Gonzato: Sipërmarrjet sociale, pasuritë e fituara përmes krimit e korrupsionit i kthehen komuniteteve
Kreu i delegacionit të BE, Silvio Gonzato ishte i pranishëm në Durrës së bashku me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla
Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato ishte i pranishëm në vizitën në Durrës së bashku me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla ku panë nga afër se si apartamenti i një zyrtari të lartë ishte kthyer në një qendër sociale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gonzato tha se “korrupsioni dhe krimi i organizuar grabisin burimet që i përkasin komunitetit”.
“Në Durrës isha dëshmitar se si pasuritë e fituara përmes korrupsionit dhe krimit mund t’i kthehen komuniteteve lokale. Sot përuruam “Qendrën e Artit dhe Aktivizmit” në një apartament që më parë i përkiste një ish-prokurori të korruptuar”, informoi ai.
Kjo sipërmarrje sociale është mundësuar nga projekti TËIST, financuar nga BE-ja. Qendra pret krijues të rinj që të mësojnë teknika të reja dhe të prodhojnë art.
“Qendra është rezultat i partneritetit mes BE-së, qeverisë shqiptare, bashkisë së Durrësit dhe shoqërisë civile shqiptare dhe italiane.
“ Siç i thashë dhe ministrit Taulant Balla, ne duhet ta përshkallëzojmë këtë lloj projekti. Krijimi i një Zyre për Rekuperimin e Pasurive mund të jetë një kontribut i mirë”, u shpreh ambasadori i BE-së Silvio Gonzato.