Rama: Me buxhetin 2024 financohet përfundimi i 30 objekteve arsimore dhe sportive
Investimet në infrastrukturën arsimore janë thelbësore për rritjen e cilësisë në proceset e mësimdhënies dhe zhvillimin e aftësive të nxënësve
Shkolla 9-vjeçare “14 Nëntori” në Durrës, shumë shpejt do të garantojë për 700 nxënësit e saj mjedise të rinovuara, laboratorë shkencash dhe kompjuterike, bibliotekë, palestër të re dhe terrene sportive.
Kryeministri Edi Rama ndau foto nga rindërtimi i kësaj shkolle teksa shtoi se, me buxhetin 2024 financohet përfundimi i 30 objekteve arsimore dhe sportive dhe hapet thirrja për projektet e reja të rehabilitimit dhe ndërtimit të shkollave dhe mjediseve sportive për ciklin 2024-2025 në bashkitë e vendit.
“Investimet në infrastrukturën arsimore janë thelbësore për rritjen e cilësisë në proceset e mësimdhënies dhe zhvillimin e aftësive të nxënësve, ndaj puna do të vijojë me ritëm për të garantuar kushte sa më të mira të shkollave kudo në vend”, theksoi Rama