Bujqësia kineze, ajo shqiptare dhe teknologjia e përparuar

Kina ka bërë hapa të rëndësishëm në modernizimin e bujqësisë, duke krijuar një bazë solide për realizimin e modernizimit kombëtar


Intervistoi Fatos Çoçoli

Kina ka bërë hapa të rëndësishëm në modernizimin e bujqësisë, duke krijuar një bazë solide për realizimin e modernizimit kombëtar. Në shumë vende të botës produktiviteti i punës bujqësore, produktiviteti i tokës dhe efikasiteti i përdorimit të burimeve janë rritur ndjeshëm. Kostot e tokës dhe punës, si tek ne, ashtu dhe në të gjithë Evropën, por edhe në Kinë dhe kudo në botë, janë rritur shumë. Kjo situatë ka dëmtuar konkurrencën e produkteve bujqësore dhe ushqimore.

Sipas ekspertëve shqiptarë për të mbështetur modernizimin e bujqësisë, duhet të zbatohen dy masa kyçe.

Së pari, duhet forcuar udhëheqja organizative, me fokus në zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale, duke siguruar njëkohësisht që bashkitë, pushtetet vendore t’i paraqesin raporte periodike Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit mbi progresin e modernizimit të bujqësisë.

Së dyti, është e rëndësishme të forcohet mbikëqyrja dhe inspektimet, me strukturat shtetërore në të gjitha nivelet, që kryejnë inspektime të rregullta dhe të papritura, për të konstatuar nëse politikat kryesore të modernizimit të bujqësisë po zbatohen.

Kina këtë fundvit bëri bilancin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural nëpërmjet Konferencës qendrore vjetore për punët rurale. A mund të krahasohen modelet e zhvillimit bujqësor të Shqipërisë dhe Kinës, duke iu referuar rezultateve të deritanishme në këtë sektor, por dhe objektivave për vitin 2024? Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, specialist i bujqësisë dhe zhvillimit rural, Agim Rrapaj në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komenton zhvillimin bujqësor të Shqipërisë gjatë këtij viti, krahasuar me modelin bujqësor të Kinës

CMG: Z. Rrapaj, modernizimi i bujqësisë kërkon integrimin e teknologjive, pajisjeve dhe praktikave të fundit dhe përdorimin e automatizimit dhe zgjidhjeve të drejtuara nga teknologjia, për të kompensuar mungesën e fuqisë punëtore për shkak të plakjes së fuqisë punëtore edhe tek ne. A mundet te modernizohet bujqësia jonë?

Agim Rrapaj: Mundet është fjalë e saktë. Përgjigjja është po, mundet të modernizohet. Por si duhet modernizuar dhe sa shpejt duhet modernizuar është problem për zgjidhje.

Se si duhet modernizuar bujqësia, është një çështje që është diskutuar prej kohësh, për disa arësye. Arësyet janë objektive dhe subjektive. Arsyet objektive për modernizimin e bujqësisë kanë të bëjnë me ndryshimet klimatike të cilat kanë bërë që ne të detyrohemi të përdorimin gjerësisht mekanizimin, që të përballojmë pasojat negative që kanë ndyshimet klimatike.


Agim Rrapaj në intervistë për CMG

Arësyeja e dytë është shpopullimi i zonave rurale kohët e fundit, si rezultat i hapjes dhe si rezultat i globalizimit. Zonat rurale kanë një lëvizje të theksuar drejt zonave urbane, dhe drejt emigracionit për shumë arsye. Arsyet janë ekonomike, shëndetësore dhe sociale. Dhe kjo lëvizje, ky shpopullim që po ndodh në zonat rurale, kërkon patjetër modernizim.

Arësyeja e tretë ka të bëjë me konkurrueshmërinë. Sot, ekonomia globale po bëhet gjithnjë e më shumë konkurruese dhe duke qënë konkurruese, rendimentet në disa zona po rriten, kurse kostot po ulen. Kështu që është e domosdoshme të përballosh këtë fluks dhe, që ta përballojë, bujqësia duhet të modernizohet.

Arësyeja e katërt dhe shumë e rëndësishme është siguria ushqimore. Dihet që në zonat rurale kryesisht, prodhohet ushqimi, përpunohet ai. Njëkohësisht kemi edhe agroturizmin dhe aty konsumohet tashmë një pjesë e madhe e ushqimit.

Eshtë domosdoshmëri që të modernizohet edhe ky sektor, në mënyrë të tillë që ne të kemi një ushqim të sigurtë, të bollshëm, cilësor, si dhe që të kemi mundësi të zhvillojmë edhe degën homologe të bujqësisë, që është turizmi rural.

Pra, të gjitha këto së bashku, bëjnë të mundur që në këtë situatë, një nga zgjidhjet më efiçiente dhe më dobiprurëse është modernizimi, është domosdoshmëri për ta realizuar sa më shpejt të jetë e mundur.

CMG: Në Kinë, produktet ushqimore të importuara përbëjnë 30 për qind të konsumit total të ushqimit në vend. Sa ushqime importojmë ne në vit? A mundet të ulim ushqimet që importojmë, përmes përdorimit të teknologjisë dhe inovacionit në bujqësi dhe në zhvillimin rural?

Agim Rrapaj: Shqipëria importon ushqime për shumë arësye. Kemi arësye objektive, ngaqë importojmë ushqime, të cilat nuk prodhohen në Shqipëri, siç është kafeja, sheqeri, frutat ekzotike, orizi dhe disa produkte të tjera ushqimore, që për arsye të kushteve klimatike, si dhe disa arsye të tjera, nuk prodhohen në Shqipëri.

Dhe për të gjitha këto, patjetër që është importi, ai që zgjidh problemin. Ne importojmë ushqime rreth 800 milionë dollarë në vit. Ne e kemi raportin import-eksport, i cili është 2.8 dollarë importe dhe 1 dollar eksport të produkteve bujqësore, që anon shumë nga importet. Pra importojmë 2.8 dollarë dhe eksportojmë 1 dollar.

CMG: Gati tre herë.

Agim Rrapaj: Po, është 1 me 3 në favor të importeve. Eshtë ky raport, i cili është i mundur të ndryshojë në vijimësi, që ne të kemi mundësi që një pjesë të produketeve tona që nuk i nxjerrim në treg, për shumë arsye, të mund t’i komercializojmë ato, t’i nxjerrin me treg, në mënyrë të tillë që familjet e fermerit të fitojnë të ardhura, por edhe konsumatorët të shijojnë ato produkete, të cilat janë të dobishme për shëndetin e tij në radhë të parë, por të jenë të dobishme edhe për funksionimin e të gjitha subjekteve të ushqimit social.

Pra, në këtë pikëpamje, import-eksporti i produkteve bujqësore në Shqipëri po pëson gradualisht ulje të importit dhe rritje të eksportit. Shqipëria ka një qëllim ambicioz që në vitin 2030, të arrijnë 1 miliardë dollarë eksporte.

Sot jemi 550 milionë dollarë. Është objektiv i mundshëm, por i cili nuk arrihet pa modernizim, pa inovacion, pa digjitalizim. Ky nuk arrihet pa mekanizim. Të gjitha këto së bashku, bëjnë atë që të realizohet objektivi, që të rrisim produktivitetin e tokës dhe të të gjithë aseteve që Shqiperia ka, në mënyrë që t’i shërbejmë popullsisë se vendit, turistëve që vijnë në Shqipëri, por edhe popullsisë akoma dhe më gjerë.


Buxheti i shtetit për sektorin bujqësor (Foto Ministria e Bujqësisë)

CMG: Në Kinë, të ardhurat e familjeve rurale përbëjnë 40 përqind të atyre urbane. Po tek ne? Si mund të rrisim të ardhurat e familjeve rurale, përmes shtimit të përdorimit të teknologjisë së përparuar?

Agim Rrapaj: Kjo është një sfidë që është prej kohësh dhe paraqet një sfidë globale, që nuk është vetëm në Kinë apo Shqipëri, apo vende të ndryshme, por pothuajse globalisht.

Në zonat rurale, të ardhurat janë më të ulta se në zonat urbane, për arsye edhe të modernizimit, për arsye edhe të mekanizimit, të inovacionit, të digjitalizimit dhe për arsye të zhvillimit në tërësi. Zonat urbane ecin me ritme më të shpejta, gjendja është më e konsoliduar, ka më shumë investime, se sa në zonat rurale. Kjo bën që të kemi këtë disnivel të madh midis këtyre dy grupimeve.

Në Shqipëri kemi një avantazh, që zonat rurale dhe ato urbane janë pothuajse shumë afër njëra- tjetrës dhe janë shumë të ndërlidhura. Ka ka një traditë për një bashkë-ekzistencë dhe bashkëpunim shumë të mirë midis zonës rurale dhe zonës urbane. Kjo ka qënë një traditë në vijimësi, që nuk është përdorur siç duhet, në raportet e duhura. Në këto momente, ekziston mundësia që ky disnivel të ulet, të përafrohet.

Shpresoj shumë që ndarja e re territoriale që ka Shqipëria (nga rreth 460 njësi administrative që kishte, sot ka vetëm 61), të bëjë që të kemi mundësi shumë të mirë për të programuar dhe modernizuar, jo vetëm qendrat e zonave urbane, por edhe ato të periferisë, ku përfshihen zonat rurale.

CMG: A do ta ndihmojë programi qeveritar për bujqësinë dhe zhvillimin rural në Buxhetin e Shtetit 2024, mekanizimin e bujqësisë sonë dhe futjen e teknologjisë së përparuar?

Agim Rrapaj: Nuk e ndihmon sa duhet, nuk është buxheti që ne prisnim për 2024. Natyrisht modernizimi dhe mekanizimi kanë një boshllëk shumë të madh, duke patur parasysh që, përsa i përket mekanizimit, Shqipëria ka një flotë traktorësh të mekanikës bujqësore jo të përshtatshme.

Duke e krahasuar me nivelin europian, është larg. Flota është jo e përshtatshme, përsa i përket efektivitetit, përsa i përket menaxhimit dhe përsa i përket mirëadministrimit të kësaj pasurie. Realisht, kemi një flotë të mekanikës bujqësore të vjetër, që nuk përputhet me nevojat që ka sot bujqësia dhe modernizimi në tërësi. Kjo është vetëm njëra anë e çështjes. Ana tjetër qëndron në faktin që ne nuk kemi një teknologji, edhe përsa i përket ujitjes, që t’i përshtatet situatës, në të cilën ne jemi. Ne jemi një vend më shumë kodrinor dhe në zonat fushore, ku ne kemi mundësi për të ujitur, me të gjitha mjetet dhe format, ne nuk kemi mundur të përdorim ujrat sipërfaqësore sa duhet, por përdorim ujrat nëntokësore, gjë që bën të prishim ekosistemin dhe njëkohësisht, të mos marrim ujin cilësor që kërkon bima.

Në këtë pikëpamje, modernizimi i sistemit të ujitjes është një domosdoshmëri dhe është një nga menyrat që ne mund të rrisim rendimentet dhe të realizojmë atë efiçiencë që kërkohet sot nga e gjithë bota, në veçanti nga politikat bujqësore të një vendi të madh si Kina, për në zonat rurale.

Burimi: CRI.CN

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…