Tiranë-Prishtinë, bashkëpunim ndërkufitar për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta
Zyrat e PNUD në Tiranë dhe Prishtinë prezantuan projektet për “Qasjen e integruar institucionale dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e kontrollit të Armëve të Vogla dhe të Lehta”.
Zyrat e PNUD në Tiranë dhe Prishtinë, në bashkëpunim me Komisionet Kombëtare për Armët e Vogla dhe të Lehta, prezantuan bashkërisht projektet e tyre përkatëse për “Qasjen e integruar institucionale dhe rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e kontrollit të Armëve të Vogla dhe të Lehta”.
Të dyja projektet trajtojnë sfidat e lidhura me kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, në përputhje me Udhërrëfyesin e Ballkanit Perëndimor për një zgjidhje të qëndrueshme për zotërimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta/armëve të zjarrit dhe municioneve të tyre në Ballkanin Perëndimor, brenda vitit 2024.
Udhërrëfyesi e parashikon Ballkanin Perëndimor si një rajon të sigurt dhe një eksportues të sigurisë, ku ekzistojnë mekanizma gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, të harmonizuar plotësisht me standardet e Bashkimit Evropian dhe me standarde të tjera ndërkombëtare, për të identifikuar, parandaluar, proceduar dhe kontrolluar zotërimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të zjarrit, municioneve dhe eksplozivëve.
Iniciativat e prezantuara mbështeten në objektivat specifikë të Udhërrëfyesit dhe janë në përputhje me Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 16, i cili synon të promovojë shoqëri të drejta, paqësore dhe gjithëpërfshirëse përmes luftës kundër krimit të organizuar dhe flukseve financiare të paligjshme.