Policia shqiptare, bashkëpunim kundër krimit ndërkufitar me Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar
Takimi kishte si qëllim, forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes palëve, në luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar.
Në ambientet e Departamentit për Sigurinë Publike të Ministrisë së Brendshme të Republikës së Italisë, u zhvillua takimi i parë trepalësh, mes përfaqësuesve më të lartë të strukturave policore italiane, shqiptare dhe të atyre të Mbretërisë së Bashkuar.
Ky takim kishte si qëllim, forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes palëve, në luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar.
Gjatë këtij takimi, zëvendësdrejtori i Departamentit për Sigurinë Publike pranë Ministrisë së Brendshme të Republikës së Italisë, njëkohësisht drejtori Qendror i Policisë Kriminale, prefekti Raffaele Grassi vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe arritjet e deritanishme ndërmjet strukturave policore italiane dhe atyre shqiptare, në luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar. Gjithashtu, Grassi vlerësoi nivelin e lartë të profesionalizmit dhe korrektesën e treguar nga përfaqësuesit e të dyja palëve, si dhe uroi që i njëjti model bashkëpunimi, të arrihet në të ardhmen dhe ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe strukturave homologe në Mbretërinë e Bashkuar.
Drejtori për Adresimin e Kërcënimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Krimeve në Mbretërinë e Bashkuar, Chris Farrimond vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë mes strukturave të përfshira në luftën kundër krimit të organizuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe strukturave partnere në Shqipëri. Gjithashtu, drejtori Farrimond theksoi rolin dhe rëndësinë që bashkëpunimi me autoritetet shqiptare, ka pasur në luftën kundër organizatave kriminale që veprojnë në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe kontributin e dhënë për parandalimin e fenomenit të migracionit të paligjshëm, drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku i garantoi të pranishmëve në këtë takim, se Policia e Shtetit tashmë i ka të gjitha kapacitetet për të luftuar këtë fashë kriminaliteti, si dhe se ka arritur një nivel profesionalizmi shumë të lartë, me standarde të njëjta me strukturat homologe partnere të vendeve më të zhvilluara të Europës. Drejtori i përgjithshëm theksoi se këtë fakt e tregon më së miri numri i skuadrave të përbashkëta hetimore, të përbëra nga punonjës të Policisë së Shtetit dhe homologët e tyre nga agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere në mbarë Europën, si dhe realizimi në harkun e viteve, i një sërë operacionesh të përbashkëta policore, nëpërmjet të cilave janë goditur një numër i madh organizatash kriminale që vepronin brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat e kishin shtrirë veprimtarinë e tyre në fusha të ndryshme të paligjshmërive, si trafikimi i lëndëve narkotike, pastrimi i parave të përfituara nga krimi etj.
Në përfundim të këtij takimi, të pranishmit ranë dakord mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dy dhe shumëpalësh, në kuadrin e luftës kundër të gjitha organizatave kriminale të cilat veprojnë në këto vende dhe më gjerë, përmes organizimit të takimeve dypalëshe të nivelit teknik, mes strukturave të Policisë Kriminale shqiptare dhe të atyre të Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim diskutimin dhe trajtimin e rasteve dhe çështjeve konkrete.
Në këtë kontekst, përfaqësuesit e Policisë së Shtetit dhe ato të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit në Mbretërinë e Bashkuar u shprehën dakord për rëndësinë e përgatitjes dhe finalizimit të një marrëveshjeje dypalëshe, e cila do të formalizonte dhe do të forconte bashkëpunimin në nivel teknik, në luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar, në të gjitha format e tij.
Me ftesë të drejtorit të përgjithshëm të Policisë shqiptare, drejtori për Adresimin e Kërcënimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Krimeve në Mbretërinë e Bashkuar, Chris Farrimond shumë shpejt do të vizitojë Policinë e Shtetit.