Muzhaqi: Mijëra të rinj, përfitime nga praktikat e punës dhe programet e kodimit
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në 1-vjetorin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, u ndal te objektivat e arritura
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në 1-vjetorin e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, u ndal te objektivat e arritura në kuadër të kësaj strategjie lidhur me fuqizimin dhe pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri.
Ministrja theksoi se të rinjtë përbëjnë 22% të popullsisë së Shqipërisë dhe mbeten grupi demografik më i madh në vend dhe faktori kyç për zhvillimin dhe përparimin e vendit në dekadat e ardhshme.
“A mundet qeveria ta ndalojë largimin e të rinjve? A duhet ta ndalojë? Këto janë pyetje që zënë vend në çdo bisedë dhe përgjigjja është e qartë, jo. Qeveria as nuk duhet, dhe as nuk mundet e vetme të ndalojë largimin e të rinjve, por duhet të punojë me shpejtësi për të ndërtuar mundësi që të rinjtë ta gjejnë veten si partner aktiv në zhvillimin e Shqipërisë dhe ky është vizioni i qeverisë shqiptare”, tha ajo.
Sipas ministres, “Shqipëria që kërkojnë të rinjtë shqiptarë nuk ndërtohet vetëm nga qeveria, bashkia, shoqëria civile, por duhet që të gjithë të bashkojnë fuqitë në këtë drejtim”.
Muzhaqi theksoi se fokusi i Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029 është
fuqizimi i të rinjve, përmirësimi i aftësive të tyre dhe qasja në tregun e punës.
Në këtë drejtim, ajo theksoi se është zhvilluar programi kombëtar i praktikave të punës për të hapur dyert e administratës për të rinjtë.
“Kemi krijuar agjencinë e “startup-eve” dhe janë vendosur në dispozicion fonde që mbështesin të rinjtë. Janë ndërmarrë nisma për ndërkombëtarizimin e universiteteve”, theksoi ajo.
Muzhaqi bëri të ditur se nga programi kombëtar i praktikave të punës kanë përfituar 1700 të rinj të sapodiplomuar. Lajmi i mirë, sipas ministres, është që është shtuar edhe komponenti mbështetës financiar për këdo që fillon praktikën në institucionet shtetërore.
Po ashtu, Muzhaqi theksoi se nga programet e kodimit u mbështetën 1285 të rinj në 1 vit, që u financuan për të marrë pjesë në kurse afatshkurta. Ky program, sipas saj, i siguron tregut të gjithë kapitalin njerëzor të kërkuar.
“Pjesa më e madhe e përftuesve të këtij programi punojnë për kompani të huaja nga Shqipëria”, shtoi ajo.
Muzhaqi theksoi po ashtu se është mbështetur dhe nxitur inovacionin rinor përmes edukimit cilësor në fushën e TIK, duke rritur mundësitë për të hyrë në tregun e punës.
“10 mijë të rinj janë angazhuar në programin e ekipeve sportive në shkolla, duke krijuar një program shqiptar model edhe për vendet e tjera, krejtësisht i financuar nga qeveria shqiptare duke mundësuar që fëmijët të kenë akses në sport. Po ashtu, 10 mijë të rinj janë të përfshirë në kurset e arteve dhe zejeve, duke zhvilluar talentet e tyre, edhe ky një program i mbështetur krejtësisht nga qeveria shqiptare”, theksoi Muzhaqi.
Ministrja u ndal edhe te ndërhyrjet e tjera që rrisin sigurinë në ambientet shkollore, por edhe garantojnë shëndetin e nxënësve dhe të rinjve.
Ajo vlerësoi po ashtu dhe mbështetjen e partnerëve dhe shoqërisë civile, Ndërsa shtoi se falë kësaj mbështetje buxheti dedikuar të rinjve është 11-fishuar.
(Marrë nga ATSH)