Shanset e teknologjisë në një vend të vogël
Sektori i IT në Shqipëri, si tendencë globale, pritet të ketë ecurinë më të mirë në vitet e ardhshme
Si bizneset e Teknologjisë së Informacionit po përgjigjen dhe po ndërtojnë strategjitë e tyre, për të përballuar sfidat dhe për të përfituar nga mundësitë që shfaqen
Teknologjia e Informacionit është një fushë që po evoluon vazhdimisht dhe po zhvillohet, duke sjellë ndryshime dhe zhvillime të reja dhe duke ndikuar në mënyra të ndryshme në jetën tonë.
Sektori i IT në Shqipëri, si tendencë globale, pritet të ketë ecurinë më të mirë në vitet e ardhshme. Ndikimi për këtë ka ardhur nga dixhitalizimi në masë të gjerë, si dhe ndryshimet e strukturës së punësimit, si nomadët dixhitalë, smart working, rritja e sigurisë kibernetike etj.
Në kohën kur teknologjia ka një ndikim të thellë në çdo sferë të jetës, ecuria e sektorit të Teknologjisë së Informacionit (TI) në Shqipëri ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një rrugëtimi të mbushur me sfida dhe mundësi të jashtëzakonshme.
Këtë sektor e karakterizon dinamika e shpejtë, inovacioni i vazhdueshëm dhe aftësia për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve të shpejta teknologjike.
Ndryshe nga disa vite më parë, kur kjo fushë ishte e pazhvilluar, sot Shqipëria shihet gjithnjë e më shumë si një destinacion i favorshëm për investimet në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Megjithatë, hapat janë ende të vogla.
Ecuria e sektorit të TI ka sjellë ndryshime të thella në mënyrën se si bizneset operojnë, si institucionet komunikojnë dhe si qytetarët përdorin teknologjinë në jetën e tyre të përditshme.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale, zhvillimi i aplikacioneve inovative dhe përdorimi i teknologjive të tjera të fundit kanë sjellë transformim të dukshëm në mënyrën se si shoqëria shqiptare funksionon.
Megjithatë, rritja e sektorit të IT vjen me sfida të veta. Përparimi i shpejtë teknologjik kërkon një forcë pune të specializuar dhe një sistemin arsimor të përshtatur me këto kërkesa.
Flet Shkëlqim Kërluku, co-CEO i kompanisë “Advance Business Solutions”
Investimet në trajnimin e punonjësve dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar janë hapat që kemi ndërmarrë për të operuar në treg dhe për t’iu përgjigjur nevojave të reja të tregut.
Bashkadministratori i kompanisë “Advance Business Solutions”, thotë për “Monitor” se, ndër sfidat kryesore është dinamika pazakontë e zhvillimeve teknologjike, e cila kërkon përgatitje të vazhdueshme për të përshtatur produktet dhe shërbimet.
Si do ta vlerësonit ecurinë e kompanisë suaj këtë vit?
Përfundimi i një viti është një pikë kritike për të vlerësuar performancën e kompanisë. Me një përvojë prej 22 vitesh në fushën e teknologjisë informative, ABS ka përballuar sfida dhe shfrytëzuar mundësitë e vitit të kaluar. Në vazhdim, do të evidentoj disa faktorë që janë konsideruar në vlerësimin vjetor.
Përpjekjet e vazhdueshme për të promovuar inovacionet dhe shërbimet e personalizuara për klientët janë një pjesë thelbësore e strategjisë sonë. Këtë vit, kemi vazhduar të investojmë në zhvillimin e teknologjisë dhe krijimin e përvojave unike për klientët tanë.
Identifikimi i sfidave potenciale në tregun e ndryshuar ka sjellë zhvillimin e strategjive të përgjegjshme. Investimet në trajnimin e punonjësve dhe përdorimi i teknologjisë së avancuar janë hapat që kemi ndërmarrë për të mbështetur këtë objektiv.
Vlerësimet pozitive nga klientët në sektorin publik, privat dhe nga organizatat vendase dhe të huaja tregojnë ecurinë pozitive të kompanisë. Përqendrimi ynë te pritshmëritë e klientëve ka bërë që të rishikojmë dhe përmirësojmë shërbimet tona për të plotësuar nevojat e tyre.
Bashkëpunimet dhe marrëdhëniet e mira me partnerë vendas dhe ndërkombëtare kanë ndihmuar në zgjerimin tonë në tregun global dhe në pjesëmarrjen në projekte inovative. Për vitin 2024, synojmë një rritje të portofolit të shërbimeve dhe të ardhurave vjetore, duke treguar ndikimin tonë pozitiv në treg.
Cilat janë sfidat kryesore që keni hasur si kompani në sektorin e IT dhe si i keni trajtuar ato?
Industria e teknologjisë së informacionit është një fushë tejet sfiduese, që evoluon me ritme të shpejta, duke sjellë mundësi të mëdha, por edhe sfida, të cilat janë të ndryshme nga viti në vit.
Ndër sfidat më kryesore do të përmendja dinamikën e pazakontë të zhvillimeve teknologjike, e cila kërkon përgatitje të vazhdueshme për të përshtatur produktet dhe shërbimet.
Për të adresuar këtë sfidë, ABS ka investuar në një ekip të specializuar të inxhinierëve dhe ndjek një strategji të qëndrueshme të inovacionit.
Tjetër sfidë e rëndësishme mbetet siguria informatike dhe për këtë ABS ka siguruar bashkëpunime serioze me kompani lider në botë të sigurisë. Trajnime të vazhdueshme për punonjësit dhe ndërhyrjet e shpejta në rast të incidenteve janë gjithashtu pjesë e strategjisë për të siguruar integritetin dhe besueshmërinë e të dhënave të klientëve.
Rekrutimi dhe ruajtja e talenteve mbetet një sfidë tjetër e rëndësishme. Bashkëpunimi me institucionet arsimore, ofrimi i ambienteve tërheqëse të punës, programet motivuese, mundësitë për zhvillim profesional dhe kompensimet e duhura financiare janë disa nga masat që kompania ka ndërmarrë për të mbajtur talentin.
Përballje tjetër me të cilën ABS është hasur ndër vite është sfida në lidhje me ndërveprimin e sistemeve dhe standardizimin.
Për këtë, ABS ka kuptuar rëndësinë e përdorimit të standardeve të njohura dhe bashkëpunon me industri të fushave të ndryshme, për të krijuar standarde të përbashkëta, duke lehtësuar jo vetëm integrimin dhe duke rritur besueshmërinë në treg, por edhe për të mundësuar një shpërndarje gjeografike më të madhe të shërbimeve.
Përmbledhtazi, do të thosha se ABS ka trajtuar sfidat me një sjellje proaktive dhe ka kultivuar një qasje të përgatitur për ndryshime. Duke mësuar nga sfidat, kompania ka arritur të sigurojë një rrugë të qëndrueshme për rritje dhe inovacion.
Si e shihni rolin e teknologjisë informative në ndryshimin e mënyrës së punës dhe biznesit në përgjithësi?
Në një botë të dominuar nga inovacioni teknologjik, ndikimi i teknologjisë informative në ndryshimin e mënyrës së punës dhe biznesit është shumë i dukshëm. Për shembull, automatizimi dhe efikasiteti i punës ka lehtësuar detyrat rutinë të kompanive dhe ngarkesën e burimeve njerëzore për t’i angazhuar ato në detyra më komplekse dhe krijuese.
Një transformim tjetër i dukshëm është kryerja e punës nga mënyra tradicionale në zyra drejt punës në distancë. Platformat online gjithashtu kanë bërë të mundur ofrimin e shërbimeve kudo në botë, duke ndryshuar dinamikën e punës dhe kulturën e menaxhimit dhe gjithashtu kanë mundësuar një balancë të mirë mes jetës profesionale dhe asaj personale.
Ne e shikojmë dita-ditës sesi kompanitë përpiqen të përshtaten sa më shpejt ndaj kërkesave të ndryshme të tregut, për të ruajtur një lidhje sa më të fortë me klientelën e tyre vetëm për faktin se përdorimi i rrjeteve sociale dhe i platformave informuese është transformuar në një mjet të fuqishëm marketingu dhe biznesi.
Falë teknologjisë, dixhitalizimi i shërbimeve publike në Shqipëri në e-Albania apo fiskalizimi janë tregues të përmirësimit të shërbimeve dhe përbëjnë një ndryshim rrënjësor të mënyrës se si biznesi menaxhon burokracinë dhe financat e tij.
Në mënyrë të përmbledhur do të thosha se teknologjia e informacionit ka ndryshuar modelin e punës dhe biznesit, duke sjellë shpejtësi, dinamizëm dhe efikasitet në veprime.
Kjo nënkupton se kompanitë dhe individët duhet të tregojnë përgjegjshmëri të shtuar dhe pritshmëri të reja, duke ditur se transformimi është një proces i pandërprerë dhe roli i teknologjisë informative do të vazhdojë të ndikojë në mënyrën se si do të operojë biznesi në të ardhmen.
Cilat teknologji apo tendenca konsideroni se do të kenë ndikim më të madh në industrinë e IT në vitin e ardhshëm?
Nuk është e lehtë të japësh një listë të tillë, pasi zhvillimet janë të ndryshme dhe kërkesat apo pritshmëritë mund të ndryshojnë sipas karakteristikave të tregut, nevojave të klientëve dhe faktorëve të tjerë ekonomikë, socialë, strategjikë, etj.
Por, atë çfarë mund të themi me bindje të plotë është se siguria kibernetike, cloud computing dhe IoT do të vazhdojnë të mbeten tendencat më të përdorura.
Ajo çfarë paraqet një interes të veçantë për vitin 2024 dhe që me siguri edhe për shumë të vite të tjera, është shfrytëzimi i Inteligjencës Artificiale, e cila do të ndikojë në ofrimin e shërbimeve publike, tek individët, bizneset dhe shoqëria civile, të cilët kërkojnë një mënyrë të re qasjeje.
Këto tendenca përkojnë edhe me strategjinë ndërsektoriale sipas Agjendës Digjitale Shqipëri 2022–2026 që synon përdorimin e teknologjisë drejt proceseve inteligjente dhe zgjidhjeve të përparuara në platforma të sigurta.
Konsultimet tashmë kanë filluar dhe besojmë se edhe vendi ynë do të ketë një plan të zhvillimit të strategjisë së IA dhe politikave rregullatore për të mbështetur zbatimin e përgjegjshëm të saj dhe kontributin e kërkuar për kërkimin shkencor, zhvillimin dhe aplikimet që duhet të mundësohen për të mbështetur zbatimin e zgjidhjeve të IA në vend.
Si po përgatitet kompania për sfidat e sigurisë kibernetike?
Edhe në Shqipëri, siguria kibernetike po konsiderohet një çështje tepër e rëndësishme, sfidat e së cilës diktojnë një përgatitje të vazhdueshme për të përballuar kërcënimet e rritura në mjedisin dixhital dhe ne i japim të gjithë rëndësinë e duhur kësaj teme.
Pavarësisht se kuadri ligjor shqiptar në këtë fushë është në zhvillim e sipër, masat e ndërmarra nga ABS në parim nuk kanë ndonjë ndryshim esencial nga masat që ndiqen nga vende të tjera. Ato fokusohen në 5 shtylla kryesore që përfshijnë:
1. Kontrollet periodike për vlerësimin e riskut dhe kryerjen e analizave të sigurisë;
2. Rritjen e investimeve në sistemet e sigurisë;
3. Promovimin e trajnimeve dhe ndërgjegjësimit të sigurisë;
4. Mbrojtjen e të dhënave dhe privatësisë;
dhe 5. Shkëmbimin e vazhdueshëm të njohurive dhe informacioneve me ekspertë të huaj.
Duhet theksuar që një pengesë e konsiderueshme për rritjen e sigurisë kibernetike te bizneset private në Shqipëri janë kostot relativisht të shtrenjta të sigurimit të një mbrojtje kibernetike cilësore dhe gjithmonë të përditësuar.
Bizneset stepen disi nga këto kosto, dhe preferojnë të rrezikojnë, duke nënvlerësuar si rreziqet madhore ashtu edhe kostot e fshehura që sjell një mbrojtje e dobët kibernetike.
ABS ka demonstruar një angazhim të vazhdueshëm ndaj kësaj çështjeje dhe është në një pozitë të mirë për të përballuar sfidat e sigurisë kibernetike të ardhshme.
Kjo përgatitje e përbashkët i jep kompanisë avantazh në një mjedis të vështirë dhe ndihmon në ruajtjen e besueshmërisë dhe integritetit të saj ndaj klientëve dhe përdoruesve të tjerë.
Si mendoni se do të ndryshojë roli i IA në fushën tuaj të zhvillimit të softuerëve në të ardhmen?
Pikërisht, për shkak të potencialit që përfaqëson, përdorimi i Inteligjencës Artificiale po bëhet gjithnjë e më i pranishëm dhe po ndikon ndjeshëm në të ardhmen e zhvillimit të softuerëve.
Mendojmë se IA në industrinë e zhvillimit të softuerëve do të ketë minimalisht ndikimin që pati Excel në lehtësimin e “book-keeping” dhe fuqizimin e analizave financiare, apo Autocad për arkitektët dhe inxhinierët, pra do të lehtësojë punët voluminoze bazë dhe do të fuqizojë analizën dhe kreativitetin.
Tashmë po shikojmë dita-ditës procese të caktuara zhvillimi, të cilat mund të zëvendësohen gradualisht nëpërmjet përdorimit të IA. Për shembull, automatizimi i proceseve të përsëritura dhe të mundimshme në ndërtimin e një aplikacioni apo përdorimi i IA për identifikimin e gabimeve në kodin burim, shikohet si një mjet i rëndësishëm që lehtëson punën e zhvilluesit të aplikacioneve.
Me shumë interes po shikojmë edhe përdorimin e IA-së, për të ofruar shërbime të personalizuara për të plotësuar çdo nevojë të veçantë dhe unike të klientëve.
Në një plan afatgjatë, jemi të sigurt se këto sisteme të jashtëzakonshme do të transformojnë rrënjësisht mënyrën si ne përdorim dhe kuptojmë teknologjinë, si dhe do të na ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve më komplekse.
Përtej diskutimit se IA mund të rrezikojë punën e njeriut në shumë sektorë, IA nuk është një zëvendësues i njeriut, por përdorimi i saj kërkon që kandidatët të trajtohen për të kryer detyra të reja dhe të jenë të aftë për të punuar në role të ndryshme.
Kjo është arsyeja pse ata që dëshirojnë një punë të sigurt në të ardhmen duhet të marrin parasysh zhvillimin e njohurive dhe aftësive për të operuar me sistemet e Inteligjencës Artificiale.
Përdorimi i IA, falë avantazheve që ofron, nuk konsiderohet thjesht një trend i kohës nga ana jonë, por gjithnjë e më shumë po e vlerësojmë si një pjesë të rëndësishme të strategjisë sonë të biznesit, që të vazhdojmë të mbetemi një aktor i konsiderueshëm në zhvillimin e softuerëve.
Cilat janë planet dhe strategjitë e kompanisë për të përballuar zhvillimet e ardhshme në fushën e teknologjisë informative dhe IT?
Për të ruajtur një pozicion të qëndrueshëm dhe inovativ në treg, strategjia e duhur ka qenë dhe do të mbetet identifikimi i tendencave të tregut, parashikimi i tregut të ardhshëm lokal dhe trajnimi në avancë i stafit, për të qenë gjithmonë një hap përpara konkurrencës.
Jemi të vetëdijshëm se kjo strategji kërkon aplikimin e një modeli fleksibël dhe dinamik biznesi, që do të thotë planifikime financiare, investime të mëtejshme, përmirësim të vazhdueshëm të shërbimeve dhe produkteve.
Flet Gjergji Robo, CEO i “Smartwork”
ICT ishte një ndër sektorët me zhvillim më të shpejtë, i nxitur nga përshpejtimi i dixhitalizimit dhe automatizimit industrial, shprehet Gjergji Robo, ekspert i fushës. Sfidë për të do të jetë motivimi i punonjësve që të vijojnë të punojnë në Shqipëri e të mos emigrojnë…
Si ka qenë ecuria e sektorit në 2023? (ICT dhe smart working)
ICT vijon të jetë një ndër sektorët më në zhvillim, i nxitur nga nevojat e tregut për dixhitalizim dhe automatizim. Gjatë këtij viti, kemi punuar me projekte, në sajë të të cilëve kemi fituar përvojë dhe ekspertizë në industri të ndryshme.
Në këtë mënyrë, po krijojmë mundësi zhvillimi për profesionistë, të cilët janë në hapat e parë në tregun e punës. Smart working është pjesë e ADN-së sonë. Pavarësisht vendndodhjes, çdo takim apo detyrë realizohet me sukses.
Smart working është një ndër përfitimet më të vlerësuara nga të gjithë kolegët në kompani.
Cilat janë sfidat kryesore që keni hasur si kompani në sektorin e IT dhe si i keni trajtuar ato?
Në vendin tonë, vështirësia më e madhe është motivimi i kolegëve për të qëndruar dhe për të punuar në Shqipëri. Smartwork është një kompani, e cila ofron mundësinë e të punuarit me kompani të huaja në Europë dhe më tej.
Një ndër avantazhet tona është ofrimi i mundësisë së shkëmbimit të përvojës me homologë të huaj. Qëllimi është të sjellim në kompani dhe Shqipëri këtë kulturë pune dhe drejtimi.
A keni parë ndonjë ndryshim të veçantë në kërkesat e klientëve dhe përdoruesve në fushën e IT? Si po përgjigjet kompania juaj ndaj këtyre ndryshimeve?
Pas pandemisë, të gjithë institucionet investuan në dixhitalizim. Vitin e fundit, këto investime janë rritur, pasi të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë e teknologjisë në rritjen dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre.
Tashmë, jo vetëm në funksion të biznesit, por edhe të secilit ekip, për të siguruar mbarëvajtjen e komunikimit në kohë reale. Bazuar në nevojat dhe sistemet e klientëve, kemi krijuar infrastrukturën për trajnimin e specialistëve tanë, në mënyrë që të ofrojmë shërbim cilësor dhe të kualifikuar.
Si i shihni sfidat në 2024? Po mundësitë e sektorit?
Viti 2024 do të vijë me një vizion të ri për Smartwork. Gjatë këtyre muajve kemi punuar për të sjellë projekte të reja, për të plotësuar kërkesat e kolegëve dhe gjeneratës së re të punës, të cilët po përçojnë një frymë tjetër. Ndryshimet vijnë gjithmonë për mirë.
Tashmë, ne kemi mësuar t’i pranojmë dhe të përshtatemi shpejt me zhvillimet e reja.
***
Flet Albana Shkurta, Administratore e Lufthansa Industry Solution
Sfida edhe këtë vit ishte, nga njëra anë, zgjerimi i stafit me talentet më të mira në treg, dhe nga ana tjetër, motivimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i punonjësve aktualë.
Administratorja e kompanisë LIS shton se, nga kërkesat në treg vihet re një kërkesë në rritje sa u përket niveleve të suportit, kryesisht te pjesa e menaxhimit të incidenteve, si dhe Siguria Kibernetike…
Si do ta vlerësonit ecurinë e kompanisë suaj këtë vit?
Ecuria ka qenë pozitive në përputhje me parashikimet vjetore të planit të biznesit. Kemi pasur një rritje të numrit të punonjësve, ku aktualisht numërohen mbi 450 dhe kryesisht me profile senior, me më shumë se tre vite përvojë pune.
Në përgjithësi ka pasur një tendencë për të ofruar një gamë më të gjerë shërbimesh në fushën e IT-së, gjë që edhe për punonjësit tanë ka rezultuar si një mundësi e shtuar për zgjerimin dhe thellimin e njohurive të tyre.
Cilat janë sfidat kryesore që keni hasur si kompani në sektorin e IT dhe si i keni trajtuar ato?
Për sa u përket burimeve njerëzore, sfida jonë edhe këtë vit ishte nga njëra anë, zgjerimi i stafit me talentet më të mira në treg, dhe nga ana tjetër, motivimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm profesional i punonjësve aktualë.
Nga pikëpamja e projekteve/teknologjive të reja (si p.sh. Go Lag), apo profile (IA, Data, Cyber Security), kërkesa nga klientët tanë për këto kompetenca ka qenë në rritje, sidomos në pjesën e dytë të vitit. Trendi duket të jetë në rritje edhe për 2024.
Sfida qëndron te fakti, që këto kompetenca vazhdojnë të mbeten të pakta në treg, sidomos për profile me shumë përvojë. Gjithsesi, qasja jonë është krijimi i programeve të ndryshme të trajnimit për të mundësuar rritjen e këtyre kompetencave të brendshme në kompani. Kjo ndodh në bashkëpunim të ngushtë me kolegët tanë ekspertë në Gjermani.
Si e shihni rolin e teknologjisë informative në ndryshimin e mënyrës së punës dhe biznesit në përgjithësi?
Për sa i përket kompanisë sonë, të punuarit remote, dhe sipas metodologjisë “agile” mundëson ofrimin e shërbimeve IT në skuadra mikse që shkojnë përtej kufijve të Shqipërisë. Në përgjithësi, kjo mënyrë pune na lejon të ofrojmë fleksibilitet për punonjësit tanë, që vlerësohet shumë pozitivisht prej tyre.
A keni parë ndonjë ndryshim të veçantë në kërkesat e klientëve dhe përdoruesve në fushën e IT? Si po i përgjigjet kompania juaj këtyre ndryshimeve?
Në përgjithësi, tregjet dhe industritë drejt të cilave orientohen shërbimet IT të ofruara nga ne janë duke ecur me ritme të përshpejtuara drejt dixhitalizimit të proceseve e shërbimeve, pavarësisë ndaj data centers fizike e duke u transferuar në platforma “cloud”, përqendrimi i të dhënave që gjenerojnë të gjitha aplikacionet e kompanisë në të ashtuquajturat “data lakes” dhe integrimin e tyre duke mundësuar përpunimin në kohë reale të të dhënave dhe një vendimmarrje që mbështetet dhe varet gjithmonë e më shumë nga analiza e të dhënave dhe parashikimet e sjelljes konsumatore.
Nga pikëpamja e teknologjive, ka një kërkesë në rritje nga klientë në industri të ndryshme për më shumë profile në Cloud Development, gjuhë programimi sustainable (të qëndrueshme) si GoLang, përdorim të modeleve dhe IA gjenerative në zhvillim softuerik, zhvillimin e use cases të reja për industri të ndryshme; nivelet e suportit kryesisht te pjesa e menaxhimit të incidenteve, si dhe Siguria Kibernetike.
Qasja jonë ndaj ndryshimeve dhe inovacionit është të vepruarit si një “Smart Follower”
Cilat teknologji apo tendenca konsideroni se do të kenë ndikim më të madh në industrinë e IT në vitin e ardhshëm?
Me daljen në treg të ChatGPT nga OpenAI gjatë vitit 2023, kryefjala në çdo zyrë CIO ka qenë natyrisht eksperimentimi me teknologjitë më të fundit të modeleve të Generative AI dhe procesimit të gjuhës së imazheve nga Inteligjenca Artificiale.
Këtu fokusi kryesor është rritja e produktivitetit nëpërmjet adoptimit të këtyre teknologjive nga punonjësit, e shoqëruar kjo me një kujdes të shtuar për sa i përket mbrojtjes së të dhënave dhe dilemave etike që mund të sjellë përdorimi i IA në jetën e përditshme.
Si po përgatitet kompania për sfidat e sigurisë kibernetike?
Avancimi drejt dixhitalizimit shkon përbri rreziqeve të shtuara nga sulmet kibernetike. Për kompaninë tonë, kjo bëhet edhe më jetike, duke pasur parasysh që klientët tanë kryesisht janë kompani ajrore, apo industri të lidhura me aviacionin.
Në vitin 2023, ne përfunduam me sukses auditimin dhe certifikimin për standardin ISO 27001, që ka si objekt sigurinë e informacionit.
Duke filluar nga siguria e rrjetit, kontrolli i aksesit fizik në ambientet e zyrave, metoda të ndryshme të autentifikimit, vendosja e fjalëkalimeve me elemente të shtuara sigurie, si dhe ndryshimi i shpeshtë i tyre, janë disa nga masat e marra për të shmangur rreziqe të kësaj natyre.
Punonjësit tanë u nënshtrohen çdo vit trajnimeve të vazhdueshme brenda grupit të kompanive Lufthansa dhe jashtë tij. Kryhen gjithashtu “phishing” campaigns, të cilat kanë qëllim edukativ dhe për të vënë në dukje pikat e dobëta në sistemet tona të informacionit.
Megjithatë, sigurisht kryesorja është ndërgjegjësimi i punonjësve tanë për rëndësinë që ka siguria e informacionit.
A keni pasur përvojë me zhvillimin e produkteve të bazuara në Inteligjencën Artificiale (IA)? Si mendoni se do të ndryshojë roli i IA në fushën tuaj në të ardhmen?
Ne kemi filluar të eksperimentojmë me teknologjitë e ofruara nga OpenAI, përmes dy “use cases”, ose shembujve të aplikimit që i kemi sjellë në jetë gjatë vitit 2023.
Fillimisht, duke përdorur kapacitetet e përpunimit të të dhënave në formë teksti, kemi analizuar komentet dhe feedback-un e marrë nga punonjësit gjatë pyetësorit vjetor për të vlerësuar kënaqësinë e tyre në punë dhe për të marrë sugjerime për përmirësime në kompani.
Ky aspekt është i rëndësishëm, pasi përmes përpunimit manual është pothuajse e pamundur të nxjerrësh përfundime mbi elementet e sjelljes organizative dhe kënaqësinë e punonjësve, veçanërisht kur numri i tyre është i lartë.
Një fushë tjetër e aplikimit ka qenë përdorimi i ChatGPT për të kryer përkthimin e kodit nga një gjuhë në një gjuhë tjetër programimi.
Kjo është eksperimentuar nga punonjësit tanë, për shembull, në projekte migrimi të SAP, dhe tregon potencialin për optimizim dhe rritje të efektivitetit të programuesve në realizimin më të shpejtë dhe me kosto më të ulët të projekteve të mëdha migrimi.
Cilat janë planet dhe strategjitë e kompanisë për të përballuar zhvillimet e ardhshme në fushën e teknologjisë informative dhe IT?
Si kompani, ne gjithmonë kemi investuar te të rinjtë, duke krijuar një ambient pune që ofron një komunitet të ekspertëve IT nga më të mirët në vend, dhe duke promovuar shkëmbime të vazhdueshme me kolegët e tyre në Gjermani.
Ne i kushtojmë rëndësi të veçantë të mësuarit të vazhdueshëm, programeve të trajnimit me synim zgjerimin dhe thellimin e njohurive, duke na bërë më të aftë për të përballuar kërkesat, jo vetëm në rritje në sasi, por edhe në larmi të teknologjive informative dhe profilesh IT.
Kështu, jemi në gjendje të përballojmë kërkesat e rritura, jo vetëm në sasi, por edhe në cilësi, duke na mundësuar gjithashtu të mbetemi konkurrues në fushën e shërbimeve IT.
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është shkallëzimi i metodologjive Agile, jo vetëm në nivelet e ekipit të zhvillimit, por në çdo nivel të kompanisë, duke përfshirë edhe nivelin menaxherial, për të siguruar fleksibilitet dhe kohë reagimi të shpejtë.
Kjo promovon dhe nxit bashkëpunimin e vazhdueshëm mes funksioneve dhe departamenteve të ndryshme. Shumë e rëndësishme është edhe përqasja Customer Centric, duke u dhënë përparësi kërkesave të klientëve tanë dhe duke kryer shkëmbimin e vazhdueshëm të feedback-ut, duke bërë që produktet dhe shërbimet tona të evoluojnë sipas kërkesave të tregut.
Marrë nga Monitor.al