Bergner: Gjermania mbështet një anëtarësim të afërt të Shqipërisë në BE
Ambasadori gjerman Karl Bergner takohet me Bledi Çuçin, kryetari i ri i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani
Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner u takua dje, me Bledi Çuçin, kryetari i ri i grupit parlamentar të miqësisë Shqipëri-Gjermani dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Gjatë bisedës u diskutua për marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore mes Gjermanisë dhe Shqipërisë dhe situatën aktuale të politikës së brendshme, bëri të ditur Ambasada gjermane në Tiranë.
Ambasadori Bergner nënvizoi rolin e rëndësishëm të grupeve parlamentare për legjislacionin dhe në kontrollin e pushtetit ekzekutiv. Të gjitha fraksioneve të mazhorancës dhe opozitës duhet t’u jepet hapësira e nevojshme dhe në të njëjtën kohë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive në interes të qytetarëve.
Ambasadori Bergner përsëriti mbështetjen e Gjermanisë për një anëtarësim të afërt të Shqipërisë në BE.
Në rrjedhën e përafrimit të Shqipërisë me BE-në, është shumë e rëndësishme që projektet legjislative të përmbushin standardet e BE-së.