“Hijet e qytetit kubik”
Poezi nga vëllimi poetik “Moderniteti i ajrit” i Marash Mirashit
Nga Marash Mirashi
HIJET E QYTETIT KUBIK
Në qytetin kubik
dielli lind me hije
palosur më katërsh
në anë të trotuarit
ku turma e njerëzve
pikturohet
në rrumbullakun e kuq
të semaforit
që ka harruar
të bëhet
jeshil.
Në mesditë
hijet kalojnë në trotuarin tjetër
të rrudhosura
si këmishat e futura me zor
në valixhen
e udhëtarit
që e ka humbur lokacionin
e qytetit të vjetër
me macet e allçisë
para portave
ku hijet
depërtojnë plasave
duke pikturuar rriga
që thyhen
avllive.