Linjë kabllore direkte nënujore me Egjiptin, Balluku: Shqipëria, nyjë e ndërlidhjes ndërkontinentale

Nënshkruet marrëveshja e mirëkuptimit për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.


Në Tiranë u nënshkrua sot marrëveshja e mirëkuptimit me kompaninë 4iG, për ndërtimin e një linje kabllore direkte nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit.

Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se ky është një tjetër projekt strategjik e inovativ që e kthen Shqipërinë në një nyje të ndërlidhjes ndërkontinentale dhe e vendos Shqipërinë në një rankim tjetër të digjitalizimit.

“Si sistemi i parë që lidh dy vendet, rruga e planifikuar e linjave nënujore në Mesdhe do të jetë unike, duke shtuar diversitetin e rrugëve digjitale që lidhin Mesdheu në mënyrë tradicionale, që janë ato që lidhin Egjiptin me Francën dhe me Italinë, duke dhënë kështu një mundësi të tretë”, tha Balluku.

Sipas saj, ky sistem do të zotërojë një pjesë të konsiderueshme të tregut të madh dhe të zhvillimit të trafikut të të dhënave mes Azisë, Lindjes së Afërt dhe padyshim Evropës.

Në anën e Egjiptit, tha ajo, do të ofrohet akses në shumë kabuj nënujorë të juglindjes, përmes Detit të Kuq dhe Azisë sigurisht edhe Afrikës, të cilat i shtohen 10 rrugëve tokësore transegjiptiane që bashkojnë segmentin lidhës të Mesdheut dhe opsionet e tjera të zgjatura të detit Mesdhe.

“Ashtu siç të gjithë ata që merren me digjitalizimin dinë shumë mirë që Egjipti luan rolin e një nyeje ndërkombëtare të të gjitha autostradave digjitale. Duhet të kemi parasysh se për Shqipërinë, sistemi do të ofrojë rrugën më të shkurtër për në Frankfurt, si dhe destinacione të rëndësishme për trafikun digjital europian duke lidhur një herë e mirë Europën Lindore dhe atë të pjesës së Ballkanit me nyjet kryesore siç janë Vjena, Budapesti apo dhe Sofja”, informoi Balluku.

Investimi i cili vlerësohet në vlerën nga 100 deri në 115 milionë euro, vijoi Ballluku, është i mirëpritur nga Qeveria shqiptare sigurisht, duke shkuar në të njëjtën linjë me politikat që ne kemi për zhvillimin e teknologjisë dhe të digjitalizimit në vendin tonë.

Por, nga ana tjetër, theksoi ajo, shkon në përputhshmëri të plotë dhe me planet që ne kemi, siç është rasti i zhvillimit të Planit Kombëtar për Zhvillimin e rrjeteve të broadband dhe Axhendën Digjitale dhe Planin e saj të Veprimit të cilat kanë si qëllim parësor zhvillimin e infrastrukturës digjitale me shpejtësi të lartë dhe shumë të lartë në mbështetje të krijimit të një shoqërie gigabit.

“Nga ana tjetër, sigurisht që ky projekt bëhet pjesë dhe një shtyllë mbështetëse edhe për Strategjinë kombëtare e cila ka të bëjë me integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, si një nga prioritetet kryesore të kësaj strategjie pa dyshim mbetet digjitalizimi. Dhe ky digjitalizim kur vjen dhe i ndërthurur me interkonjeksionin, atëherë sigurisht bëhet i kompletuar”, shtoi zv/kryeministrja.

Gjithashtu, ky projekt do të ketë mundësi të promovojë të gjitha strukturat digjitale që mundësojnë rritjen e kapaciteteve të interkoneksionit dhe për zhvillime të mëtejshme të ekonomisë digjitale. Gjithashtu, promovon transforimin digjital, si një proces që mundëson rritjen ekonomike, sjell më afër njerëzit dhe tregjet dhe padyshim krijon eficiencë të burimeve.

“Kjo nisëm do të bëjë të mundur rritjen e numrit të rrjeteve kabllore nënujore, pra një zgjerim i infrastrukturës ekzistuese dhe gjithashtu i përgjigjet edhe nevojës për rritje të kapaciteteve të rrjeteve me rritjen e volumit të trafikut të të dhënave digjitale që sot kemi në mbarë botën”, tha Balluku.

Objektiva të tjerë të këtij projekti, shtoi ajo, do të jenë edhe shtimi i potencialit për të ardhurat, jo vetëm për shoqëritë private, por sigurisht edhe për shtetin shqiptar.

Nga ana tjetër, tha ajo, duhet theksuar që Shqipëria sot në një epokë kur digjitalizimi është primar, kur ne gjithçka e bazojmë mbi inovacionin, lind menjëherë nevoja për një siguri më të lartë kibernetike.

“Dhe siguria është ana tjetër e medaljes. Sa më shumë ne rrisim kapacitetet tona të digjitalizimit aq më shumë ekspozohemi ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe kemi pasur edhe raste të cilat për të thënë të drejtën i kemi menaxhuar në mënyrën më të mirë. Përballimi ka qenë i shkëlqyer, por sërish kjo nuk e zhbën bën faktin që ne jemi vazhdimisht mbi këto sulme”, u shpreh ajo.

Duhet pasur parasysh, tha zv/kryeministrja, që çdo investim i ngjashëm me atë që po promovojmë sot duhet të ketë edhe parametrat e tij të sigurisë.

“Nuk duhet harruar që Shqipëria është angazhuar, karshi partnerëve tanë strategjik si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Bashkimit Europian për sa i përket respektimit të standardeve më të larta të sigurisë së infrastrukturës kritike dhe digjitale, duke ja dhënë mundësinë e investimeve kompanive të cilat konsiderohen të besueshme. Në funksion të këtij angazhimi, për rrjetet e pastra, është e domosdoshme që ofertuesit e teknologjisë për transmetim të jenë të klasifikuar si kompani të cilat gëzojnë besueshmëri të plotë nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është po aq e rëndësishme që projekti për linjën kabllore nënujore midis Shqipërisë dhe Egjiptit të zhvillohet në përmbushje të plotë të këtyre kërkesave dhe angazhimeve të Republikës së Shqipërisë”, tha ajo.

Në këtë mënyrë, u shpreh Balluku, ne do të garantojmë që gjatë konceptimit, zbatimit dhe implementimit të këtyre projekteve të sigurohet zgjedhja e ofertuesve të besueshëm për kabllot nënujore në veçanti për projektet ndërkontinentale të teknologjisë së informacionit, komunikimit që promovojnë furnizues apo kompani të besueshme për rrugët digjitale alternative që lidhin Europën, Amerikën e Veriut, Afrikën apo edhe Azinë.

Shqipëria sot i ka 3 linja nënujore konektiviteti digjital. E para është ajo e ndërtuar në vitin 1996, që quhet Adria 1. Ka një gjatësi prej 440 km, kabëll nënujor me fibër optike që lidh Shqipërinë, Kroacinë dhe Greqinë. Linja e dytë lidhëse është lidhja Itali – Shqipëri e ndërtuar në vitin 1997, është pjesë e Trans Balkan Line, me një gjatësi 240 km e gjatë. Kjo linjë është një linjë e kombinuar me rrugë tokësore dhe ujore që lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Turqinë. Ndërkohë që kemi dhe një linjë, e cila është futur në funksion gjatë vitit të kaluar, pra në maj 2023, kemi linjën e tretë nënujore që quhet Trans Adriatic Express dhe është linja e cila i është bashkuar edhe fibrës optike të projektit të TAP, një linjë prej 106 km e gjatë.

Zv/kryeministrja theksoi se projekti që po iniciohet sot është një tjetër dimension.

“Është një projekt i cili kërkon të lidhë në mënyrë ndërkombëtare Shqipërinë me gjithë autostradat digjitale. Deri më sot kemi qenë të lidhur patjetër me vendet fqinje. Qeveria jonë është e orientuar në të gjithë aktivitetin e saj nga inovacioni dhe teknologjia, si mundësia më e mirë për një vend të vogël dhe me resurse të kufizuara që të arrijë ritmin e vendeve partnere me të cilat ne punojmë dhe pse jo për të mos ecur edhe pak më shpejt se ta, që kështu të kemi mundësi të mbushim një gab të krijuar nga një sistem komunist 50-vjeçar dhe më pas nga një tranzicion i stërzgjatur, por që tashmë ka marrë fund. Kështu që për të bërë të gjitha këto ne na duhet që të motivojmë të gjitha skuadrat për bashkëpunimin me 4iG për të nisur menjëherë nga një punë që do të vendosë Shqipërinë në një rankim tjetër të digjitalizimit”, tha ajo.

Balluku po ashtu foli dhe për satelitët, për të cilët informoi se kanë skanuar të gjithë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë.

“Dua të kujtoj këtu se vetëm para pak kohësh ka qenë një debat i madh publik për sa i përkiste funksionimit të satelitëve dhe nëse satelitët do të ishin me të vërtetë funksionalë, nëse satelitët duhet ti kishte Republika e Shqipërisë, por faktet flasin ndryshe. Vetëm tre vite nga nisja e atij procesi ne sot jo vetëm i kemi satelitët funksionalë, por satelitët tashmë kanë skanuar të gjithë sipërfaqen e Republikës së Shqipërisë, duke i dhënë të gjitha njësive të kontrollit të territorit një instrument të jashtëzakonshëm në dorë dhe tashmë përmes analizave që vijnë nga stafet tona të trajnuara kemi filluar ti përdorim dhe plani ynë është mos ti përdorë vetëm shteti, jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe bizneset dhe të gjitha njësitë private që operojnë në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Balluku.

Gjithashtu, shtoi ajo, futja e inteligjencës artificiale në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët është një nga risitë tona më të mëdha.

“Sistemi unik i e-Albania tashmë mbështetet në këtë teknologji të avancuar të inteligjencës artificiale për të ofruar shërbime sa më transparente dhe sa më shpejt. Nga ana tjetër duhet thënë që vetëm pak muaj më parë kemi arritur të krijojmë Agjencinë e Inovacionit dhe Ekselencës, një inkubator ku do të ngjizen të gjitha ato ide që do t’i japin një zhvillim të ri sektorëve me dinamizëm ekonomik që ndikojnë çdo ditë në zhvillimin e vendit. Një inkubator i cili fillimisht do të nisë me idetë e reja dhe risitë për ti përdorur nga sektorët ku shteti shqiptar, ku administrata shqiptare operon, por nga ana tjetër duke hapur dyert edhe për idetë e reja që vijnë nga fusha e biznesit privat apo për ti ofruar biznesit privat të njëjtat shërbime që ne përmes asaj agjencie do t’i ofrojmë ministrive apo institucioneve shtetërore”, deklaroi Balluku.

(Marrë nga ATSH)

Zv.ministri Dobi pret zyrtarin belg: Në fokus drejtësia dhe integrimi në BE

Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Koordinimin dhe Çështjet Evropiane në Ministrinë e…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Zv.ministri Dobi pret zyrtarin belg: Në fokus drejtësia dhe integrimi në BE

Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Koordinimin dhe Çështjet Evropiane në Ministrinë e…