Gonxhja në forumin “Keiretsu” të Evropës Juglindore: Angazhim i përbashkët për të ushqyer startup-et
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja nënvizoi sot nevojën për treg të unifikuar të Europës Juglindore që tërheq investime dhe vëmendje ndërkombëtare.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja nënvizoi sot nevojën për treg të unifikuar të Europës Juglindore që tërheq investime dhe vëmendje ndërkombëtare.
Gonxhja mbajti një fjalë përshëndetëse në forumin e Europës Juglindore “Keiretsu”, që solli Launchub dhe Vitosha Ventures në Tiranë, me një portofol investues prej 100 milionë euro.
Ky takim shënoi një moment kyç për investitorët e startup-eve, ku bashkëpunimi bëhet katalizator për transformimin.
“Mundësitë e bashkëinvestimit jo vetëm që nënkuptojnë një bashkim të burimeve, por edhe një angazhim të përbashkët për të ushqyer startup-et, si në nivel lokal ashtu edhe atë global. Duke zgjeruar horizontet tona të investimeve, ne i hapim rrugën jetëzimit të inovacionit dhe të ekonomisë”, tha Gonxhja.
Në Shqipëri dhe më gjerë në rajon, theksoi ai, startup-et shpesh e gjejnë veten në një moment kritik, duke u përballur me një boshllëk financimi që kërcënon potencialin e tyre të rritjes.
“Investitorët “ëngjëj” shfaqen si heronj të heshtur, duke kapërcyer këtë boshllëk e duke ofruar jo vetëm kapital, por edhe një themel të fortë mbi të cilin startup-et mund të ndërtojnë dhe të avancojnë. Fuqia e investitorëve “ëngjëj” shtrihet përtej mbështetjes financiare. Rrjetet dhe ekspertiza e tyre shërbejnë si udhëzues për startup-et në fazat e hershme, duke i shtyrë ata përpara në udhëtimin e tyre”, u shpreh ministri.
Sipas ministrit Gonxhja, ky forum shërbeu si një platformë, duke ndihmuar drejt vizionit për treg të unifikuar që tërheq investime dhe vëmendje ndërkombëtare e duke nxitur dhe përforcuar zërin kolektiv të Evropës Juglindore në skenën globale.
“Qeveria shqiptare është krenare për rolin aktiv e protagonist në mbështetjen strategjike të këtij sektori pararojë për modernizimin. Për më tepër, kjo ngjarje hodhi dritë mbi grupin e talenteve të pashfrytëzuara brenda Ballkanit Perëndimor, duke theksuar potencialin e rajonit dhe duke e pozicionuar atë si një vatër për inovacion dhe sipërmarrje energjike. Me 9 unicorns dhe mbi 10 të tjerë në zhvillim, Evropa Juglindore qëndron e gatshme në prag të një epoke transformuese, ku startup-et me vlerë të lartë ripërcaktojnë peizazhin ekonomik. Forumi Keiretsu SEE shërben si një katalizator për këtë evolucion, duke paralajmëruar rritjen e unicorns të Evropës Juglindore dhe duke çimentuar statusin e rajonit si një fuqi reale e inovacionit”, deklaroi ministri.
(Marrë nga ATSH)