“Folklori Kristian”
Një enciklopedi për onomastikën e krishterë. Folklori tregon thesarin e traditave të një populli.
Nga Andrea Llukani
Folklori tregon thesarin e traditave të një populli. Termi folklor e ka origjinën nga anglishtja: folk do të thotë popull dhe lore ka kuptimin urtësi, dituri. Kjo fjalë u përdor për herë të parë prej arkeologut anglez Toms më 1846.
Babai i folkloristikës shqiptare është Frang Bardhi, i cili ka mbledhur 113 fjalë të urta në shqip. Thimi Mitko ka botuar “Bleta Shqiptare” dhe Spiro Dine më 1908 ka botuar “Valët e detit”. Më 1911 në Sarajevë, u botua vëllimi me këngë folklorike i Vinçenc Prenushit me titull “Kangë Popullore Gegnishte”, ndërsa më 1937 u botuan 15 volumet me “Visaret e Kombit”, ku shquhen folkloristët atë Donat Kurti dhe atë Bernardin Palaj.
Botim me interes në lëmin e folkloristikës është edhe libri “Këngë e britma nga qyteti i djegur” i Mitrush Kutelit, që u botua më 1943 etj. Prej arbëreshëve të Italisë shquen Gavril Dara Plaku me librin “Këngë pleqërishte”, Gavril Dara i Riu me “Kënga e sprapsme e Balës”, Dhimitër Kamarda me shtojcën “Sprovë gramatologjie krahasuese e gjuhës shqipe” dhe Jeronim de Rada me “Rapsodi e një poeme shqiptare”, botuar më 1899 dhe që konsiderohet si vepra e parë e mirëfilltë e mbledhjes së këngëve të folklorit shqiptar.
Në kreun e parë të librit do të njiheni me këngë, të cilat kanë motive Biblike. Prej tyre më të përhapurat janë kolendrat dhe llazoret, të cilat këndohen nga grupe fëmijësh, duke shkuar shtëpi më shtëpi. Në kreun e dytë krahasoj motivet e baladave shqiptare me pjesë të Biblës, ndërsa në kreun e tretë kam paraqitur disa këngë të vjetra popullore.
Kreu i katërt përmban fjalë të urta me tematikë fetare dhe 100 shprehje nga gjuha dogançe. Kreu i pestë i përket onomastikës së krishtere, ku do të njiheni me etimologjimë e emrave, toponiminë e krishterë etj. Në kreun e gjashtë do të njiheni me këngë dhe histori të ndryshme me motive të krishtera, të cilat i kam mbledhur kohët e fundit.
Punën për grumbullimin e këtyre këngëve e kam filluar që herët. Në kohën që studioja në Universitetin Kombëtar “Kapodistria” të Athinës një miku im arvanitas më ka thënë një këngë pashke, të cilën e kishte dëgjuar nga gjyshja e tij. Prej Koço Fështit, i cili në vitet e diktaturës bënte pjesë në grupet e të krishterëve të fshehtë kam grumbulluar këngën e kolendrave të Peshtanit.
Nga gjyshi im Koço Llukani (Mësues i Merituar) kam dëgjuar këngën e Çaush Priftit të Hormovës. Prej mikut tim dr. Dion Tushit kam mbledhur këngën “Mbytja e Dhespotit”, ndërsa besimtari i devodshëm Kostandin Bozaxhiu më ka rrëfyer këngën e kolendarëve beratas. Kolegu i punës Jani Steri më solli këngën “Kostandini dhe Dhoqina”, ndërsa Ing. Hill Mëhilli më dha shumë fjalë të urta me temaikë të krishterë.
Për onomastikën e krishterë jam konsultuar me prof. em. dr. Pavli Haxhillazin, ndërsa Nos Xhuvani më solli Shërbesën e Shenjtë të Shën Joan Vladimirit. Dituraku Moikom Zeqo më këshilloi të shfletoja librat e Thimi Mitkos, ndërsa bashkëfshatari Kristo Kume më siguroi koleksionin e revistës “Jeta kristiane”.
Koleksionisti Shpëtim Sala më siguroi disa libra të vjetër me këngë popullore legjendare. Për këtë libër kam punuar shumë duke pyetur njerëz të ndryshëm, të të gjitha moshave dhe profesioneve. Nuk pretendoj që kam grumbulluar gjithë folklorin kristian, por marr guximin të them se kam bërë diçka. Këtë kurajo ma jep puna selektuese dhe grumbulluese e këngëve të krishtera, të cilat i kanë kultivuar të parët tanë. Mendoj se ky libër do t’u shërbejë lexuesve për të njohur më mirë traditat e krishtera, të cilat janë përcjellë brez pas brezi.