Marrëveshja për sigurimet shoqërore, Manjani: Siguron trajtim të barabartë dhe bashkim të viteve të kontributeve
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani: U arrit për shkak të plotësimit të standardeve.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani deklaroi sot se përveç vullnetit politik, nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e kontributeve shoqërore erdhi edhe për shkak të plotësimit të standardeve.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, Manjani bëri të ditur se Shqipëria ka marrëveshje me shumë shtete të BE-së, ndër më të rëndësishmit, si Gjermania, Belgjika apo Luksemburgu, që janë vende me standarde të larta.
Sipas saj, një nga parakushtet e uljes për negociata të dy grupeve negociatore është edhe njohja fillimisht e skemave respektive të sigurimeve shoqërore.
Ajo, po ashtu theksoi se marrëveshja kuadër e nënshkruar midis Italisë dhe Shqipërisë është arritur në korrik të 2022-shit, që do të thotë që nuk ka lidhje me marrëveshjen tjetër në fushën e emigracionit.
Zv/ministrja shpjegoi edhe se cili është objekti i kësaj marrëveshjeje.
“Objekt i kësaj marrëveshje janë përfitimet nga skema shqiptare e detyrueshme e sigurimeve shoqërore që përfshijnë përfitimet për pension pleqërie, pension invaliditeti dhe pension familjar, sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen dhe sigurimin e papunësisë”, tha Manjani.
Manjani theksoi se përmes kësaj marrëveshjeje qytetarët shqiptarë në Itali përfitojnë trajtim të barabartë me qytetarët italianë.
“Është një marrëveshje që bazohet në disa parime kryesore. Më i rëndësishmi është trajtimi i barabartë, që do të thotë se shtetasit shqiptarë në Itali, apo ata italianë në Shqipëri paraqiten pranë zyrave të institucioneve përkatëse dhe do të kërkojnë informacion dhe aplikojnë njëlloj sikur të ishin në vendin e tyre të origjinës. Kjo lehtëson komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit, detaje që do të përcaktohen në një marrëveshje administrative, e cila do të bëhet gjatë periudhës që marrëveshja ratifikohet në parlamentet përkatëse”, u shpreh Manjani.
Njëkohësisht shtetasit shqiptarë në Itali dhe ata italianë në Tiranë do të mund edhe të bashkojnë vitet e kontributeve në të dy vendet për të përfituar pension.
“Bashkimi i periudhave është parimi i dytë i rëndësishëm, që do të thotë se ata shqiptarë, të cilët kanë kontribuar për një periudhë në skemën e sigurimeve shoqërore të Shqipërisë, por nuk kanë plotësuar vitet minimale të përfitimit të pensioneve, pra 15 vite, kjo periudhë do të bashkohet me periudhën që ata kanë kontribuar në shtetin italian dhe në pensionin final do të marrin kontributet përkatësen në vendin përkatës ku janë derdhur kontributet”, tha zv/ministrja.
Parim tjetër, sipas saj, është eksportimi i përfitimeve. Me proceset e digjitalizimit kjo do të jetë edhe më e lehtë.
“Shtetasve italianë që janë në Shqipëri nuk do t’u duhet të udhëtojnë në shtetet e tyre të origjinës për të bërë aplikim për përfitim pensioni, pasi ata i përfitojnë këto të drejta automatikisht në vendin ku janë rezidentë. Do të bëhet shkëmbimi automatik i të dhënave mes institucioneve përgjegjëse”, informoi Manjani.
(Marrë nga ATSH)