Simbole dhe toga të reja për Gjykatën Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka prezantuar simbolet e saj të reja.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka prezantuar simbolet e saj të reja.
Përmes një njoftimi zyrtar, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se ka miratuar stemën dhe togën e re të gjyqtarëve kushtetues. Njoftimi, i cili bazohet në dispozitat kushtetuese dhe ligjin për simbolet kombëtare, përcakton detajet e simboleve të përdorura. Stema e re përfshin një shqiponjë dykrenare me ngjyrë të artë dhe të kuqe, me përkrenaren e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut mbi kokat e saj.
“Në zemër të shqiponjës vendoset një medalje rrumbullake rreth e qark së cilës është shkruar Republika e Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese dhe nën të modelohen gjethe të dushkut me ngjyrë jeshile, të cilat simbolizojnë fuqi, drejtësi dhe ndershmëri, në qendër të së cilës ngrihet mbi një sfond blu peshorja e drejtësisë. Në pjesën mbështetëse të peshores i gdhendur viti 1992”, njofton Gjykata Kushtetuese.
“Gjithashtu, e konceptuar nën të njëjtën frymë është edhe toga e re e trupës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, e cila përmban elementet e Flamurit Kombëtar dhe njëkohësisht reflekton funksionin e lartë kushtetues, institucional, intelektual dhe shoqëror të gjyqtarëve kushtetues”, vijon njoftimi.
Gjykata Kushtetuese mbyll njoftimin duke shprehur përkushtimin ndaj simboleve të reja dhe thekson rëndësinë e pavarësisë së saj në kuadër të sistemit juridik dhe kushtetues të Shqipërisë.
(ATSH)