian i dha Gjeorgjisë statusin e vendit kandidat, me mirëkuptimin se janë ndërmarrë hapat e përcaktuara në rekomandimin e Komisionit Europian, ndërsa Bosnje-Hercegovina do të hapë negociatat e anëtarësimit pasi të arrihet shkalla e nevojshme e përputhshmërisë me kriteret e anëtarësimit. Këshilli fton Komisionin të raportojë mbi progresin e bërë nga Bosnje-Hercegovina në këtë drejtim, jo më vonë se marsin e ardhshëm, me synimin marrjen e një vendimi. Ky formulim i shoqëruar me një afat kohor të përcaktuar e vendos Bosnje-Hercegovinën para përgjegjësisë për të përmbushur kritiret e listuara nga Komisioni Europian me qëllim nisjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE.

Interesant është fakti se vendimmarjet e mësipërme u pritën me entuziazëm dhe festime në Ukrainë, Moldavi e Gjeorgji, ndërsa në Bosnje-Hercegovinë me heshtje.

Për ta kuptuar “udhëtimin e një vendi drejt BE-së”, mund të vlejë shembulli i udhëtimit me avion. Statusi i vendit kandidat është pak a shumë i ngjashëm me situatën kur blejmë një biletë për të udhëtuar. Vendimi për hapjen e bisedimeve me marrjen e kartës së imbarkimit dhe kalimin e kontrollit policor e fizik në aeroport, që na bën gati për udhëtim. Ndërkohë që miratimi i kornizës së negociatave ngjan me momentin e hipjes në avion. Vetë procesi i bisedimeve është një fluturim i gjatë me shpresën dhe urimin që të arrihet në mënyrë të sigurtë në destinacion dhe pa turbulenca.

Ballkani Perëndimor në karusel

Zhvillimet në lindje të kontinentit janë në kontrast të fortë me Ballkanin Perëndimor, ku elitat politike në përgjithësi kanë kultivuar ndjenjën e vetëkënaqësisë duke ofruar zgjidhje të thjeshta për probleme komplekse dhe bindjen se mund mund të vazhdojnë të tregojnë në mënyrë cinike fabulën e anëtarësimit në BE, pa pronësi mbi reformat që sigurojnë transformim thelbësor.

Diferenca qëndron tek mungesa e vullnetit politik që është i pazëvendësueshëm në këtë proces. Kjo është arsyeja që Ballkani Perëndimor vijon të jetë në karusel. Po aq larg BE-së sa edhe para realietit të ri gjeopolitik që jetojmë, si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, pavarësisht përsëritjes së retorikës përbetuese të dyanshme për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, si synim strategjik i dyanshëm.

Takimet e përbashkëta të BE-së me Ballkanin Perëndimor nuk e mbulojnë dot simbiozën e pandershmërisë intelektuale që mbizotëron në këtë proces. Një pjesë e vendeve të rajonit presin që të promovohen duke identifikuar dobësitë ekzistuese të vetë BE-së, në lidhje me mbrojtjen dhe promovimin e sundimit të së drejtës. Zhbllokimi i fondeve të BE-së ndaj Hungarisë, pavarësisht rrënimit të standardeve të sundimit të së drejtës, në këmbim të lejimit të vendimmarjes për hapjen e negociatave me Ukrainën, vendos pikëpyetje të forta për kushtëzimin demokratik e financiar si element i rëndësishëm në procesin e transformimit demokratik. Po të shtosh këtu edhe raportet e Komisionit Europian, të cilat janë më shumë përshkruese sesa diagnoztikuese, kuptohet qartë se konsolidimi i projektit europian në këtë kënd të Europës kërkon para së gjithash vullnet politik të dyanshëm.

Faktet flasin qartë. Që prej vitit 2017, kur mbylli tre kapituj të negociatave me BE-në, Mali i Zi nuk ka hedhur asnjë hap të mëtejshëm në këtë proces. Pavarësisht se në tryezën e bisedimeve me BE-së prej rreth një dekade, Serbia vijon të sfidojë rregullat bazë të rendit ndërkombëtar të vendosur në rajon pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, duke kundërshtuar në çdo mënyrë shtetësinë e Kosovës, funksionalitetin e Bosnje-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Fotografia e tubimit të fitores së zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit, ku Presidenti i Serbisë shoqërohej nga Presidenti i Republikës Srpska të Bosnje-Hercegovinës, Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, ministri i çështjeve të sigurisë të Bosnje-Hercegovinës, sikur të ishin pjesë e skuadrës elektorale, flet më shumë sesa njëmijë fjalë.

Zyrtarizimi i kundërshtisë së Greqisë për hapjen e bisedimeve me Shqipërinë për grup kapitullin e parë që ka të bëjë me sundimin e së drejtës ishte një aksident që duhej evituar. Me përjashtim të një episodi të veçuar në vitin 1995 ku Shqipërisë ju bllokua paketa e ndihmës financiare të BE-së, për shkak të kundërshtisë së Greqisë në lidhje me “incidentin e Peshkëpisë”, kjo e fundit ka qenë gjithnjë mbështetëse e rrugës europiane të Shqipërisë.

Vetoja është një aset i fuqishëm, por që përdoret rrallë në politikën e BE-së. Historia e fqinjëve na tregon se Greqia mund të shpenzojë kapital politiko-diplomatik deri në përmbushjen e objektivit, edhe pse e izoluar nga vendet e tjera anëtare të BE-së. Ndaj, nevojitet angazhim i njëmendtë politiko-diplomatik për tejkalimin e kësaj situatë, bazuar mbi parimet dhe vlerat europiane. Aq më tepër kur dihet se në muajin qershor të vitit 2018, Greqia ishte promotore e nisjes së bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE.

Horizonti për hapjen e bisedimeve për grup kapitullin e parë ana e Maqedonisë së Veriut mbetet i mbyllur, për shkak të zotimit të papërmbushur e të sanksionuar në kornizën negociuese, për të përfunduar ndryshimet kushtetuese. Me gjasë kjo temë delikate do të rimerret e trajtohet nga fituesit e zgjedhjeve parlamentare të pranverës së vitit të ardhshëm.

Ndërsa BE-ja nuk e ka shqyrtuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, ndonëse ka kaluar një vit, pyetja që kërkon përgjigjë është se përse i mohohet Kosovës mundësia për të demonstruar vullnetin politik për transformim? A ka të bëjë kjo veç me pozicionin e ngurtë të pesëshes mosnjohëse ndaj Kosovës apo edhe me mungesën e kapacitetit të BE për të përfunduar projektet e shtetësisë në rajonin tonë?

Kontrasti tjetër mes lindjes dhe jugut të kontinentit është mënyra se si shikohet BE-ja nga elitat politike. Në Ukrainë e Moldavi ajo shikohet në mënyrë idilike, si një komunitet vlerash. Në Ballkanin Perëndimor shikohet si një mundësi se si BE-ja mund të “ballkanizohet” apo riformatohet, për shkak të kompromentimit të vlerave dhe standardeve të procesit të zgjerimit, sidomos gjatë dekadës së fundit.

Një hartë rruge për zgjerimin

Në këtë kontekst, lajmi i dytë i mirë nga mbledhja e fundvitit të udhëheqësve të BE-së është sigurimi i mbështetjes politike për procesin e reformimit të BE-së, krahas zgjerimit. Pra, angazhimi për miratimin e një udhërrëfyesi brenda verës së vitit të ardhshëm, për reformat që duhet të ndërmarrë BE-ja, për ta bërë atë gati për procesin e zgjerimit dhe qasjen që duhet të ndjekë me kandidatët që synojnë anëtarësimin.

Në Deklaratën e Granadës të 6 tetorit 2023, BE-ja theksoi se zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet dhe një shtytës për përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale të qytetarëve europianë, duke reduktuar pabarazitë ndërmjet vendeve dhe duke nxitur njëkohësisht respektimin e vlerave mbi të cilat është themeluar BE-ja.

Duke parë perspektivën e një BE-je të zgjeruar me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tre vendet e Fqinjësisë Lindore, si aspirantët ashtu edhe BE-ja duhet të jenë gati për procesin dhe kohën e anëtarësimit. Puna në të dy frontet duhet të përparojë paralelisht. Aspirantët duhet të tregojnë vullnet politik për reforma, veçanërisht në fushën e sundimit të së drejtës. Ndërsa vendet anëtare të BE-së duhet të përcaktojnë piketat e reformave të brendshme duke projektuar një BE me ambicie afatgjata, duke adresuar kështu çështjet kyçe që lidhen me prioritetet dhe politikat sikundër me kapacitetin e BE-së për të vepruar.

Udhërrëfyesi që pritet të miratohet para verës së vitit të ardhshëm duhet të parashikojë miratimin e një sërë reformash që pritet të shtyhen përpara gjatë presidencës polake ose daneze në vitin 2025. Një proces i ngjashëm përsa i përket fushës së veprimit me Agjendën e Belinit të vitit 2000, që përgatiti terrenin për procesin e zgjerimit të vitit 2004.

Një agjendë e tillë është e rëndësishme të përshkruajë reformat kryesore për buxhetin e BE-së, zëvendësimin e votimit unanim me atë të shumicës së cilësuar në disa fusha të politikave të BE-së, për ta bërë këtë të fundit gati për procesin e zgjerimit. Buxheti i ardhshëm i BE-së 2028-2034 duhet t’i paraprijë përfshirjes së vendeve të reja.

Për të realizuar premtimin e një Europe të plotë, të lirë dhe në paqe, është thelbësor një riangazhim ndaj vlerave të demokracisë liberale. Prosperiteti i qëndrueshëm mund të pasojë vetëm mbi këtë bazë të nevojshme. BE-ja duhet të provojë se është i gabuar qëndrimi i atyre që mendojnë se mund të manipulojnë me vlerat dhe parimet e BE-së, respektimi i të cilave përbën domosdoshmëri për transformim demokratik e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

*Analiza është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert” Friedrich-Ebert-Stiftung Tirana

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…