Alqi Lepuri, artisti i larë me ujin e bekuar të detit të brigjeve joniane!
“Artisti i Merituar” dhe pedagogu i Institutit të Lartë të Arteve, (ILA), Mjeshtri skrupuloz i dirizhimit.
Nga Ilir Çumani
Sot, u takova dhe ndala pak hapin për të biseduar me mikun dhe patriotin tim nga Saranda, ish pedagogun e Institutit të Lartë të Arteve, (ILA), Mjeshtërin skrupuloz të dirizhimit, Artistin e Merituar Alqi Lepuri
Takohemi shpesh bashkë dhe përshëndetemi gjatë javës, mbase edhe çdo ditë, ngase të dy jemi fqinjë në një lagje….
Sinqerisht, takimi me mjeshtërin gjithmonë është i dëshiruar për mua, sepse më ngazëllen, më jep një gazmend dhe emocion të veçantë që rrallë e ndesh tek persona të tjerë.
Ai, (për mua personalisht), më ngjason gjithmonë me një krijesë krejtë të veçantë, të brishtë e delikate, sa intelektuale dhe sociale, aq edhe kreative, frymëzuese, inspiruese, me energji mjaft pozitive, me humor të pashterrshëm, plotë finesë dhe elegancë, që vetëm artistët e kalibrit si ai e kanë të mbrujtur, ajo u buron së brendëshmi në mënyrë origjinale dhe krejt organike…
Takimi me Alqin, më jep gjithmonë përshtypjen e intelektualit dhe profesionistit të përkorë që i përketë jo vetëm racës së artistëve të vërtetë, por të gjithë shtresës së epërme të shoqërive të emancipuara…
Ngase ai ka një veçori kaq njerëzore dhe të vërtetë, gati gati të shejntëruar në të gjitha temat dhe aspektet e komunikimit, të marrëdhënies e ndërveprimit.
Duket se edhe temat shumë serioze përmes bisedës me të, zhvishen nga tisi dramatik dhe vishen me aureolën e bukur të shpirtit njerëzor, me të bukurën, me atë që është e pacënueshme nga çdo forcë e errët, me dëshirën e madhe për jetën që ai e përcjell përmes sarkazmës dhe humorit të mençur si rrallëkush…
Të falem Miku im Artist, i larë dhe i mëkuar me ujin e bekuar të detit të kaltërt të brigjeve joniane…!