Inteligjenca virtuale asiston qytetarët në shërbimet online, Çano: Rrit efikasitetin, monitorim 24 orë
Ky inovacion do të rrisi efikasitetin e përdorimit nga ana e qytetarëve apo bizneseve të shërbimeve online
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano, e pranishme në aktivitetin e organizuar për prezantimin e Shërbëtorit Publik të Inteligjencës Artificiale, “Asistenti Virutal 1.0”, u shpreh se ky inovacion do të rrisi efikasitetin e përdorimit nga ana e qytetarëve apo bizneseve të shërbimeve online.
Çano garantoi se institucioni që ajo drejton, do të vijojë monitorimin e ofrimit të shërbimeve online përgjatë 24-orëve për shtatë ditë të javës. Ajo theksoi se gjatë vitit që lamë, pas ishin 110 000 ankesa të mbërritura te portali “Shqipëria që Duam”, të cilat morën zgjidhje.
“E ndjekim këtë proces ashtu sikurse kemi bërë me çdo risi dhe inovacion, i cili ka sjell ndryshim, që nga aplikimet online, tek përgjigjet online të institucioneve, tek mbyllja totale e sporteleve. Kujdesemi që çdo qytetarë të ketë përgjigjen e kërkuar në kohë. Në punën tonë të përditshme, ne sigurohemi që qytetarët të marrin përgjigjen e duhur për çdo aplikim që ata bëjnë përmes monitorimit të sistemit të qarkullimit të dokumenteve me nënshkrim elektronik. Është një proces që ne e monitorojmë 24 orë në shtatë ditë të javës. Dhe çdo shqetësim që qytetarët kanë ta adresojnë tek platforma e bashkëqeverisjes, duke tentuar problematika të marri zgjidhje. Edhe në këtë proces inovativ ju nuk jeni vetëm”, nënvizoi Çano.
Ajo më tej tha se “me këtë nisëm të re teknike do të tentojmë, që edhe numrin falas të ADISA-s, 0800 18 18 të ulim dukshëm komunikimet online dhe telefonatat që vijnë nga qytetarët, të cilat një hark kohor përllogariten rreth 6 000 komunikime me qytetarë e biznese në vit”
“Për të gjitha pyetjet do të përgjigjet asistenti virtual, i cili jo vetëm që do të përgjigjet, por do të ju tregoj edhe se si ju mund të ankoheni. Asistenti 2.0, i cili do të jetë funksional gjatë vitit 2024, do të na ndihmoj jo vetëm se si mund të ankohemi, por do të na tregojë të gjitha hapat procedurale se ku kalon ankesa juaj dhe madje, do t’ju ndihmoj të njihni platformën në të gjitha ngjyrat e saj”, tha Çano.
“Do të punojmë fort që të kemi përgjigje për qindra e mijëra qytetarë, që aksesojnë në platformën e bashkëqeverisjes dhe duan vëmendje për problematikat e tyre. Në vitin që po mbyllim kanë marrë përgjigje mbi 190 000 qytetarë e biznese, prej të cilave 110 000 kanë marrë edhe zgjidhje definitive. Ky instrument i ri do të rris efikasitetin dhe do ndihmoj ndërveprimin që ekipet e AKSHIT, e-Albania, ekipit të Bashkëqeverisjes, të jenë sa më pranë qytetarëve e për të dhënë sa më shumë shërbime të mira dhe në kohë qytetarëve dhe bizneseve”, përfundoi Çano.
Këtë të enjte u prezantua Shërbëtori Publik i Inteligjencës Artificiale, Asistenti Virtual 1.0 i çdo qytetari në e-Albania. Një shërbëtor publik, që do të jetë në dispozicion të çdo qytetari, në çdo orë të ditës dhe të natës, për marrjen e shërbimeve në e-Albania ku s’ka më nevojë për asnjë ndihmë tjetër për këdo që aplikon për një shërbim. Brenda vitit 2024 do të jetë “live” edhe Asistenti Virtual 2.0, i cili do të shfaqet edhe me zë e me figurë dhe do ta bëjë vetë të gjithë procesin e aplikimit për llogari të qytetarit.