Bello: Bashkitë, përfituese nga programi IPA i bashkëpunimit ndërkufitar me Kosovën dhe Malin e Zi
Programi financohet nga një grant i Bashkimit Evropian nëpërmjet instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA)
Komisioni për Sigurinë Kombëtare në mbledhjen e sotme mori në shqyrtim projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021-2027”.
E ftuar për prezantimin e marrëveshjes ishte Vilma Bello, zëvendësministre në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Bello, në fjalën e saj, sqaroi se programi financohet nga një grant i Bashkimit Evropian nëpërmjet instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA), me një buxhet total prej 13 790 000 eurosh (përfshirë bashkëfinancimin prej 15 % të vlerës) për të dyja vendet.
Sa i përket zonave të lejueshme shqiptare për përfitim nga fondet e programit Bello tha se, në të përfshihen Qarku Shkodër (bashkitë: Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrës), Qarku Lezhë (bashkitë: Lezhë, Mirditë dhe Kurbin) dhe Bashkia Tropojë, kurse sa i përket palës malazeze përfshihen 14 bashki: Kolashin, Andrijevica, Berane, Plava, Gucia, Petnjica, Rozhaja, Podgorica, Tuzi, Cetina, Danilovgrad, Budva, Ulqini dhe Tivar.
Në cilësinë e relatorit, Ilir Pendavinji vlerësoi marrëveshjen dhe theksoi se ajo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të këtyre tre qarqeve edhe nëpërmjet pjesëmarrjes me projekte në këtë Program.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi marrëveshjen në fjalë.
Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni vijoi mbledhjen me shqyrtimin e projektligjit “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar Shqipëri-Kosovë 2021-2027”
Zëvendësministrja Bello e pranishme edhe për këtë marrëveshje, sqaroi se Programi financohet nga një grant i Bashkimit Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA), me një buxhet total prej 9 734 116,64 eurosh (përfshirë bashkëfinancimin prej 15 % të vlerës) për të dyja vendet.
Bello sqaroi se, në zonat e lejueshme shqiptare për përfitim nga fondet e programit përfshihet: Qarku Kukës (bashkitë: Kukës, Has dhe Tropojë), Qarku Lezhë (bashkitë: Lezhë, Mirditë dhe Kurbin), ndërsa nga pala e Kosovës përfshihet: Rajoni Ekonomik Jugor (bashkitë: Prizren, Dragash, Rahovec, Suharekë, Malishevë dhe Mamusha) dhe Rajoni Ekonomik Perëndimor (bashkitë: Pejë, Deçan, Gjakovë, Istog, Klinë dhe Junik).
Në cilësinë e relatores Antoneta Dhima foli për objektivin e përgjithshëm të programit, që sipas saj, “është nxitja e marrëdhënieve të mira fqinjësore, inkurajimi i integrimit në Bashkimit Evropian dhe kontributi në zhvillimin social, ekonomik dhe territorial të zonës ndërkufitare të programit përmes përmirësimit të mbrojtjes dhe ruajtjes së burimeve mjedisore dhe zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm kulturor dhe natyror”.
Në përfundim, komisioni në cilësinë e komisionit përgjegjës mori në shqyrtim Projektligjin “Për ratifikimin e protokollit ndryshues të marrëveshjes, ndërmjet palëve të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore për Shkëmbimin e Automatizuar të të Dhënave të ADN-së, Daktiloskopike dhe të të Dhënave të Regjistrimit të Automjeteve, të ratifikuar me ligjin nr. 13/2019” në cilësinë e Komisionit përgjegjës.
Të ftuar ishin Besfort Lamallari dhe Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Zëvendësministri Lamallari sqaroi se, me anë të këtij protokolli ndryshues synohet tё rregullohet marrëdhënia e palëve nënshkruese të marrëveshjes që janë anëtare të Bashkimit Evropian me marrëveshjet e tjera ndërkombëtare.
Në cilësinë e relatores Antoneta Dhima tha se këto ndryshime në thelb kanë të bëjnë me mbrojtjen e të dhënave në kuptimin e direktivës BE.
Pas pyetjeve dhe diskutimeve anëtarët miratuan në parim nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.
(Marrë nga ATSH)