Ambasadorja e Kinës, Pang Chunxue, dorëzon letrat kredenciale
Ambasadorja Pang i përcolli presidentit Begaj përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të mira të presidentit kinez Xi Jinping
Të martën, ambasadorja e Kinës në Shqipëri Pang Chunxue i dorëzoi presidentit shqiptar Bajram Begaj letrat kredenciale.
Ambasadorja Pang i përcolli presidentit Begaj përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të mira të presidentit kinez Xi Jinping dhe tha se, gjatë 75 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë, të dy vendet kanë zbatuar parimet e respektit të ndërsjellë, trajtimit të barabartë e përfitimeve të përbashkëta dhe kanë nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Për të ardhmen, pala kineze dëshiron të bëjë përpjekje së bashku me palën shqiptare për të shtuar njohjen e ndërsjellë, për të thelluar bashkëpunimin me leverdi reciproke e për të shtuar shkëmbimet kulturore, duke siguruar zhvillimin e mëtejshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-shqiptare.
Presidenti Begaj, nga ana e tij, i kërkoi ambasadores Pang që t’i përcjellë përshëndetjet e tij të përzemërta dhe urimet më të mira presidentit Xi Jinping. Ai i shprehu ambasadores Pang mirëseardhjen në Shqipëri dhe e uroi për marrjen e detyrës së saj të re. Z. Begaj u shpreh se Shqipëria e Kina kanë një miqësi të thellë tradicionale dhe marrëdhëniet dypalëshe ruajnë prirjen e mirë të zhvillimit. Pala shqiptare është e gatshme që, bashkë me palën kineze, ta përdorë 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve për të nxitur bashkëpunimin konkret në fusha si ekonomia e tregtia që të arrijë më shumë rezultate dhe të sjellë më shumë përfitime për të dy vendet e popujt e tyre. (Çang Çuo / CRI Online)