Nikolla: Shqipëria, e vendosur kundër agresionit dhe pro luftës së drejtë të Ukrainës
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla dha sot një mesazh në dyvjetorin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla dha sot një mesazh në dyvjetorin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
“Sot, dy vjet nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës. Shqipëria ka dënuar ashpërsisht shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, dhe ka mbështetur e mbështet fuqimisht luftën e imponuar dhe të drejtë të popullit të Ukrainës”, u shpreh Nikolla.
“Kuvendi, nëpërmjet Rezolutës së miratuar menjëherë pas këtij sulmi, ka mbështetur masat e ndërmarra nga qeveria, në bashkërendim me aleatët SHBA dhe BE, sanksionet ekonomike, veprimet diplomatike dhe ndihmën ushtarake e humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj”, theksoi Nikolla.
“Si bashkëpenëmbajtëse me ShBA në KS të OKB për mbështetjen e Ukrainës, Shqipëria ka qenë e vendosur kundër agresionit dhe pro luftës së drejtë të Ukrainës. I tillë do të vijojë qëndrimi ynë deri në çlirimin e Ukrainës. Slava Ukraini!”, përfundoi mesazhin e saj Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.