Paraja!

Njeriu i ka dashur gjithmonë paratë, jo vetëm për të kënaqur lakminë e tij por dhe për të bërë një jetë princërore.


Nga Dr. Monika Stafa

Ndodh gjithmonë që kur njeriu ka dëshiruar me ngulm diçka prej një kohe të gjatë, i ka dhënë vetes të drejtë ta shijojë atë. Pa u ndjerë madje fajtor aspak edhe për mënyrën si atë e ka përvetsuar. E vërteta është se ky është thjesht një mashtrim. Një mashtrim që njeriu është i aftë t’ia besojë vetes. Si pjesë e ligjeve të natyrës njerëzore në përgjithësi. Sepse faji është një ndjenjë pafundësisht e fuqishme dhe në një mënyrë apo tjetër, ai bën me patjetër trajektoren e kthimit gjithmonë tek ti.

Sot në botën ku jetojmë nuk duket asnjë kauzë e drejtë. Nuk ka një “credo”, një “besojmë”, sipas shprehjes së franceskanëve. Të gjitha janë komprometuar: prej të drejtave të qytetarëve deri tek shteti i së drejtës. Është komprometuar madje edhe orientimi europian si doktrinë perëndimore. Nëse do të bëhej një anketim i popullit shqiptar për kodin e besimit të tyre, jam e sigurt se përgjigjja më e qëndrueshme rezulton: Në dorë të Zotit! Që do të thotë se bota nuk ka asgjë më për t’u besuar sa u takon punëve fetare dhe mendjeve njerëzore gjithëaq.

Konfliktet që ndizen cdo ditë në të e provojnë.

Kriza e besimit, e besimit në të ardhmen, e besimit në vlerat e njeriut, e besimit në jetën është më e madhja nga të gjitha. Cfarë ka më pas?

Ku shkuan ato 60 milionë euro është regresi më i madh që ndodh në një vend që aspiron të jetë pjesë e doktrinës së perëndimit edhe si pjestare me të drejta të plota. Është hera e dytë në një dekadë që prej vitit 2011 që shifra të tilla të shqiptohen aq hapur. Dhe jo për të ndërtuar një qytet mrekullish. Po për t’i shfrytëzuar, për t’i dyfishuar, trefishuar duke i përdorur ato aq mirë, sa të nxirrnin një botë të tërë.

Dhe duke bluar tek përcjellësit vetëm një mendim; t’i shpërndajnë ato miliona duke bërë pa mbarim pasuri, të cilat të vërshojnë si lumenj. Dhe ‘i ngrati njeri’ mallëngjehet tek mashtron veten duke besuar se do të veprojë ndershmërisht. Në cdo rast e për cdokënd.

Gjatë shekullit të 20-të shqiptarët dy herë e humbën Europën: në luftën e parë botërore, me krijimin e pashallëqeve dhe sulltanateve; dhe në përfundim të luftës antifashiste, me rreshtimin përkrah kampit lindor të aleancës. Ëndrra shqiptare për Europën u rizgjua në fundin e viteve 1980 si një ëndërr që lindi mes baltës dhe varfërisë. Por atëherë nuk kish shifra. Kish fantazi dhe asnjë spekulim prej kusari që do të bëhej më pas. Por duke pasur vetëm një ëndërr, të pushtonin kryeqytetin për të fituar zemrat e të gjithëve.

E vërteta doli ndryshe. Urat dhe tunelet shqiptare drejt Europës, ëndrrës së humbur qysh prej shekullit të 15-të, në këto dekada u tronditën fort. Dhe nuk ka asnjë arsye për t’u inatosur me Europën. Sepse bashkësia mëmë nuk është e gatshme të pranojë probleme: ajo është e hapur të pranojë arritje.

Po cfarë mund të ndodhë në Shqipërinë e sotme, e cila, në kuptimin e plotë të fjalës, është budallallepsur deri në një shkallë të pabesueshme?

C’mrekullira do të bënin ata që kërkojnë me ngulm ato shifra, nëse do të shkrinin gjithë aftësitë e tyre organizative, dinakërinë, këmbënguljen, shpirtin e tyre të lirë nga paragjykimet!

Do të kishin forcën e pamposhtur që fiton betejat, paranë, paranë me arka, paranë e cila shpesh herë shkakton të këqija por mund të bëjë edhe të mira, nëse shkrin në dashuri për vendin, mburrjen dhe lumturinë tënde!

Por ndodhi e kundërta. Me duart e kryqëzuara në gjoks e zemër disa herë, njeriu i shifrave u shfaq papritur në një sfond të zi për të mos i lënë shteg thashethemeve të këqija. I hidhëruar, sikur i ishte zhdukur një ëndërr e dashur, dukej sikur e kishin rrëzuar nga froni.

Njeriu i ka dashur gjithmonë paratë, jo vetëm për të kënaqur lakminë e tij por dhe për të bërë një jetë princërore. Ai tërbohet sa herë dështon dhe i zhduket cdo shpresë. Kur Zoti nuk pranon dhe ja shkatërron planin, njeriu megjithatë nuk dorëzohet. Ai ringrihet me dëshirën për të luftuar. Për të bërë të mundur ta fitojë atë betejë të ashpër të spekulimeve duke i përpirë të ngjashmit e tjerë që ata të mos e përpijnë atë.

Dhe ja pra, përvec etjes së tij për madhështi e kënaqësi, ai ka dëshirën e zjarrtë edhe për të vepruar.

Dhe turmat poshtë kthehen në miza. Të zhgënjyer prej ëndrrës për liri, rinisin eksodet. Sepse atdheu tronditet nga themelet e shifrave dhe askush nuk duket se është në vendin e vet. Të gjithë janë në ethet e psikozave të protagonizmit, të kryemëvetësisë, të mosbindjes dhe anarkisë.

Ndërsa vetëdija e rajasë rishfaqet me të njëjtën fuqi veprimi si në kohërat otomane, qytetarit i mbetet të pyesë, çfarë është më mirë për të: pjesëmarrja apo mospjesëmarrja? Pjesëmarrja qytetare është fuqia lëvizëse e një shoqërie, por për cilën kauzë?

Mospjesëmarrja, sepse njeriu ka nevojë për vetëmbrojtje, për imunitet, për mospërfshirje, për mosimplikim, tek e fundit për të ruajtur diçka të shenjtë që ka brenda vetes dhe që shumë thjesht quhet ideale!

Kur ne zbulojmë atë që na është fshehur, besojmë se faji mbi ne, më në fund zhduket. Kjo ndodh derisa dikush na vjen pranë dhe na kujton se pavarësisht pafajësisë, të gjitha veprimet tona mbartin pasoja. Dhe jo pak herë ato janë të paimagjinueshme.

Liria apo burgu. Suksesi apo dështimi.

Ja pse kur luftohet për atë që aq shumë e lakmojmë, cfarë vjen më pas shtrihet tej përpjekjeve tona. Duke ndikuar pashmangshmërisht tek të gjithë të tjerët me radhe.

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…