Margariti: Ekspozita “Gjyqet” jo thjesht një dëshmi, por edhe reflektim mbi të shkuarën
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 24 mars 2024.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi ekspozitën “Gjyqet” nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në bashkëpunim me Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) jo thjesht një dëshmi, por edhe reflektim mbi të shkuarën.
Në një postim në rrjetet sociale, Margariti ndau momente nga hapja e ekspozitës mbrëmjen e djeshme në Muzeun “Marubi” në Shkodër, të kuruar nga Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi.
“Ky vit përmbyllet në Muzeun e Fotografisë “Marubi” me një bashkëpunim të ri, me Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Ekspozita “Gjyqet” kuruar nga Zef Paci, Luçjan Bedeni dhe Lek M. Gjeloshi është jo thjesht një dëshmi, por edhe reflektim mbi të shkuarën”, shkruan Margariti.
Imazhet fotografike të arkivës së pasur të ATSH-së, i përkasin periudhës politike të viteve 1945-1961, kohë në të cilën regjimi i asaj kohe shfaqi qëndrimin e saj agresiv e kërcënues ndaj personave që kishin një qëndrim ndryshe.
E cilësuar si një gjyq i fotografisë së gjyqeve, me profile që flasin më shumë se një mijë fjalë, figura publike dhe njerëz të pafajshëm të cilët u cilësuan “armiq të popullit” dhe “kriminelë lufte”, ekspozita nxjerr në pah dhe mundohet të flasë jo vetëm për historikun e një periudhe të caktuar, me gjyqe speciale që nuk vërtetoi asnjë krim, por dënoi, pushkatoi dhe burgosi qindra persona, por dëshmon edhe peshën e fotografisë në atë periudhë.
Ekspozita do të jetë e hapur për publikun deri më 24 mars 2024.
(Marrë nga ATSH)