Reçak, plis i ngopun me gjak
(Poezi kushtuar 25-vjetorit të masakrës së Reçakut)
Nga Albert Vataj
Reçak, plis i ngopun me gjak
(Poezi kushtuar 25-vjetorit të masakrës së Reçakut)
Me vitet ngarkue me mall e dhimbje,
Vij te ky mermer qi ther n’cingërimë e rënkim,
Te kjo kushtrimore lirie hyjnue, n’be e n’besë t’parve,
Jam tekkëtu, n’kyt ag dite qi dritshëm vezullon,
Krenue te ky mëvetësim flijimi andrrash e andjesh.
Te ky qiell i mrrylët që asht murue,
Vullnesë e epërme jam, qi ngërthen flakërimit si jehonë.
Përulem te kjo heshtje e zashme kushtrimi,
Me bjeshkën përmbi, e gjëmimin e maleve.
M’naltuen n’ndërmendje k’ta shpirtna t’shenjt.
Ky izëm qi doli nga Guarnika e asaj dite, n’nat terrue,
Ashti e cyti n’palc krisjen e njasaj rrase pragu,
Theri thellë rranjve, zani qi briti e dynjan kërdisi.
Asht kremte mbrothsimi n’galdim sod,
Bac e loke, e tanju vllazën e motra qi heshtni potershëm.
Prore kjo ditë kujtese e mëkimi t’yjt kenka.
Baj vash se si dirgjen piskamt thellimit t’kohës,
Mbet n’ne gjama qi m’theri amësht n’shpirt.
N’za mu ngul, si rrufeja shigjetare n’kurmin e natës,
Kjo epje shugurue n’hyjnim lirie.
Mbi prehjen e atij plisi t’ngimun me gjak e lot,
Njatij trolli, mbrumun me bukë e krypë e barot,
Ulet prajshëm njajo mjegull, prej kreshtave t’molisun,
Si baca me barrën e viteve n’shpinë e dhimbjen n’shpirt,
Zdryp reje njatij agut angullimash trazimtare,
Me thirrje t’thekshme e shtron udhën kah shklet zezona,
Ngushtue asht zorit e mohit robnia asaj nahije,
Ai za zjarmi, kijametshëm ngërthen qiellin qi pisket e pëlcet.
Jam te kjo ardhje e pikllimtë, n’dhé gjunjëzue,
Vajshëm i këndon lahuta, t’kujshmes kujtesë qi cek.
E ligshtueme asht fjala, e zehërt gjuha,
Varrue jetët qi ju dorëzanen këtij ngadhënjimi.
Ndër kurme t’gjamshme zani i zemrave, dridhet purtek,
Shtati i ligun lëngimit, zjermet, kërdis e teptis,
Zemra e thyeme, ndër mote e morte,
Copat mbledh e n’coha mjegullash i mbështjell.
Ulërijnë me kujë rrufetë si lukuni ujqish,
Qi zdrypin potershëm kah majmalet ulin kryet.
Te kjo dhembje qi m’shkyen me gulçim krahnorin,
Kjo varrë qi ashtin ligësht ma bren,
Kenka e kahmotshme e gjamtare, farë e tokës s’përzhitun.
Jam plaga e angësht trazimtare qi zgjohet tash.
Qe besa juaj, e t’tan burrave thirrun, n’nji zani zjarrmue.
Kjesh vikamë te ky qiell i thyem n’syt e përlotun,
Fjala amanetçare e këputun në dritën e qirinit,
Buza e mekun e nanës gjishterrun, oh!
Shkuen jetët e u ban theror, asaj dite mesjanari t’99-tës,
M’sosi fjala, n’frymt qi kputi vdekja, n’Grop t’Bebushit,
Njatje ku thonjt zgjati vdekja, e mi nguli n’mish,
Etje pat ai biri i shkinës për gjakun tem.
Erdh varrue viti, na i gjet arat brymun, gjakun kallun,
Shkrumun, ai mot iku me vërtik tue fsha,
N’kamb brofi t’gjall e t’dekun kjo dënesje,
U turrën si përrenjt ngarkue me tërsëllimë, urrejtjet,
Krisi guri i pragut e n’kullë bujti zani kulmshëm.
Bzani me frymë t’kputun Reçaku, rrept briti,
U meruan ç’ka përlanë me sy e kallzuen me idhnim,
Duel prej gurit heshtja e ju zatet kushtrimshëm epjes,
U ba qefin bora e atij janari t’cegëmt,
Mbi vdekje iku nata shalue n’gjog t’bardh resh,
Dita zbardhi gjamshëm, e ju dha angësht dekikut.
Sa e thellë kje terratia e asaj nadje,
Matun me pëllëmbë plagësh e lutje ky trull.
Gurin plasi dhimbja e atij zani t’gjamshëm,
S’ju friget vdekjes zogjtë e shqipes qi shkuet fluturim,
Përjetësia ju driti n’kungim kremtimi.
Zemra juej na udhëprini kah zjarmshëm rrkajt e gjakut kallën,
Ngjeshun shtatit xhamadanin shpuem me plumba,
Gjoksin u’a banën shosh e kullat, s’u shembët,
Shndrini plisi i bardh zhigun me bloz t’barutit,
N’borën e bardhë bilur, e lame dritën qi ndezi shpirtja juej,
N’pikë t’lotit bre, u pamë e u falëm për kyt t’lumenemin cak!
N’teh t’rrufesë zani theri e ju gjegj,
Kanga ju dha buzve t’eshkuna shkrumb.
Nji çerek shekulli iku, turrshëm sa nji dekik,
Ju mbetët kuj ngulun n’qehre t’mrrylët e diham,
Fli i’a lat kësaj lirie jetët tuaja, e plagën teme,
Prej se filluet me dritt n’hyjnim amshimi.
Derikur me xanun vend n’kreni e n’përmendore.
Jam sod te kjo rrasë gurit e djersun hukamësh,
Tekkëtu ku jetët janë emna e amanete,
E gjithmonshmënia asht ç’ka mëkoi ajo shpirtje therori,
Andje mbeti n’ju fryma qi shkimi shpërthimshëm,
Njatij moti t’25-së viteve t’ikun me vërtik,
Njatij zori qi n’gjunj m’hodhi e n’kamb m’prushi.
Ardhur kam s’largu te kjo beden kujtese,
Murue më asht shpirtja si nji Rozafë n’legjendë.
Te çdonjeni qi erdhi krushk n’dasmen teme, jam za e zjerm,
Jam sod njiktu me fjalën e zemrën ngadhënjye,
Se deshta me kuvendu, pa fsha dhimbjet,
Me tanju, me u fal ndershëm t’45-të njipërnji,
Me ken rranjë te harlisja e njiksaj ndërmendjeje,
I përulun n’naltsimit tuej, t’dlirun dritjes ku shoh kjart.
Kjoshi n’përjetësi ç’ka peng i’a lat t’gjallët kësaj toke,
Si tash, n’gjithmonshmëri, mall dhe dhimbje,
Unë jam fjala e pikëllimtë e zemra e thyeme,
Lulja qi bjen pranverën n’ditën tuej t’dimërt,
Plis i ngopun me gjakun tem e palcën e gurëve,
Poezia qi knohet lumnueshëm sod për ju!