Blinken më 15 shkurt viziton Tiranën, takime me Ramën dhe Dumanin
Antony Blinken është Sekretari i gjashtë amerikan i Shtetit që vjen në Shqipëri për një vizitë zyrtare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë Tiranën të enjten, datë 15 shkurt, ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe kreun e SPAK, Altin Dumani.
Një ditë përpara se të marrë pjesë në konferencën e sigurisë në Mynih, zyrtari amerikan do të ndalet për disa orë në Tiranë, për t’u larguar po atë ditë nga vendi ynë.
Blinken në kryeqytetin shqiptar do të takohet me kryeministrin Edi Rama, me të cilin më pas mund të ketë një konferencë për shtyp.
Sekretari amerikan i Shtetit do të zhvillojë një takim edhe me drejtuesin e SPAK, Altin Dumani.
Gjatë qëndrimit në Tiranë sekretari Blinken pritet të takohet edhe me stafin e Ambasadës së SHBA-së.
Ardhja në Tiranë për disa orë e Antony Blinken do të shoqërohet edhe me masa të rrepta sigurie nga Policia e Shtetit, ku pritet të ketë disa kufizime në segmentet nga aeroporti i Rinasit në drejtim të kryeqytetit, por edhe brenda Tiranës, aty ku Blinken do të lëvizë për të zhvilluar takimet.
Antony Blinken është Sekretari i gjashtë amerikan i Shtetit që vjen në Shqipëri për një vizitë zyrtare.
/Euronews/