Fokusi i Kinës në zhvillimin rural si përkushtim për të nxitur dhe rritur prosperitetin
Rigjallërimi rural shihet nga politikëbërësit e Kinës si një katalizator për rritje, diversifikim dhe rrjedhimisht zhvillim.
Nga Dr. Marsela Musabelliu
Rigjallërimi rural është një nismë intensive dhe me pasoja të gjera për mirëqenien ekonomike, shoqërore dhe mjedisore të një kombi. Në thelb të tij ai synon të sjellë frymë të re në komunitetet rurale, duke adresuar sfidat e shumta me të cilat përballen këto zona. Në Kinë rigjallërimi rural shihet me përparësi të veçantë, sidomos në kuadrin social, atë ekonomik dhe ekologjik.
Rigjallërimi rural shihet nga politikëbërësit e Kinës si një katalizator për rritje, diversifikim dhe rrjedhimisht zhvillim. Në rrafshin ekonomik nxiten ndërmarrjet, mbështeten bizneset e vogla, promovohet zhvillimi i industrive të reja, dhe si pasojë gjeneron mundësi punësimi dhe stabilizon ekonominë lokale. Në këtë aspekt, zhvillimi i infrastrukturës me drejtim dhe mbështetje nga autoritetet është një aspekt tjetër kyç në përmirësimin dhe lehtësimin e jetesës. Nga një pikëpamje sociale, rigjallërimi i zonave rurale është thelbësor për qëndrueshmërinë e komunitetit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Fokusi është tek cilësia e jetës që përmirësohet si rezultat i vëmendjes në fokus të kujdesit shëndetësor, arsimit, dhe mundësive të reja që ofron avancimi teknologjik. Por, nuk është lënë pas asnjëherë aspekti mjedisor, ku shpesh herë është parë në deklarata shtetërore se promovohen praktikat që ruajnë mjedisin dhe konservimin.
CFP
Dokumenti Nr. 1 i Kinës për vitin 2024
Në Kinë rigjallërimi rural është një politikë sa shumëplanëshe aq dhe jetike. Ndërsa punohet për një të ardhme më të mirë i jepet prioritet rigjallërimit të zonave rurale dhe është i domosdoshëm për ndërtimin e një shoqërie të fortë dhe për avancimin e kombit në përgjithësi. Zyrtarët kinezë përvijuan më 3 shkurt planet për zbatimin e synuar për masat e politikave të vendosura nga “dokumenti qendror nr.1”. Dokumenti i vitit 2024 përmban 28 masa specifike të politikave, në gjashtë fusha kryesore.
Si deklarata e parë e politikave të 2024-ës shihet qartë se masat e synuara do të luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e zbatimit të detyrave, ndërsa dokumenti thekson se udhëheqja e lartë e Kinës i kushton një rëndësi të madhe modernizimit bujqësor të vendit, rigjallërimit rural, jetesës së fermerëve, dhe konsolidimit të përpjekjeve për ruajtjen e sigurisë ushqimore. Masa të mëdha si rritja e mbështetjes për qarqet kryesore prodhuese të drithërave në Kinë, krijimi i një mekanizmi kompensimi dhe zgjerimi i zinxhirit të industrisë shihen si parësore në dokument.
Dokumenti i këtij viti i dha një rëndësi të veçantë forcimit të efektit të dyfishtë të shkencës/teknologjisë dhe reformës. Nxitja e industrive rurale mbetet si një tjetër fokus i theksuar në konferencën për shtyp, pasi prosperiteti i industrive rurale është premisa e zhvillimit rural.
CFP
Presidenti kinez Xi Jinping ndër vite ka bërë shumë vizita në zonat rurale, ka biseduar me punëtorët e vijës së parë, si dhe ka inspektuar kushtet e tyre të jetesës. Në çdo vizitë Xi ka shprehur vendosmërinë e Kinës për të ecur përpara me strategjinë e rigjallërimit rural, për të mbrojtur tokën dhe për të zhvilluar shkencën dhe teknologjinë bujqësore. Në Konferencën vjetore Qendrore të Punës Rurale për shembull, Xi theksoi ruajtjen e sigurisë ushqimore duke stabilizuar sipërfaqen e tokës për prodhimin e drithërave dhe duke rritur prodhimin për njësi toke. Ai bëri thirrje gjithashtu për intensifikimin e përpjekjeve për të arritur përparime thelbësore teknologjike në mënyrë që të injektohet vrull në modernizimin e bujqësisë.
Modernizimi kinez dhe roli i zonave rurale
Gjatë Kongresit të 20-të të “PKK-së, presidenti Xi, u shpreh se “Detyra qendrore është të ndërtohet një vend modern socialist dhe pesë vitet e ardhshme (2024-2029) do të jenë vendimtare për fillimin e mbarë të përpjekjeve”. Lidershipi i Kinës zotohet kështu të avancojë në mënyrë gjithëpërfshirëse përtëritjen kombëtare përmes një rruge kineze drejt modernizimit. Në raport u përmendën një gamë e gjerë fushash në të cilat Kina do të përpiqet për përparim të mëtejshëm, duke përfshirë rritjen ekonomike të zonave rurale.
Zhvillimi i zonave rurale ka një vëmendje të lartë në këtë modernizim, pasi për të arritur qëllimin, qeveria kineze angazhohet në procese të qarta dhe gjithëpërfshirëse të planifikimit, në shpërndarjen e burimeve në mënyrë efikase, dhe siguron monitorim, inspektim dhe zbatimin e projekteve si qëllim kryesor përmirësimin e jetës së banorëve ruralë.
Përmirësimet e duhura rurale përfshijnë zakonisht zhvillimin e infrastrukturës themelore si rrugët, urat, furnizimi me ujë, energjia elektrike, etj. Kjo jo vetëm përmirëson cilësinë e jetës për banorët, por gjithashtu lehtëson transportin e mallrave dhe shërbimeve duke i dhënë vlerë të shtuar ekonomisë lokale. Kjo strategji ka në qendër një qasje të përmirësuar në shërbimet themelore si kujdesi shëndetësor dhe arsimi.
CFP
Një nga arritjet më emblematike të Kinës vitet e fundit ka qenë çrrënjosja e varfërisë, dhe shumica e atyre njerëzve jetonin në zonat rurale. U fokusua puna në politikat që stimulojnë rritjen ekonomike rurale duke krijuar mundësi punësimi dhe duke tërhequr investime, përmirësim të produktivitetit bujqësor përmes prezantimit të teknikave moderne bujqësore, dhe duke u siguruar komuniteteve rurale qasje në informacion, teknologji, burime edukative dhe tregje të reja.
Mbi të gjitha zhvillimi rural në Kinë është aplikuar në mënyrë të tillë që komunitetet e margjinalizuara të kenë qasje sa më të barabartë dhe akses të njëjtë në avantazhet e modernizimit. Në fund të fundit, synimi i përmirësimeve rurale është përmirësimi i përgjithshëm i cilësisë së jetës për banorët.
Një krahasim Kinë-Evropë mbi politikat e zhvillimit rural
Qeveritë e dobishme në përgjithësi i japin prioritet zhvillimit rural për të adresuar sfidat socio-ekonomike dhe për të arritur një zhvillim kombëtar të qëndrueshëm. Kjo pasi zonat rurale shpesh përballen me norma të larta të varfërisë. Zhvillimi i drejtëpërdrejtë rural përqendrohet në ngushtimin e hendekut ekonomik midis qyteteve dhe fshatrave. Në fund të fundit, zhvillimi i qëndrueshëm bëhet me real duke adresuar nevojat rurale dhe kontribuon në sigurinë ushqimore… me pak fjalë, ushqimi dhe stabiliteti i kanë rrënjët në fshat.
Shumë shtete kanë zgjedhur rrugë të ndryshme në rigjallërimin e tyre rural, dhe për ti krahasuar ose kuptuar qartë, ato duhen shqyrtuar në kontekstin shoqëror-ekonomik, kulturor dhe politik të tyre.
Krahasimi i përpjekjeve për zhvillimin e mëtejshëm të zonave rurale në Evropë dhe Kinë për shembull, na tregon se çdo vend ka karakteristika unike, por ka sfida të përbashkëta për zonat rurale, si shpopullimi, vështirësitë ekonomike dhe infrastruktura e pamjaftueshme, etj. Por le të shohim disa pilastër të secilës.
CFP
Le ta nisim nga kornizat e politikave; ndërsa qeveria kineze ka zbatuar politika të synuara me target të përqendruar për zonat rurale, si “Strategjia për Rigjallërimin Rural” dhe “Plani i Ri i Urbanizimit.” Është vendosur theksi në modernizimin e bujqësisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e varfërisë. Vendet evropiane shpesh kanë struktura të decentralizuara të qeverisjes, me politika zhvillimi rurale të zbatuara në nivele rajonale, nën rajonale etj, dhe përfshijnë subvencionet për bujqësinë, zhvillimin e infrastrukturës rurale dhe programe për mbajtjen e trashëgimisë kulturore.
Një pikë tjetër është modernizimi, i cili në Kinë përfshin modernizimin e bujqësisë përmes përdorimit të teknologjisë, mekanizimit dhe promovimin e bujqësisë në shkallë të madhe. Qëllimi është të përmirësohet produktiviteti, të ardhurat dhe standardet e jetesës për banorët ruralë. Në Evropë, politikat bujqësore fokusohen në praktikat e qëndrueshme të bujqësisë, ruajtjen e mjedisit dhe mbështetjen për fermerët në shkallë të vogël, si për shembull Politika Bujqësore e Përbashkët (CAP, EU’s common agricultural policy).
Nga qasja infrastrukturore, Kina ka investuar jashtëzakonisht shumë në infrastrukturën rurale, duke u fokusuar në transport, kujdes shëndetësor dhe arsim. Qeveria qendrore synon të përmirësojë aksesin dhe kushtet e jetesës në zonat rurale për të inkurajuar njerëzit të qëndrojnë dhe punojnë atje. Në Evropë zhvillimi i infrastrukturës rurale përfshin nisma për një transport më të mirë, kujdes shëndetësor, arsim dhe lidhje me internetin. Kjo synon të zvogëlojë hendekun e zhvillimit midis zonave urbane dhe rurale dhe të tërheqë biznese në zonat rurale.
Nga ana e ruajtjes dhe restaurimit të trashëgimisë kulturore dhe zhvillimit të turizmit për shembull, janë shumë të ngjashëm. Ndërsa në Kinë ruajtja kulturore është një komponent kyç i rigjallërimit rural duke theksuar arkitekturën tradicionale, folklorin dhe festivalet, turizmi rural promovohet për të shfaqur diversitetin kulturor të vendit. Nga ana tjetër, disa vende evropiane përdorin trashëgiminë e tyre kulturore për të zhvilluar zonat rurale përmes turizmit. Ruajtja e zanateve tradicionale, festivaleve dhe vendet historike mund të tërheqin vizitorë dhe të stimulojnë ekonominë lokale.
Në lidhje me teknologjinë dhe inovacionin, Kina inkurajon sipërmarrjen në zonat rurale duke promovuar tregtinë elektronike, inovacionin bujqësor dhe zhvillimin e industrive rurale. Lidhja me internetin ka luajtur një rol të rëndësishëm në mundësimin e bizneseve rurale për të arritur tregje më të gjëra. Në Evropë, inovacioni dhe ndryshimi rural inkurajohen përmes programeve dhe granteve të ndryshme. Mbështetja e kompanive start-up, në veçanti atyre të fokusuar në agri-teknologji, energjinë e qëndrueshme dhe zanate lokale, është një qasje standarde.
Megjithatë, qasjet e tyre ndryshojnë bazuar në kontekstin shoqëror-ekonomik, strukturat e qeverisjes dhe konsideratat kulturore. Evropa shpesh thekson qëndrueshmërinë, ruajtjen kulturore dhe bujqësinë në shkallë të vogël, ndërsa Kina fokusohet në modernizimin e bujqësisë, zhvillimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e varfërisë.
Për sa i përket trendeve demografike, Kina përballet me sfida të lidhura me migracionin nga zona rurale në ato urbane. Ndërsa plakja e popullsisë dhe shpopullimi janë sfida kryesore në Evropë. Zbatimet e politikave që tërheqin dhe mbajnë një popullatë më të re në zonat rurale po vihen kohët e fundit në agjenda evropiane.
Çfarë konsiderohet arritje, në Kinë ose Evropë, varet nga qëllimet dhe vlerat specifike të secilit. Sidoqoftë, Evropa dhe Kina mund të mësojnë nga përvojat e njëra-tjetrës dhe të adaptojnë strategji që i përshtaten kontekstit dhe prioriteteve të tyre unike. Një qasje e përgjithshme dhe e balancuar, që merr parasysh faktorët mjedisorë, shoqërorë dhe ekonomikë, ka mundësi të jetë më efektive në sigurimin e rivitalizimit rural më të gjatë.
Së fundmi, një nga qëllimet kryesore të fokusit të Kinës në zonat rurale është lehtësimi i varfërisë. Duke investuar në infrastrukturë, arsim dhe kujdes shëndetësor në zonat rurale, qeveria kineze synon të përmirësojë standardet e jetesës. Rritja e produktivitetit dhe efikasitetit në sektorin bujqësor, adresimi i nevojave të popullsive rurale që kanë si rezultat çrrënjosjen dhe mbajtjen larg të varfërisë shkakton shpresë dhe frymëzim.
Ndryshimi dhe transformimi vijnë si pasojë e punës së palodhur të brezave të tërë dhe suksesi i politikave që janë implementuar për të përmirësuar kushtet e jetesës, dhe kjo është një dëshmi e suksesit të një qeverisjeje efektive dhe një strategjie të përshtatshme për zhvillim. Politikat e rigjallërimit rural të Kinës janë shembull i përkushtimit të vendit për të nxitur prosperitetin dhe qëndrueshmërinë në fshatrat dhe provincat e vendit. Nga zhvillimi i infrastrukturës te kujdesi shëndetësor dhe digjitalizimi, këto politika synojnë të sigurojnë që zonat rurale të luajnë një rol jetik në përparimin socio-ekonomik të vendit.
Burimi: CRI.CN