Hasani: Kosova, pranim pa asnjë kusht të propozimeve të BE-së
Ministri i Jashtëm: 2024-a është një vit i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, “ajo që ka ndodhur më 26 tetor, pranimi pa asnjë kusht i propozimeve të BE-së nga kryeministri Kurti, janë mënyra e vetme sesi ne e shohim angazhimin e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar”.
I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me homologen Donika Gërvalla, nëse është koha që BE të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës ministri Hasani tha se, “vizita ime nuk është vetëm për masat shtrënguese. Vizita ime në Kosovë është për të dakordësuar për veprimet që ne do të kryejmë në mënyrë të përbashkët midis Tiranës dhe Prishtinës në vitin aktual”.
“2024-a është një vit i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë dhe Kosovën, por është një vit i rëndësishëm për të gjithë faktorin ndërkombëtar. Ka zgjedhje në BE, ka zgjedhje në SHBA dhe këto janë momentet të cilat ne nuk duhet t’i humbasim”, u shpreh Hasani.
“Kosova po kryen detyrat e saj. Është një fakt i pamohueshëm që liberalizimi i vizave që ka nisur nga janari 2024-ës do t’i japë një impakt të ri këtij vendi, do t’i japë një impakt të ri zhvillimit dhe përparimit, jo vetëm ekonomik dhe social të Kosovës”, tha ai.
Hasani ritheksoi se, “ajo që ka ndodhur më 26 tetor, pranimi pa asnjë kusht i propozimeve të BE-së nga kryeministri Kurti, janë mënyra e vetme sesi ne e shohim angazhimin e Kosovës në raport me faktorin ndërkombëtar”.