Hasani: Shqipëria aleate e përjetshme e Kosovës, NATO garancia më e madhe për integritetin e saj
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani: Garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës është NATO.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës është NATO.
I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen Donika Gërvalla, nëse qëllimi kryesor i vizitës në Prishtinë është siguria e Kosovës, ministri Hasani tha se, “Kosova ka një aleat të përjetshëm, të padiskuteshëm që është Shqipëria. Në çdo rast e në çdo moment, në të mirë e në të keqe, Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës dhe pranë shqiptarëve të Kosovës”.
“Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon. I ndjekim me vëmendje zhvillimet në kufijtë e Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojmë në shekullin e 21-të. Nuk i çohet ushtri fqinjit më tek kufiri. Po askush nuk duhet ta vazhdojë më këtë lojën që është qesharake, se të gjithë jemi të qartë që garancia më e madhe për integritetin e dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani.