“News Day Fr”: Vizitoni plazhet ‘parajsë’ në Rivierën Shqiptare
E përditshmja franceze “News.day Fr”: Përveç plazheve të shumta, vendi ofron edhe peizazhe piktoreske dhe qytete turistike
Jeni duke kërkuar për një destinacion më pak të njohur për të kaluar pushimet? Shqipëria është vendi ideal, ende e mbrojtur nga mbipopullimi i turistëve. Së shpejti, ky vend pritet të bëhet një nga destinacionet kryesore verore, shkruan në një artikull e përditshmja franceze “News.day Fr”.
Me një vijë bregdetare 363 kilometra, e cila laget nga detet Adriatik dhe Jon, Shqipëria ofron plazhe të mrekullueshme me rërë, gjire dhe dete të veçuar, shpesh të konsideruara si “Karaibet e Evropës”.
Përveç plazheve të shumta, vendi ofron edhe peizazhe piktoreske dhe qytete turistike.
Ne ju sugjerojmë disa nga qytetet më të mira në Shqipëri për të vizituar.
Apolonia, një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë
Është një nga qytetet më të vjetra në Shqipëri, ku mund të eksploroni një sërë rrënojash e monumentesh të rëndësishme greke.
Ky vend është i ruajtur mirë dhe çuditërisht i zbrazët, pavarësisht vlerës historike dhe rëndësisë turistike.
Vizitorët do të kenë mundësinë të vëzhgojnë fasadën e tempullit ende ‘në këmbë’, teatrin dhe monumente të tjera antike.
Ata do të gjejnë gjithashtu një kishë madhështore mesjetare, kushtuar Shën Mërisë, e cila dëshmon për kristianizimin e shpejtë të rajonit.
Vlora, pranë Italisë
E vendosur vetëm 72 kilometra nga bregdeti italian, në jug të Tiranës, qyteti i Vlorës është gjithashtu një nga qytetet më historike në Shqipëri.
Lindja e saj daton në shekullin e VI para Krishtit.
Pranë qytetit ndodhet plazhi i Jalës, një plazh i bukur i izoluar dhe i qetë.
Qyteti ka gjithashtu një nga portet natyrore më të njohura në vend, në fund të të cilit ndodhet ishulli i Sazanit.
Dhërmiu, një nga plazhet më të bukura në Shqipëri
I vendosur në gjysmë të rrugës midis Vlorës dhe Sarandës në bregdetin e Jonit, fshati Dhërmi është një ndalesë thelbësore për çdo qëndrim në Rivierën Shqiptare.
Ai është i njohur për peizazhet e tij me detin blu bruz dhe malet në sfond.
Ky fshat është një nga vendet turistike më të vizituara në të gjithë bregdetin shqiptar.
Jo shumë larg plazhit të Dhërmiut, mund të vizitoni Shpellën e Piratëve, e aksesueshme me varkë ose traget.
Borshi, vendi ideale për të notuar në Rivierën Shqiptare
Ky fshat bregdetar në Rivierën Shqiptare është vendi ideal për një not në ujë të pastër duke vëzhguar peizazhin e mrekullueshëm malor.
Borshi ka rreth 1000 banorë dhe është pjesë e bashkisë së Himarës.
Ai është i njohur për plazhin dhe burimet e tij që zbresin nga mali, duke ofruar një panoramë të bukur nga kalaja që dominon fshatin.
Saranda, një nga qytetet turistike më të rëndësishme në Shqipëri
Saranda ndodhet në jugperëndim të Shqipërisë, në detin Jon.
Është një nga qytetet turistike më të rëndësishme në bregdetin Jon dhe ndodhet afër Parkut Kombëtar të Butrintit e njohur nga UNESCO.
Vizitorët mund të eksplorojnë plazhin e Ksamilit, dhe katër ishuj të vegjël të mbuluar me bimësi mesdhetare.
Nga Saranda mund të bëni një ekskursion në rrënojat e Butrintit.
Qyteti është gjithashtu vetëm 9 kilometra nga ishulli grek i Korfuzit.
(Marrë nga ATSH)