Promovohet libri “Kompozitori Bojan Adamič në Shqipëri” i Akad. Vasil S. Tole

Ambasadori i Sllovenisë, Peter Japejl e vlerësoi librin si një vepër magjepsëse për këtë periudhë të veçantë të historisë sonë të përbashkët.


Nga Dhurata Hamzai

Në Teatrin e Operës dhe Baletit sot, më 8 shkurt 2024, u promovua libri “Kompozitori Bojan Adamič në Shqipëri” me autor akademik Vasil S. Tolen.

Ishin të pranishëm ambasadori i Sllovenisë në Tiranë, z.Peter Japejl, zëvendësministre e Kulturës, znj. Lira Pira, familjarë të kompozitorit Bojan Adamič, akademikë, studiues, personalitete të artit e kulturës nga Shqipëria dhe Kosova, diplomatë dhe përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore.

Promovimi u moderua nga drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit; znj. Alda Bardhyli, e cila e vlerësoi librin e akad. Vasil Toles si një zbulim të befasishëm për njohjen me Bojan Adamič, si një figurë e rëndësishme e kulturës europiane. (Kompozitori i shquar slloven Bojan Adamič ka punuar ne Shqipëri në vitet 1947-1948 si pianist, orkestrues dhe kompozitor, pranë Orkestrës se Radio Tiranës dhe orkestrës se hotel Dajtit.)

Adamič e jetoi Shqipërinë e asaj periudhe me gjithë pasionin e madh të një artisti që kërkon të jetojë e të bëjë vepra që tashmë janë pjesë e një rrugëtimi të historisë së muzikës shqiptare,- tha znj. Bardhyli, e cila vlerësoi më tej librin e akad. Vasil Toles për njohjen me dokumentacionin, letërkëmbimet që ai ia niste bashkëshortes së tij nga Shqipëria e atyre viteve, duke na vizatuar një tablo mjaft interesante për kohën, me interesa që e lartësojnë kulturën shqiptare.

Ambasadori i Sllovenisë në Tiranë, z.Peter Japejl, vuri në dukje se veçoria e përbashkët e sllovenëve dhe shqiptarëve është se identiteti i tyre kombëtar u konsolidua ndër shekuj nga ruajtja me kokëfortësi e kulturës dhe gjuhës së tyre, edhe pse ata ishin të sunduar nga të tjerët.

Prezantimi i një libri për një burrë të madh që ka lidhur kombet tona përmes muzikës dhe që ndër të tjera ka aranzhuar kompozimet e kompozitores së parë shqiptare Dhora Leka, është më se një mënyrë adekuate për ta nderuar këtë. –tha ambasadori Japejl.

Me tej, z.Japejl theksoi se libri përfshin shumë fakte intriguese dhe e vlerësoi si një dokument që paraqet një periudhë të shkurtër, por të frytshme të një artisti slloven që erdhi në Shqipëri në vitin 1947 si një mbështetje kulturore zyrtare nga ish-Jugosllavia.

Adamič ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në fushën e muzikës në Shqipërinë e pasluftës. Megjithatë, ai mori në atdhe edhe një pjesë të thelbit kulturor shqiptar, gjë që rezultoi në bashkëpunimin e tij të suksesshëm më vonë me artistët shqiptarë në Kosovë.-tha z. Japejl.

Ambasadori i Sllovenisë, z.Peter Japejl, e vlerësoi librin e akad. Vasil Toles si një vepër magjepsëse për këtë periudhë të veçantë të historisë sonë të përbashkët.

Ai tha se bashkëpunimi i Bojan Adamiç-it dhe artistëve shqiptarë krijoi një urë në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore, asaj lufte shkatërruese, kur njerëzit e vendeve tona ndanin të njëjtën shpresë dhe besim për një të ardhme më të mirë. Fatkeqësisht, për shkak të zhvillimeve politike, ky bashkëpunim plot solidaritet dhe miqësi u shty në harresë për shumë vite.

Mjerisht, sot po përballemi me zhvillime të ngjashme në mbarë botën, ku mosbesimi, urrejtja dhe dhuna po zëvendësojnë bashkëpunimin miqësor, konstruktiv dhe paqësor midis kombeve.-tha z. Japejl.
Në fund, z. Japejl falënderoi kontribuuesit në botimin dhe promovimin e librit të akad. Vasil Toles.
Ambasadori e përfundoi fjalën e tij me vargje nga himni kombëtar slloven për miqësinë, shkruar nga France Prešeren.

Më tej, studiuesi Arian Leka vuri në dukje se studimi paraqet një reflektim kritik mbi kompleksitetin e marrëdhënies shqiptaro-jugosllave në një realitet të ri ndërkombëtar. Është periudha kur ideologjia komunare e “barazi vëllazërisë” gjallërohet, koha kur “miqësia” përjeton kadencën e vet dhe kur arti, posaçërisht ai muzikor, kërkon hapësira lirie për t’u shprehur.

Ai tha se objekti studimor i veprës qarkon zhvillimet në momentin kur Jugosllavia fqinje –shteti i parë me të cilin vendi ynë lidhi marrëdhënie diplomatike pas çlirimit-ofron potencialet e veta për të ndihmuar shqiptarët në tejkalimin e mungesave dhe vonesave historike në ekonomi e kulturë, sidomos.
Dr. Arian Leka e vlerësoi librin e akad. Vasil Toles për dëshmitë e veprës mbështetur në zëra të gjerë arkivistikë e bibliografikë –shumica e të cilave i shfaqen lexuesit për herë të parë, që janë pjesë e kërkimeve sistematike të autorit për qartësimin e marrëdhënies së shqiptarëve me kulturën e tyre muzikore dhe hapjen ndaj botës.

Studiuesi Leka e mbylli fjalën e tij, duke theksuar se të gjitha të dhënat dhe prurjet në këtë libër janë mbështetur mirëfilli në kriteret shkencore të historiografisë.

Vajza e kompozitorit Bojan Adamič , Alenka Adamič, që ishte e pranishme së bashku me vajzën e saj Nina, djalin Gregor me bashkëshorten Saša, si dhe mbesën Nia La, u shpreh se ndihej shumë e nderuar me ftesën për të qenë e pranishme në prezantimin e librit të babait të saj.

Ajo falënderoi autorin e librit akad. Vasil Tolen që ka mbledhur aq shumë dokumente e arkiva, dhe që e kanë emocionuar kur është përballur me fakte të rralla. Duke e ndjerë e nderuar për kontributin që Adamič ka dhënë në muzikën shqiptare dhe për njohjen e këtij kontributi nëpërmjet librit të akad. Toles, zonja Alenka Adamič tha se tashmë Shqipërinë e konsideron si shtëpinë e saj.

“Së pari, unë ndihem e nderuar, sepse jam në atdheun që babai im e admironte shumë dhe kjo dukej në letrat që i dërgonte nënës sime.”-tha zonja Adamič.

Me tej znj. Adamič rrëfeu disa kujtime nga jeta me babanë e saj, me të cilin shkonte rregullisht në koncerte dhe në kinema dhe falënderoi autorin Vasil Tole, që në këtë libër e paraqet si një personalitet të veçantë, ku dhe shumë prej kontributeve të tij ishin ende të panjohura.

Në fund të promovimit këngëtari Besnik Krajku dhe maestro Valton Beqiri në piano interpretuan një kompozim të njohur në aranzhim të Bojan Adamič.

Promovimi u organizua nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit; Ambasada e Republikës së Sllovenisë në Shqipëri, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Teatrin e Operës dhe Baletit.

www.akad.gov.al

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…