Për dashamirësit e gjuhës shqipe!
Mund të shkruash e krijosh në çdo dialekt, kjo vetëm mirë i bën gjuhës shqipe dhe e pasuron më tej atë.
Nga Gëzim Zilja
Gjuha shqipe është nga më të vjetrat në botë e provuar kjo shkencërisht. Është e pasur dhe mund të shprehesh shumë bukur me të, në art, letërsi, publicistikë apo raporte pune e administrative. Çuditem me disa (pa i fyer) që shprehen se ky apo ai dialekt, duhet hequr e duhet vendosur ky tjetri se është më i plotë dhe më i saktë. Madje ka edhe që ulërijnë.
Të gjithë popujt e kanë një variant zyrtar dhe ne e kemi. Ndoshta duhet përmirësuar dhe kjo është logjike. Por kur thonë që ky apo ai dialekt është më i bukur e më i pasur se ai tjetri më vjen të qesh. Unë lexoj në gegnisht romane e poezi. I shijoj pambarimisht. Është një dialekt që të mrekullon, gjithë tinguj e ngjyra, ku fjala zë vend, pa huazuar kërkund e që të befason. Mjafton të lexosh Gjergj Fishtën apo Ndre Mjedën. Me gegnishten mund të shprehësh gjithçka del nga shpirti, e shohin sytë e poetit, shkrimtarit apo zyrtarit.
Në toskërisht fjala buron, e rrjedh si përrenjtë e lumenjtë e kulluar kur përcjellin ujin e dëborës së porsa shkrirë, lartësohet si kodrinat e malet e gjelbëruara që rrethojnë labërinë e kullojnë mjaltë. Mjafton të lexosh poezitë e Naimit apo Çajupit. Lexoni folklorin tonë, epikën dhe lirikën e Jugut, e të Veriut. Ka aty materiale burimore të paprekura, që vijnë nga thellësitë e shekujve. Dallohet që atje tej që është gjuhë shqipe.
Po jap për ilustrim dy poezi kushtuar gjuhës shqipe njra shkruar nga Naim Frashëri dhe tjetra nga Ndre Mjeda. Nuk mund të ndash dot muzikalitetin, anën artistike, dashurinë e madhe për gjuhën shqipe e atdheun. Aty janë të gjitha të bukura, tingëllojnë hyjnore në të dy dialektet dhe nuk mund t’i ndash dot duke duke bërë krahasime pa vend e të kota.
Gjuha jonë
Nga Naim Frashëri
Gjuha jonë sa e mirë
Sa e ëmbël sa e gjerë
Sa e lehtë sa e lirë
sa e bukur sa e vlerë
*
Kjo ‘shtë mëm’ e mirësisë
Që bije qytetërinë
Gasthin e vëllazërinë
Njerëzin’ e miqësinë
*
Pa shihni ç’gjuh’ e mirë
Sa shije ka e hije
Ç’e bukur’ edh’ e lirë
Si gjuhë perëndie.
*
Se njerëstë gjithë vdesin
Po jeta s’mbetet shkretë
Gjuha, Mëmëdheu mbesin
Të patundurë për jetë.
Gjuha shqype
Nga Ndre Mjeda
Përmbi za që lshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon;
Përmbi er’ që jep zymbyli,
Pa da zemren ma ngushllon.
Ndër komb’ tjera, ndër dhena tjera,
Ku e shkoj jetën tash sa mot,
Veç për ty m’rreh zemra e mjera
E prej mallit derdhi lot.
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
Jan’ të bukra me themel
Por prap’ kjo, si diell pa hije,
Për mue t’tanave iu del.
Geg’ e tosk’, malsi, jallia
Jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
Fund e maj’ nji a Shqipnia
E nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon.
Ngjyrimet e krahasimet ndryshojnë por janë aq të bukura, aq të afërta, sa tablotë e piktorëve të mëdhenjë, që trajtojnë të njëjtën temë por me ngjyra krejt të ndryshme. Nuk duhen harruar për asnjë çast dialektet e mrekullueshme të Çamërisë e të Arbëreshëve të Italisë, që veç nostagjisë, përcjellin vlera të tjera të paçmuara.
Nëse gjuhëtarët e shohin të arësyeshme është punë e tyre ta ndryshojnë e ta përsosin gjuhën zyrtare. Po të marrësh përsipër të vërtetosh se ky apo ai dialekt duhet hequr e ky tjeri duhet vendosur e sidomos kur e politizojnë problemin kjo më duket energji e harxhuar kot.
Mund të shkruash e krijosh në çdo dialekt, kjo vetëm mirë i bën gjuhës shqipe dhe e pasuron më tej atë.