Hasani vizitë në Itali, finalizohet marrëveshja për njohjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore
Vizita e ministrit Hasani në Itali shënon një angazhim të thelluar për zgjerimin e bashkëpunimit me Italinë në fusha me interes reciprok
Shqipëria dhe Italia finalizojnë të martën marrëveshjen për njohjen reciproke të kontributit për sigurimet shoqërore.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Itali, gjatë së cilës do të firmosë marrëveshjen me homologun Tajani.
Marrëveshja vjen si një detyrim dhe e drejtë ndaj qytetarëve shqiptarë, italianë dhe italo-shqiptarë, të cilët kanë punuar me përkushtim për 30 vjet dhe kanë kontribuar në ekonominë dhe përparimin social të të dy vendeve tona.
Axhenda zyrtare e ministrit Hasani në Itali nis me një takim nesër në orën 11:00, me Presidentin e Komisionit për Politikat e Bashkimit Evropian, Giulio Terzi di Sant’Agata.
Në orën 16:30 do të zhvillohet takimi i ministrave të Jashtëm të grupit “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe MPJ-ve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë të zv.Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.
Ndërsa në 6 shkurt, në orën 10:00 Hasani do të takojë homologun italian, Antonio Tajani me të cilin do të firmosë marrëveshjen për sigurimet shoqërore. Në orën 11.00 dy ministrat do të japin një deklaratë për media.
Ndërsa në orën 14:30 do të zhvillohet takimi me Presidentin e Komisionit të Çështjeve Evropiane, Alessandro Giglio Vigna.
Vizita e ministrit Hasani në Itali shënon një angazhim të thelluar për zgjerimin e bashkëpunimit me Italinë në fusha me interes reciprok, në përputhje me Deklaratën e Partneritetit Strategjik.
Synimi është rikonfirmimi i mbështetjes së Italisë, si në nivel dypalësh tashmë me një gamë të gjerë bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, ashtu edhe në atë shumëpalësh, sidomos në integrimin evropian, duke rikonfirmuar mbështetjen e Italisë për një proces të përshpejtuar integrues deri në vitin 2030, siç ka deklaruar zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Tajani.