Gonxhja videokonferencë me përfaqësues të Formula 1: Standarde maksimale në automotoparkun e Elbasanit
Ministri i EKI zhvilloi një videokonferencë me përfaqësues të Formula 1 Group, DPSHTRR, kompanisë TTI-Wurz Design, dhe administruesve të Yas Marina Circuit (UAE).
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se qeveria do të kërkojë ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë për ngritjen e kapaciteteve menaxhuese për automotoparkun që po ndërtohet në Elbasan, ndërsa informoi se projekt-dizajni është në fazën përmbyllëse.
Gonxhja zhvilloi një videokonferencë me përfaqësues të Formula 1 Group, DPSHTRR, kompanisë TTI-Wurz Design, dhe administruesve të Yas Marina Circuit (UAE).
“Zhvilluam një bisedim të hollësishëm rreth projektit të shumëpritur të Auto Moto Park (AMP), Elbasan, me fokus të veçantë plotësimin e standardeve maksimale të Gradës A për pistën dhe strukturat mbështetëse, infrastrukturën dhe kushtet më optimale për organizimin e aktiviteteve të nivelit më të lartë për vendin dhe tërë rajonin”, tha ministri.
Pas takimit me Presidentin e FIA në Tiranë, Mohammed Ben Sulayem, Gonxhja u shpreh se me të gjithë bashkëpunëtorët e tjerë u theksua rëndësia e projektit për FIA dhe entuziazmi që po gjeneron ky investim në nivel komuniteti ndërkombëtar.
“I njohëm palët e interesuara me potencialet e AMP, me ecurinë e bashkërendimit ndërinstitucional, me mekanizmat dhe mundësitë për përfshirje në rol promotori siç edhe dëgjuam e pritëm sugjerime të dobishme për fazën përmbyllëse të detajimit të projekt-dizajnit. Synim i yni primar është edhe ndihma në ngritjen e kapacitetit administrues, procesi rregullator mbi komplekse të tilla multidimensionale e multifunksionale aktivitetesh automotive, motosporti si edhe fizibiliteti për një ndërmarrje e investim strategjik publik”, vijoi ministri.
Projeksioni ynë për realizimin e ambicieve tona brenda vitit 2027, theksoi ai, kërkon sinergji e angazhim të fortë, grupe pune paralele, koordinim e dedikim të jashtëzakonshëm, me besimin se kjo vepër do të sjellë në Shqipëri gara e evenimente elitë të motorsportit ndërkombëtar, vitalizim ekonomik, risi në programet edukuese mbi sigurinë rrugore, turizëm automotiv, socializim e eksperienca unike mes Muzeut RETRO Albania, zhvillim të talenteve të motorsportit, prestigj e krenari.