Me 16 heronjtë e gjallë të Fekenit!

11 heronjtë e Fekenit! 11-të të mahnitshmit, me aktin e tyre të malit të Meçekut


Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

Erdha tek ky shkrim që ju kisha premtuar. Kam një sfidë për ta kapërcyer dhe nuk e di nëse do t’ia dal. Por në fakt çdo shkrim është sfidë, pasi së pari këtë e ke me lexuesin, e më pas me temën e materialit. Parë kështu, më bie të përballem me dy sfida: kjo e lexuesit po se po, por edhe ndaj atyre burrave, që ndamë tavolinën më përshtyplënëse.

Vasip Çopa, zotni i traditave të gjakut të familjes, por ruajtur kështu edhe ndaj miqve dhe shokëve, vendosi të mbledhë tryezë veç vetes edhe me shtatë të tjerë. Është gjeneral brigade Vladimir Qiriazi, kolonelët Agron Zerani, Bernard Zotaj, Jorgo Qirko, Lefter Duraj, gazetarët Bujar Qesja dhe Fatmir Efica. Vendi i takimit në një bukuri natyrore të rrallë, në mes disa kodrash, që përfshihet në fshatin e quajtuar Arapaj, por me kalim nga rruga e Ndroqit.

Dielli pranveror, që thyente lehtësisht xhamat e qendrimit tonë, na bënte të harronim që ndodheshim në muajin shkurt, ku dimri është komandant i motit dhe se pranvera mos kishte gabuar atë ditë. Sebepi i Vasip Çopës, ishte i madh. Së pari ftoi të vëllanë Nexhipin dhe nuk e ndau atë edhe nga 10 djemtë më të bukurit dhe më të mirët, që janë vendosur në thellësinë e tokës mëmë, që nga 6 shkurti i vitit 1981.
Gjithçka joshëse dhe e praruar në atë bukuri të rrallë, ku natyra kishte nxjerrë nga magazinat e saj tërë fuqinë e shkëlqimit dhe ndriçimit, ku në tryezën e mirësisë ishin ulur së bashku me tetë burra edhe këto të 11-të heronjtë shqiptarë, të vendosur në mitologjinë e mos-harresës së përjetshme. I respektuam së pari të lavdishmit tanë, duke i ulur në fronin nderues të kujtesës tonë dhe i uruam mirseardhjen. Dhe pasi u siguruam për këtë, bashkohemi edhe ne tetë të tjerët.

Sfida nisi. E lapsi im, duhej të formulonte mendimin nga kjo sofër gjigande, e rrallë, shumë e veçantë, ku tetë burra kishin m’u në mes të zemrës së tyre 11-të tjerë. Janë betuar për t’i parë tërë jetën në llampadarët e fuqishëm, ku shndrin si zjarr gjigand gjaku i tyre. Dhe ky gjak do të rrjedhë, e do të rrjedhë si ogur i mirë i mirnjohjes dhe i betimit, për të qenë tërë kohën së bashku.

11 heronjtë e Fekenit! 11-të të mahnitshmit, me aktin e tyre të malit të Meçekut, i lartë 1821 metra, ku mbajti në faqen e tij ortekun më të madh prej 500 metrash, që goditi si egërsirë 200 djemtë e nënave, lulen e kuadrove të ushtrisë shqiptare. O tmerr korb i zi! Dhe secili prej nesh të tetëve, uli kryet përpara se të ngrinim bisedën, në heshtje bëri apelin sublim, nga më drithëruesit, nga më të prekshmit:

Dushan Shameti, Çlirim Pulaj, Nikollaq Bero, Aleko Gjoni, Besnik Shehu, Bilbil Pashaj, Ilir Gramatikoi, Bujar Ago, Pëllumb Rrapo, Qemal Lika dhe Nexhip Çopa!

-Këtu, oshëtiu zëri i fuqishëm i të 11-të heronjve, që tronditi edhe njëherë ashtu fort honet e frikshme dhe të kobshme të malit të Meçekut.

Vështroja Agron Zeranin, nga Mirasi i Devollit. E mbuloi orteku plotësisht. Ia mori peng frymën. Por heronjtë e tjerë e shpëtuan. I ngrirë kallkan, i jepet ndihma. 70 ushtarakë të tjerë të përmbytur nga dëbora, gati pa shpresë kërkonin ndihmë. Nexhip Çopa, i sëmurë, sapo mësoi se çfarë po ndodhte në malin e Meçekut, vrapon me shpejtësinë e erës për të shpëtuar shokët. Dëbora është gërrmuar me thonjtë e gjakosur të duarve. Ky gjak ishte drita e shpëtimit, rrezja e shpresës për të fundosurit në dëborën e bardhë, por që në atë 6 shkurt 1981 ishte nga më të zezat. Dhe kështu, ky Nexhip i fisit të artë të Çopajve, meritoi bredhin e kujtesës të Agron Zeranit.

-Ta bëftë gjithnjë mbarë Zoti, Vasip Çopa! Nexhipi ka marrë leje në parajsën e tij dhe e shtroi këtë sofër për shokët që frymojnë, me oksigjenin e marrë borxh nga gjaku i heroizmit të 11-të martirëve të Fekenit.

Mendimi im nuk mund t’i kalojë logjikës, por as nuk mund të frenohet kur çmon, se tryeza e rrethuar me gjeneralë e kolonelë, me djem nënësh të ndjeshëm dhe me shpirt të madh, të pamatshëm, është e veçantë, e paprekur më parë. Dhe këtu qendron ajo sfida, për ta sjellë në lexim ashtu si e meriton. U takuam për të kaluar një drekë. Vasipi ishte kujdesur me detaje, që gëzimi të bëhej nëpërmjet përjetimit dhe mbresave, dukurisë dhe ndjenjave, që kanë mbetur në kulmin e heroizmit të 6 shkurtit 1981.

Parë kështu, kemi 11-të heronjtë e përjetësisë dhe 5 heronj të gjallë, me gjak dhe me frymë, që burimin e përjetimit, e kalonin tek lumi i madh i dhimbjes, por edhe i detyrimit për përjetësinë. Vladimir Qiriazi, kolonjari shtatlartë si një mal, gjenerali i sprovuar me taktikat e djeshme dhe të sotme luftarake, i shkolluar dhe i maturuar në akademitë ushtarake të avancuara, flet dhe investon respekt. Dhe pas tij krijojnë grupin e ushtarakëve edhe 4 kolonelë, njerëz për t’u pirë në kupë, njerëz kur të lexojnë seriozitetin dhe identitetin, të falin zemrën.

Agron Zerani, “Qytetar Nderi i Devollit”, zemra e madhe e të cilit nuk ka mbarim. I mbijetuar. Qametin ka parë, por tmerrin më të madh e përjetoi, kur mësoi për skuqjen e dëborës në malin e Meçekut, me gjakun e 11-të shokëve më të ngushtë, më të mirët, më heroikët. Bernard Zotaj, profesor, studiues, hulumtues dhe krijues. Nga Smokthina e Vlorës. Jorgo Qirko, krenaria e Lunxherisë, ushtarak i sprovuar i Gjirokastrës. Lefter Duraj, me vendlindje Hekalin e Mallakastrës. Ushtarak i zoti, por edhe poet, krijues nga më të çquarit.


Të tetët e sofrës së miqësisë dhe kujtimit. Në këmbë nga e majta: Jorgo Qirko, Agron Zerani, Vladimir Qiriazi, Lefter Duraj. Ulur nga e majta: Bernard Zotaj, Bujar Qesja, Vasip Çopa, Fatmir Efica.

Hajde Vasip Çopa, hajde! Çfarë ishte kjo magji që na ofrove?

Folëm të gjithë nga pak. Fekeni i të gjallëve, iu ul në gjunjë Fekenit të lavdisë, të asaj lavdie që është shkruar me ngjyrat më të ndezura, më të dukshme, më të prekshme, më të veçanta. A nuk janë të tilla, ngjyrat e krijuara me gjak?

Para këtyre burrave, pavarësisht se isha në identitetin tim të ligjshëm, vetja m’u duk një ushtar i thjeshtë. Isha gati të merrja çdo detyrë nga këta ushtarakë, të cilët janë ushqyer tërë kohën me atë atdhedashuri, me atë patriotizëm, me atë sakrificë, që nuk mbahet nga kushdo. Çfarë qe kjo ditë? Çfat m’u fal dhe m’u dha si një dhuratë, për ato dëshmorë që shkruajtën historinë me gjak dhe këta të gjallë të këtushëm, që nuk janë tjetër veçse vazhdim i tyre.

Si mund të ishte i qetë ky Zeran, nëse nuk do t’i bashkonte të 11-tët si gishtat e dorës, për t’i sjellë në liqenin e Farkës, e t’u bëjë lapidarin dhe pemët e lavdisë? Çfarë veprimi? Çfarë frymëzimi krijon, Zerani i madh i Mirasit? Dhe këtë e kisha atë ditë, m’u përballë. Tek Agroni shikoja, të 11-tët. Ky mund të ishte i 12-ti, por u shpëtua.

Sofra e thërritur nga Vasip Çopa, m’u duk si mali i Meçekut. Në këtë sofër, m’u çfaqën sërish orteqe të mëdha, por shumë më të mëdha nga ato të mëparshmit. Janë orteqet e krijuara nga miqësia dhe vëllazëria e jonë, janë orteqe që nuk ndalen nga kujtimi për të 11-tët, orteqet e mos-harresës dhe të mirnjohjes. Nexhip Çopa ishte vendosur në krye të sofrës. Vasipi më iku nga sytë dhe u vendos brenda të vëllait.
Zoti i kishte dhënë leje atë ditë Nexhipit 65-së vjeçar dhe në emër të shokëve të martirizuar nga tërbimi dhe egërsia e natyrës, erdhi dhe frymoi me ne të tjerët. Më pari me shokët e tij ushtarakë.
Eh Vasip Çopa, çfarë kryevepre realizove! A nuk janë të tilla, çdo hap që ka ta bëj me respektin, përkuljen dhe përuljen, ndaj gjakut të derdhur si lumë nga dejet, nga e shtrenjta jetë dhuruar Atdheut, tokës së ëmbël tonën?

Eh Vasip Çopa, ç’na bëre? Ta paçim borxh!

Durrës: 22 shkurt 2024

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…