Integrimi i rajonit, O’Brien: Nuk ka të drejtë për veto për shkak të çështjeve dypalëshe të pazgjidhura
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien mori pjesë sot në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE” në Shkup
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien mori pjesë sot në konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE” në Shkup.
Ai u shpreh se SHBA i mbështet aspiratat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE.
Ai u shpreh se, asnjë vend nuk mund ta bllokojë një vend tjetër në këtë proces, ose do të përballet me pasoja.
“Në këtë proces askush nuk do të bllokojë dikë tjetër. Nuk ka të drejtë për veto. Askush nuk do ta pengojë procesin për avancim, për shkak se nuk ka çështje dypalëshe të pazgjidhura. Kush e bën këtë do të ballafaqohet me pasoja. Nëse ndonjë shtet dëshiron të presë, të vëzhgojë, atëherë qytetarët e atij shteti do të vendosin nëse këta liderë politikë janë të duhurit”, tha O’Brien.
“Ky plan i rritjes dallon nga ofertat e tjera. Çdo shtet duhet ta bëjë punën praktike kurse qytetarët do t’i ndjejnë leverditë”, tha O’Brien, i cili foli më pas për lirinë e tregut të përbashkët.
Ai theksoi se ky treg, “u lejon njerëzve, mallrave dhe shërbimeve që të lëvizin lirshëm dhe kjo po ndodh. Ndodh në dhe jashtë shoqërive, prandaj e kemi këtë qasje”.
Ai u shpreh se, “SHBA e mbështet idenë. Ne e kemi shpenzuar rreth 200 milionë dollarë ndihmë për këtë rajon dhe do të mbetemi të përkushtuar për këtë. Tani jemi të fokusuar në atë që vendin ta përfshijmë në tregun e vetëm.
“Çfarë do të vendosim sot të bëjmë në suazat praktike? Fillimisht do të identifikojmë nismat specifike që do të jenë të dukshme për bizneset dhe qytetarët në rajon. Zona e vetme evropiane për pagesë, kur të vendoset, kjo do të thotë se çdo individ kursen rreth 5% çdo herë kur transferon para në dhe jashtë rajonit. Dhe ky është përmirësim i dukshëm që njerëzit do ta ndjejnë”, u shpreh më tej ai.
Sa i përket korridoreve të gjelbër, O’Brien tha se, “kur për herë të parë e shqyrtuam këtë çështje para disa viteve, studimet kanë treguar se kamionët kanë kaluar mbi 80% të kohës së tyre duke pritur nëpër kufij në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se është e pamundur të bëhet biznes që do të varet nga transporti ndërkufitar, për shkak të pritjeve të gjata”.
“Lidhur me këtë çështje kishte shumë avancim. Ekipi i këshillit po bën punë shumë të madhe dhe po tentojmë të arrijmë edhe më shumë. Tani të shohim si ta ndërtojmë këtë. Kjo do të mundësojë që çdo shtet dhe qytetarët e tij të punojnë përtej kufijve dhe bizneset që do të punojnë në rajon dhe në Evropë. Kostot do të ulen dyfish. Kompanitë e BE-së do të bëjnë out-sourcing jashtë rajonit dhe kjo është leverdi shumë e madhe”, theksi ai.
“Kemi filluar diskutimet për ide të tjera, siç është prodhimi i energjisë elektrike. Do të vazhdojmë me bisedimet. Për disa muaj do të kemi nisma praktike”, nënvizoi O’Brien.
“Gjëja e dytë praktike që do të bëjmë sot, është të zhvillojmë mekanizmin për zbatim”, u shpreh O’Brien, i cili shtoi se, “duhet të shohim avancim real”.
“Ajo që me të vërtete ju inkurajova në këtë diskutim është se secili lider e sheh rëndësinë për të avancuar në këtë drejtim, prandaj mendoj se ky ishte takim me shpresë të madhe dhe premtim për punë të mëtejshme. Do të shohim sesi avancojmë në këtë pjesë më tej. Shpresojmë që do të arrijmë ndryshim dhe do t’i ofrojmë mundësi qytetarëve në rajon”, përfundoi ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.