Manja takon ambasadorin maroken, në fokus ekstradimet dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e drejtësisë
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u takua me Youssef Balla, Ambasador i Mbretërisë së Marokut në Itali, jo rezident për Shqipërinë.
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, u takua këtë të enjte me Youssef Balla, Ambasador i Mbretërisë së Marokut në Itali, jo rezident për Shqipërinë.
Përmes rrjeteve sociale, Ministri Manja ka dhënë detaje mbi takimin, që në fokus të tij kishte forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e drejtësisë, por edhe fusha të tjera.
“Marrëdhëniet tona me Mbretërinë e Marokut në fushën e drejtësisë nuk kanë asnjë pengesë ligjore dhe kjo u dëshmua me ekstradimin nga Maroku të një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për një krim të rëndë të kryer në Shqipëri, duke u bazuar te konventa e ekstradimit, pa pasur një marrëveshje dypalëshe ekstradimi!”, shkruan Manja.
“Pranova me kënaqësi ftesën e homologut tim maroken për një vizitë në Marok për të thelluar dhe konkretizuar më tej bashkëpunimin në fushën e drejtësisë me marrëveshje dypalëshe në fusha të tjera”, përfundon reagimin e tij Manja.