Nga Eichmann te al-Arouri, luftërat “e fshehta” të Mosadit

Ndërkohë që përgjigja izraelite ndaj masakrës së 7 tetorit vazhdon me një luftë të hapur në Gaza, Izraeli ka nisur një tjetër nga “luftërat e fshehta” të tij


“Ata që morën pjesë në masakrën e 7 tetorit firmosën çertifikatën e tyre të vdekjes”. Fjalët e shqiptuara dje nga David Barnea, kreu i Mossad-it, nuk i referohen drejtpërdrejt vrasjes së numrit 2 të Hamasit, i goditur nga një dron të martën në Bejrut, në një sulm që nuk është marrë përsipër nga Izraeli, por që ka të gjitha elementet për të patur firmën e tij; as për bombat që njëzet e katër orë më vonë shkaktuan vdekjen e mbi 100 personave në Teheran, gjatë përkujtimit të vrasjes së gjeneral Soleimanit, kreut të Gardës Revolucionare iraniane dhe koordinatorit të ndihmës ushtarake për Hezbollahun libanez dhe palestinezët e Hamasit. Një veprim që nuk ndjek modalitetet e ekzekutimeve të shënjestruara, të kryera nga Izraeli, dhe i cili të përbënte një pikë kthese të paprecedentë, nëse do të vinte nga Jeruzalemi. Por ndërhyrja e kreut të shërbimit të famshëm sekret të shtetit hebre është gjithësesi konfirmimi i parë zyrtar se Izraeli ka hapur sezonin e “gjuetisë” në të gjithë Lindjen e Mesme, dhe nëse është e nevojshme edhe tjetërkund, ndaj autorëve të masakrës më të rëndë të hebrenjve që nga Holokausti.

Ndërkohë që përgjigja izraelite ndaj masakrës së 7 tetorit vazhdon me një luftë të hapur në Gaza, Izraeli ka nisur një tjetër nga “luftërat e fshehta” të tij. Në të kaluarën kanë qenë kryesisht tre. E para ishte fushata kundër ish-nazistëve, përgjegjës për Holokaustin, episodi më i famshëm i të cilës ishte kapja në vitin 1960 e Adolf Eichmannit në Argjentinë, dhe transferimi i tij klandestin në Jerusalem, ku u gjykua, u dënua me vdekje dhe u var: i vetmi dënimi me vdekje i kryer në historinë 75-vjeçare të shtetit hebre.

E dyta u urdhërua në 1972 për të vënë në shënjestër autorët dhe nxitësit e masakrës së sportistëve izraelitë në Lojërat Olimpike të Mynihut: një hakmarrje që zgjati dy dekada, me dhjetëra palestinezë të vrarë nga Mesdheu në Evropë, siç tregohet në filmin “Mynih”, me regjisor Steven Spielberg.

E treta e ka vënë në shënjestër Hamasin dhe mbrojtësit e tij iranianë, që kur lëvizja fondamentaliste islamike palestineze, e konsideruar një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, filloi një fushatë intensive sulmesh në mesin e viteve 1990.

Ndër objektivat e zgjedhur që atëherë kanë qenë Sheikh Ahmed Yassin, udhëheqës shpirtëror i Hamasit, i vrarë në Gaza nga një raketë në vitin 2004, dhe Khaled Meshal, në atë kohë kreu i krahut politik të Hamasit, i cili i mbijetoi një tentative helmimi në vitin 1997 në Aman. Për të dhënë një shembull tjetër, asnjë nga anëtarët e Hamasit të përfshirë në rrëmbimin e ushtarit izraelit Gilad Shalit në vitin 2005, i shkëmbyer me 1027 të burgosur palestinezë pas pesë vitesh robëri në Gaza, nuk është gjallë sot. I njëjti fat mund të presë edhe militantët që vranë 1200 izraelitë më 7 tetor dhe morën peng 240.

Luftërat sekrete të Izraelit nuk janë një “sy për sy” i thjeshtë biblik: ato kanë një funksion parandalues. “E gjithë vlera e punës sime”, tha “gjuetari nazist” Simon Wiesenthal, “qëndron në paralajmërimin për vrasësit e së nesërmes: nuk do të keni kurrë paqe”, diçka kjo që jehon në fjalët e sotme të kreut të Mossadit.

Mund të debatohet nëse është më e dobishme për sigurinë izraelite të “bëjë paqe me armiqtë”, siç tha kryeministri izraelit Yitzhak Rabin kur shtrëngoi dorën me Yasser Arafatin në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1993, një paqe që Izraeli filloi të bënte me fqinjët e vet arabë: Agresioni i Hamasit më 7 tetor kishte për qëllim pikërisht pengimin e saj, dhe të përpjekjeve për ta shtrirë paqen tek sauditët dhe palestinezët më të moderuar, të udhëhequr nga Abu Mazen në Bregun Perëndimor. Por në Lindjen e Mesme, siç thotë Ehud Barak, një tjetër kryeministër izraelit i angazhuar për të bërë paqe, Izraeli përfaqëson “një vilë në xhungël”, domethënë një ishull demokracie në mes të regjimeve dhe lëvizjeve autoritare, joliberale ose terroriste: një koncept që nuk e kuptojnë gjithmonë, ata në Perëndim, që kanë fatin të jetojnë në një vilë të rrethuar nga vila të tjera. Prandaj, nëse nga njëra anë tregohet i hapur për dialog, nga ana tjetër Izraeli paralajmëron: ata që masakrojnë hebrenjtë firmosin çertifikatën e tyre të vdekjes. / enrico franceschini – la repubblica (bota.al)

Lexo më shumë nga

Borxhi publik në 2025 parashikohet të zbresë nën 56% të PBB

Për vitin 2025, buxheti do të zbatohet në përputhje të plotë me objektivat kryesore të politikës fiskale, duke synuar të…

Global 360

Armenia njeh pasaportat e Kosovës

Armenia nga sot njeh zyrtarisht të gjitha pasaportat e Kosovës, duke përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.

Diplovista

Hetimet e SPAK-ut, Rama: I qetë e i vendosur që të vijojë beteja ndaj pandëshkueshmërisë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryeministri bën një bilanc të zhvillimeve kryesore të vendit, që nga përparimi në…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Borxhi publik në 2025 parashikohet të zbresë nën 56% të PBB

Për vitin 2025, buxheti do të zbatohet në përputhje të plotë me objektivat kryesore të politikës fiskale, duke synuar të…