Albanologu Robert d’Angely dhe enigmat e tij, në 130-vjetorin e lindjes së tij

Ai ka lindur më 22 dhjetor 1893, në Paris. Një rrugë në Përmet mban emrin e tij.


Nga Niko MIHALI

Në qytetin e Përmetit, është një rrugë që mban emrin e tij. Ne  se do nisesh nga qendra e qytetit në drejtim të kinemasë, pasi lë  majtas  shtëpinë e botuesit të gazetës  “Tirana Diplomat”, ngjitur me ish-muzeun historik të qytetit,rruga me kalldrëm të gurtë e rinovuar së fundmi, të nxjer sapo mbi kishën e Shën Kollit dhe përballë shtëpisë me  mozaik, në një muranë me gurë të palatuar, ndodhet një pllakë me këtë emërtim, përuruar disa vjet përpara edhe me prezencën e vajzës së tij, doktoreshës Solang d’Angely, e cila një vit më parë u nda nga kjo jetë në vendlindjen e saj, atje në Paris.

Doktoreshë Solang, e cila prej kohësh e vitesh e njihte mirë fshatin dhe qytetin e orgjinës së nënës së saj, Bënjën e Përmetin, e kish vizituar së pari bashkë me  të këtë shtëpi aty nga vitet 70 të shekullit të kaluar, dhe  ishte ngarkuar me shumë kujtime dhe emocione  që e shoqëruan gjithë jetën dhe i plotësonin atë boshllëk që i kish rezervuar jeta për vehten e saj. Dhe jo më kot, atë ditë që në këtë rrugicë vendosej pllaka me emrin  e babait të saj, Këshilli Bashkiak i Përmetit, me kryetar z. M. Çapullari, e shpallte atë, dr Solang, “Qytetar Nderi”, për kontributin e dhënë ndër vite për fëmijët e Shqipërisë dhe Kosovës të  përzënë nga trojet e tyre, një vlerësim i shtuar pas atij që kish marrë nga Presidenti i Francës, si Urdhëri “Kalorësi i Legjionit të Nderit“.


Autori i shkrimit, Niko Mihali dhe Solange D’Angely, në Përmet

Qysh në kontaktin e parë  me këtë zonjë të nderuar aty nga fillimet e viteve ‘90, kur u zhbë ai sistem që  kufizonte lëvizjen e lirë në Europë e më tej, Solanga filloi ta vizitonte më dëndur Shqipërine  dhe mbi të gjitha të na  prezantonte, ose të na bëntë te njohur një nga enigmnat e saj, për të cilën ishte betuar  para kujtimit të atit të saj se  “unë do e botoj Enigmën tënde…”. Dhe kjo enigmë ishte një prej 7 vëllimeve të  “Gramatikës krahasuese të gjuhës shqipe”.

Libri “Enigma” i shkruar ne frëngjisht dhe i përkthyer në shqip  nga professor Xhevat LLoshi, i botuar nga Shtëpia Botuese “Toena”, është një libër i një lloji të veçantë, i cili pati fatin e keq që për shumë vjet pas vdekjes së autorit të saj, të qëndrojë në dorëshkrim dhe gati i haruar, por më vonë është interesimi i vajzës së tij, që si një nikoqire e mirë e shfleton faqe për faqe dhe arrin në të, të gjejë një material shumë të vyer të cilin ua prezanton njerëzve të fushës përkatese.

Ata panë se brenda faqeve të “Enigmës” flinin apo gëlonin dhjetra enigma të tjera të cilave edhe sot shkenca albanologjike nuk u ka dhënë pëgjigjen e duhur. Autori  pohon  bindshëm se gjuha shqipe, është gjuha më e lashtë e Europës  dhe shqipja është paraardhëse e greqishtes së lashtë, teori këto të cilat edhe këto vitet e fundit si rrjedhojë e qytetërimit të Linit në Pogradec e zbulimeve të tjera nga autorë të huaj në botë , kanë gjetur interpretime të reja  dhe po trondit edhe tezat e autorëve më të besueshëm të gjuhësisë shqipe .

Ky botim tani ka hyre në fondin e librave serioze te albanmologjisë shqiptare dhe aty kushdo që e lexon  merr një informacion sa të panjohur por edhe te guximshëm të një dijetari, për orgjinën pellazgjike të gjuhës shqipe dhe vendin e saj në familjen indoeuropiane.

Në të shtatë vëllimet e kësaj “Gramatike krahasuese…” të albanologut Robert d’Angely, kalojnë para nesh popuj e qyteterime të ndryshme që nga muzgjet e herëshme të historisë, gati 3500 vjet para Krishtit, që nga njeriu primitiv e formimi i gjuhëve primitive e që nga thrakët dhe ilirët e Ballkanit, nga etruskët me gjuhën e tyre, mbi Perandorinë Romake e atë Osmane, mbi shqiptarët, Epirin e pushtimin e Kostandinopojës e gjer tek mbishkrimet ndryshme në gurët e varreve e epitafet e vendosur nëpër ishujt e Egjeut.

Dhe për gjithë këto autori, ndjen keqardhje se, për deshifrimin e këtyre dorëshkrimeve  apo interpretimin e tyre, shkencëtarët apo studjuesit kanë përdorur pothuajse gjuhët indoeuropiane, por jo atë të shqiptarëve e cila mund të ishte më e sakta.

Ai ka lindur plot 130 vjet më parë, më daten 22 dhjetor 1893, në Paris ku kalon edhe femijërine .

Ishte djali i një inxhinjeri francez që punonte në shërbim të Perandorisë Osmane per ndërtimin e rrugëve e urrave. Duke qënë shumë i lidhur me të jatin, qysh në femijeri e rini ka udhëtuar  bashkë me prindërit  nepër Ballkan, nëpër Turqi,Greqi, Shqipëri dhe mes të tjerash do të vinte edhe në Përmet me  biçikletë nga fillimi i viteve 1910 ku dhe do të binte në sy  të banorëve të këtij qyteti. Çdo verë kthehej në Francë.

Qysh në rini bëri studime klasike për greqishten e turqishten në shkollën e madhe kombëtare greke të Fanarit në Stamboll,në kolegjin freng  “Saint-Benoit” po në Stamboll, për latinishten e greqishten, ka studjuar për filologji në Universitetin e Athinës, ku i lindi pasioni per  greqishten e vjetër e autorët klasikë, pastaj përfundoi edhe studimet për drejtësi në Universitetin e Parisit dhe më vonë mori pa provime  Shkollën Kombëtare të Gjuhëve Lindore po në Paris.

Pra, sikunder shihet, ai ka marrë një kulturë të plotë enciklopedike, çka i dha mundësi të hyjë neëstudime kaq të thella në muzgjet e historisë

Ne vitin 1923 deri me 1927 ka qëne mësues i shqipes  pranë Mario Rokut, botuesit të fjalorit të Frang Bardhit, pedagog i rumanishtes në Langueso, pionier i kërkimeve gjuhësore frënge për albanologjinë,  kurs ky që financohej nga pinjolli i Frashërllinjve, Mithat  Frashëri, dhe pa dyshim ai e fliste shqipen mirë e bukur në dy dialektet e saj. Kjo i jepte krahë e mundësi të spjegonte etimlogjine e dhjetra fjalëve të ndryshme.

Ne vitin 1923, plot 100 vjet më parë, në një ditë dimri e prag Krishlindjesh ai së bashku me babanë e tij, do të trokisnin në derën e shtëpisë së doktor Josif Bënjës, i njohur në Përmet me emrinm Josif Jatroi, personalitet i jetës politike përmetare e shqiptare, pasi kish përfaqesuar Shqipërinë në Konferencën  e Londrss në korrik të vitit 1913 për caktimin e kufijve të Shqipërise , shtëpite e të cilit gjënden edhe sot në krye të qytetit, afër kishës së Shën Kollit, por të rindërtuara vite më vonë me shumë  art dhe gusto nga pronari i ri i tyre Pano Jani e që tani njihen me emrin Shtëpia me mozaik.

Vajza e doktorit, Marigoja, mund të ketë qënë një ndër ato vajza që e kish njohur më herët Robertin, kur ai vinte si udhëtar i zakonshëm në Përmet me biçikletë, në shoqërinë e prindërve  dhe veçanërisht babait të tij dhe sigurisht ai kish trokitur më herët në zemrën e saj, andaj në këtë udhëtim të veçantë  kishin  shkëmbyer nishanet e fejesës dhe kishin lënë ditën e dasmës  për verën e vitit 1924. “Nëna ime – do të kujtojë Solanga në kujtimet e saj – ishte një grua  e gëzuar dhe me kurajë  që mua më shëmbëllente forcën dhe magjepsjen e gruas shqiptare“.

Në vitin 1928 ai mori gjithashtu diplomën e turqishtes të Shkollës së Gjuhëve të Lindjes. Më pas u bë profesor i frëngjishtes në licetë turke (Liceu Hajrieh në Fatih) në Stamboll dhe profesor i gjuhëve të huaja (greqishtes, anglishtes, italishtes, gjermanishtes etj.) në shkollat private të Parisit (Shoqata Filoteknike e Parisit, Shoqata Politeknike e Parisit etj.).

Por veç të tjerash do të jetë Solanga, ajo që plotëson më mirë e më bukur portretin e babait të saj kur shkruan:

Ai ishte shumë i rreptë, i pëlqente puna e bërë mirë, ishte kërkues ndaj të tjerëve ashtu si dhe ndaj vetes. Nuk e pranonte mediokritetin, punën shkel e shko, njohjen e keqe të gjuhëve, fjalën e gjymtuar, duke kërkuar gjithmonë përsosurinë. E shquante një vullnet i madh, një këmbëngulje e madhe dhe një durim i madh, cilësi të cilat e bënë që, pasi humbi dokumentet e veta, shkrimet, librat, elementët bazë të punës së vet, të kishte më pas kurajën që të rifillonte ta shkruante gjithë veprën e vet.

«Im atë ishte njeri i hapur, besnik, i drejtë, integral, asnjëherë lajkatar, thoshte kurdoherë atë që mendonte, qoftë dhe kur kjo mund të kthehej kundër tij. Me gjithë dukjen serioze, ai në jetën private ishte njeri shumë i ndjeshëm, gazmor, me një gëzim të vërtetë për të jetuar. I pëlqenin udhëtimet, sidomos kur i lejonin të përdorte kompetencën e tij gjuhësore. Prandaj ka bërë si përkthyes udhëtime në anijet e mëdha të udhëtarëve “Champlain” të Kompanisë së Përgjithshme Transatlantike dhe në “Georgic” të Cunard Ëhite Starline, që lundronin ndërmjet Francës, Anglisë, Shteteve të Bashkuara dhe ishujve Bermude.

Kur unë isha fëmijë, babai më merrte gjithandej. Qëllimi i shëtitjeve të tij ishin pothuaj kurdoherë libraritë në Odeon, në bulevardin Saint-Michel, në Quai Saint-Michel dhe bukinistët përgjatë gjithë Senës. Ai qëndronte atje më këmbë me orë të tëra duke lexuar.

Por pjesën më të madhe të kohës e kalonte në bibliotekë, sidomos në Bibliotekën Kombëtare, ku ka kaluar një pjesë të madhe të kohës. E adhuronte kinemanë, ku më ka çuar shpesh për të parë shumë filma. Nga pikëpamja fetare im atë njihte me përsosuri fetë katolike, protestante, ortodokse dhe myslimane. Me të unë kam hyrë në shumë kisha të Parisit të këtyre besimeve.

Më kujtohet kur këndonte tekste liturgjike greke në kishat ortodokse të Parisit si Katedralja ortodokse në rrugën Georges Bizet, apo kur i lexonte këto tekste në kishën Saint-Julien-le Pauvre, një kishë e kultit grek katolik të ritit bizantin. I pëlqente të fliste për xhamitë e famshme të Stambollit, si Xhamia Blu, bazilika e lashtë e Shën Sofisë që u bë më vonë xhami, ose dhe xhamia e mrekullueshme Sulejmanie, e ndërtuar nga arkitekti i famshëm osman Sinani… »

Per vite të tëra Robert D’ Angely udhëtoi në vende të ndryshme të Ballkanit e Lindjes, studjoj dorëshkrime e gdhendje  të ndryshme në veprat antike, në ishujt e Greqisë e malet e Kaukazit dhe që andej solli ato dëshmi që e ndriçojne fort gjuhën shqipe dhe lashtësine e saj. Ai ka një njohje të thellë për fenë ortodokse, katolike, islamike,  dhe midis librave të tij të parapëlqyer  vendos Fransua Pukëvilin, librat e Ronsarit dhe La Martinit, të Degrandit konsull i Francës në Shkodër,  fjalorët e Frang Bardhit , Kostandin Kristoforidhit, të udhëtarëve të ndryshëm etj etj  dhe përjetonte të sotmen  dhe të shkuarën e Shqipërisë, kulturën e saj të vjetër, rrënjët që te pellazget “këta të bardhë primitivë” që nga lashtësia e deri tek  gegët e toskët  e sotëm. Në ishullin e Lemnosit në Greqi  ai gjeti mbishkrimin pellazgjik që eëhte komentuar gjatë në librin “Enigma”.


(Te çezma në Ogren, para se të takonim Muco Ogrenin që na mrekulloi me kujtimet e tij për Angjelet!)

Vajza e tij  pas shumë vjetësh shkon e viziton ketë ishull dhe qendrën Kaminia – Poliohni. E emocionuar nga gjurmët e të atit do të shkruajë: Në këtë pejsazh të rrënojave  pellazge  buzë detit Egje, unë rripashë tim atë dhe mbishkrimet e lashta  dhe sërish ndjeva se ishte detyra ime  që të botoja synimin thelbësor të jetës së tij.»( parathënia e Enigmës)..

Dhe Solanga  e mbajti këtë premtim dhe një ditë erdhi në Tiranë dhe në një nga panairet e librit në Pallatin e Kongreseve , ajo prezantoi veprën e plotë e babait të saj Robert d’Angeli, një botim voluminoz të cilin e vuri në dispozicion të studjuesve të ndryshëm dhe  një pjesë e dhuroi për bibliotekat kryesore në Tirane dhe në qytetin e saj të prindërve në Përmet.

Jo më kot apo rastësisht, Solanga  e plotëson  portretin e babait të saj kur flet për të veçantën e udhëtimeve e  kënaqësive që ndjente Robert d’Angely në udhëtimet e tij .

Ajo pohon : “Ai e njihte shumë mirë Jugun e Shqiperisë, në vecanti krahinën e Përmetit, të Dangëllise, Frashërin, dhe gjithë Epirin ; ai njihte po aq mirë zakonet traditat kënget popullore, jeten e përditeshme të këtij populli dhe krenarinë e tij legjendare ”  dhe i pohon këto fakte si relike kujtimesh në kohë e vite të ndryshme me të jatin, per të cilin thotë se   ato ishin kohë të vështira që  me lindjen time vijuan me vitet e Luftes së dytë Botërore, ku ai do të ishte pjesë e Legjionit të nderit të ushtrisë franceze, ku edhe do plagosej e më vonë do të merrte edhe kryqin e hekurt.

Ajo do të shkonte nëpër shkolla  e kështu kish mbetur një enigmë e dytë, që ajo i vinte  rreth e rrotull por nuk dinte si ta spjegonte . Njëherë kur po zbrisnim nga Frashëri  për në Ogren e mandej në Bënjë, diçka më thosh për një  kujtim të dhimbshëm në kampet e përqëndrimit, por nuk ma çoi dot bisedën gjer në fund.

Shkrimtari dhe diplomati Luan Rama, që e njeh prej kohësh e vitesh dr Solangën e mbetet një nga miqtë e saj më të mirë, që i është ndodhur  pranë në ditë të bukura e të vështira, në një shkrim që botonte   para dy vjetësh në  rrjetet sociale do të shkruante për këtë dramë që jetoji familja e Angelëve në ditët e fundit të Luftës, kur « ai bashkë me gruan dhe dy vajzat Soalngën 12-vjecare dhe një më të vogël 3 vjecare, ishte nisur për të ardhur në Shqipëri, por në Austri i ndaluan.

Të gjitha rrugët ishin mbyllur. Destinacioni i tyre drejt qytetit Ulm e pastaj Schielklingen. Ishte prill i vitit 1945. Gjermania ishte në agoninë e vet, por kampet ishin plot, me vdekjen e përditshme në sy, me shiun e vdekjes që nuk ndalej.” ( L Rama fcb) I kaluan ato ditë tmerri nëpër kampe larg nga njeri tjeteri  dhe aty do ndeshen me nje dhëmbje të madhe, vdekjen e vajzës tre vjecare, e cila e dërmoi shpirtrisht  familjen  por edhe vete babain e tyre Robertin.

Kthehen  më vonë në Paris, vijon punë me librat e tij dhe  mbyll sytë më 22 tetor 1966 pa mundur t’i japë rrugë veprës së tij. Ai u largua nga kjo jetë , por i la vajzës së tij një boshllëk të madh shpirtëror, nuk i kish treguar një gjë kryesore, që ta dinte ashtu sikundër e dinte për mamanë që ishte bijë nga Bënja e Përmetit.

Në ato udhëtimet e shpeshta që bëntë në Tiranë  kur vinte nga Parisi, kishte takuar  si rastësisht një përmetar të mençur e të ditur, studjuesin Stilian Adhami, i cili e njihte mirë të kaluarën e  familjes së tyre .

Ai midis të tjerash i kish thënë:

“- Ti, moj vajzë, nuk ke vetëm mamanë nga Përmeti, por edhe babai juaj, Roberti është po përmetar, dhe është  me rrënjë nga Angjelët e Ogrenit.”

Ishte fund marsi i vitit 2006 ose 2007.

E takova tek Ura e «Vasil Shantos» në Tiranë, kur sapo kish dalë nga shtëpia e Stilianit që ishte po aty, përballë hotel Diplomatit .Ishte tërë emocion e më thotë fjalë për fjalë ato që i kish thënë Stiliani.

“Niko, duhet të shkojmë në Përmet dhe dua të shkoj në Ogren. E di ti ku bije Ogreni, si mund të shkojmë, ku mund të marrim ndonjë taksi?”

Në atë udhëtim ajo kishte ardhur bashkë me Luan Ramën  dhe si u bëmë të tre  vendosëm që të nesërmen të shkonim në Përmet. I gjeta një mundësi  se me kë mund të bisëedonte, një mikeshën e saj që ishte ministre e  shëndetësisë dhe si ajo duhet të telefon onte një mikun e saj në Përmet, që të mund t’i siguronte një makinë për të shkuar në Ogren. Ajo ishte një rrugë e vështirë. Ishte fund dimri, andej kishte borë, baltë dhe vetëm ajo makinë e Ndërmarrjes Pyjore mund të shkonte.

Dhe  drejtori i asaj ndërmarrje M. Çapullari e mori në konsideratë këtë kërkesë dhe të nesërmen u nisëm Ndalesën e parë e bëmë në Frashër, bëmë një foto tek Shtëpia muze bashkë me Tre vëllezërit e derdhur ne bronz dhe u nisëm për në Ogren. Donim të takonim ndonjë banor të këtij fshati  që të ishte i moshuar e t’i jepte përgjigje pyetjes sonë : A ka patur  ndonjë familje me mbiemrin ANGJELI në këtë fshat !?.

Ishte shumë e vështirë të gjeje njeri që të na përgjigjej saktë. Disa që pyetëm ngrinin supet… dita po kalonte dhe nuk na nxinte vendi… na thanë se  këtu si më i moshuar që jeton akoma është Muçua, Muço Ogreni, i thonë . Dhe u nisëm për në shtëpinë e Muços, një emër që e kisha të rregjistruar në kujtesën time qysh nga viti 1964-1965 kur punoja  si mësues në Frashër. Dhe në fund Muçon e gjetëm në një vend të fshehur nga errërat që po piqte raki për qejfin e tij. Ishte një plak i mbajtur që i kish kaluar të 80, me një mjekër të bukur, dhe mëndjen e kishte qiqër. Kur na pa ne të treve që e kërkonim me ngut fjalën e tij, u ngrit ngadalë, porositi nusen të na qeraste me ato të traditës, hoqi rrobat e rakisë dhe veshi këmishën e bardhë dhe u ul me ne në muhabet së mbari.

Pyetjes sonë ai iu përgjigj :

“Po, – tha Muço Ogreni – ka patur Angjelë këtu në fshatin tonë, kanë qënë tregtarë të mëdhenj, por kanë ikur shpejt, shumë shpejt, dhe me sa tregojnë pleqësia kanë shkuar në Stamboll dhe Amerikë. Edhe atje me tregti merreshin. Kaq di unë.
– Po ku i kanë patur shtëpitë, – nuk iu durua Solangës, – e mban mend?!
– Shtëpitë i kanë patur tek shkolla, aty kanë qënë rrënoja gjer vonë, pastaj aty nga vitet ‘70 mbi ato themele e me ato gurë, u ngrit shkolla 8-vjeçare e fshatit. Tani shkollë nuk ka se kanë ikur  njerëzit, por godina është!

Dhe Solanga nuk priti më, nuk e mbante veëndi. Mori nja dy fëmijë, i qerasi me disa karamele e çokollata që i mbante gjithmonë ne çantën e saj dhe u nis drejt e tek shkolla. Aty gjeti edhe ca fëmijë të tjerë dhe mbi ato rrënoja bëri edhe një foto  bashkë me këta fëmijë  dhe nga këto rrënoja mori një grusht dhe në një qeskë të vogël, të cilin ma tregoi vite më vonë kur shkova në Paris, që i kish vendosur në një vazo  atje në shtëpinë e saj. Ishte një grusht dhẻ nga shtëpitë e mamasë në Përmet që u plotësua  me këtë dhe, që e mori nga rrënojat e shtëpive të gjyshërve të saj në Ogren…

Këtë detaj e tregon edhe Luan Rama në ato shënimet e tij në rrjetet sociale, kur thotë për Solangën : Vajzë e dy shqiptarëve nga Përmeti, nga Ogrenja dhe Bënja, ngulur në faqe malesh.

Solanga ka pak kohë që u nda nga kjo jetë, u përcoll me shumë dashuri nga  shokët e miqtë e saj të shumtë që kish në Paris, por u largua e qetë nga kjo jetë se  i zgjidhi bukur e mirë enigmat e saj. Dhe mbiemri i saj, i  babait të saj e familjes, edhe pse ka një dukuri franceze, është emri i Dangëllisë  i shndruar në një mbiemë me konotacion frances (D’Angelli) që ata e kanë marrë me vete për të mos u harruar kurrë e kaluara e tyre, familja e tyre. Dhe ky shkrim në 130 vjetorin e lindjes së albanologut Robert d’Angely, është më tepër një kujtesë dhe një homazh për këtë studjues, një model për ata që  duan të studjojnë e njohin  sa më mirë rrënjët e gjuhës shqipe .

________________________________
Tiranë – Torino, 20 dhjetor 2023

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…