Çunat e bukur që ia dhamë botës
Miqtë e mi, kür t’i u bjerë rruga në Hagë, ndaloni te La Passione, porosisni edhe Far Niente
Nga Flutura Açka
Një faqe e plotë gazete për shqiptarin e apasionuar të La Passione në Hagë
Unë e thërras Tani. Më ka përngjarë gjithmonë me tim vëlla, nga jeta, nga pasionet: për verërat, për artin e kulinarisë. Për ndjesinë e rehatisë e kënaqësisë për të tjerët, nga mënyra se me ç’përkorie të shërben. Por edhe s’di pse, ngjajnë shumë, edhe në pamje, edhe në të folur, edhe nga mënyra se si të janë pranë në ditë të vështira. Kanë lindur në Elbasan, por tani janë mesin e mijëra çunave të bukur që ia dhamë botës.
Është Tellis D Muca, miku im që drejton një restorant të mrekullueshëm në Hagë. Tani është nga Fushëmbreti i qytetit tim të lindjes, Elbasanit. Kam ndarë me të ditë të bukura e ditë të trishtë. Kam mbledhur në sallonin e tij të dashur e mikpritës artistë shqiptarë për festa të bukura, miq shqiptarë e holandezë për festat e mia familjare, miq e të afërm në ditë të rënda për të kujtuar tim bir, siç e kanë zakonet shqiptare.
Me këtë restorant dhe me mirësinë e të zotit të La Passione lidhen edhe shumë tryeza të vogla të shenjta me shenjë për mua dhe jetën time letrare. Tani shkoj më rallë, dhe kür shkoj shpik arsye të bukura, të cilat kanë qenë të rralla në vitet e fundit të jetës sime. Por më merr malli shpesh të jem e ulur në një tryezë në La Passione e të ndjehem pak çaste e përkëdhelur nga njerëzorja dhe talenti sipëran në pjatë.
Tek e shoh që i kushtohet një faqe e plotë e gazetës më të madhe holandeze NRS artit të tij, gjej arsyen të ndjehem krenare jo vetëm për mikun, por për shqiptarin që na nderon të gjithëve. Dhe në duhet t’i përgëzojmë me zë të lartë dhe publikisht djemtë e bukur të atdheut, kudo që të jenë. Dhe ngaqë nuk dua të bëj politikë në këto radhë, nuk po flas për të drejtën e votës së tyre.
Miqtë e mi, kür t’i u bjerë rruga në Hagë, ndaloni te La Passione, porosisni edhe Far Niente, është dhe nuk është sufle, është haje njerëzore por ka shijen é përmjeries së engjëjve.
Fundjavë të mbarë, Miq! ❤️
Foto: Gazeta NRS. Foto në La Passione, 4 qershor 2020