Koopman: Vendet e rajonit, ndryshime ambicioze në legjislacion për përafrim me BE
Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian
Shefi i Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, (DG Near), Gert Jan Koopman deklaroi sot nga Tirana se “ka mbetur vetëm një muaj për të përfunduar axhendën e reformave sepse ligjvënësit do të miratojnë ligjet e duhura deri në fund të prillit”.
Në fjalën e tij në samitin BE-Ballkani Perëndimor mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet sot në Tiranë, Koopman tha se “cilësia duhet të jetë shumë e lartë, por koha po ecën dhe në katër javët në vijim ne na duhet të kemi një produkt të një cilësie shumë të lartë në mënyrë që fondet të fillojnë të hyjnë në maj dhe përpara pushimeve të verës”.
Më tej, Koopman tha se “prania e udhëheqësve sot tregon se është dëshmi për angazhimin tuaj dhe kështu tregohet edhe ritmi i shpejtë që foli edhe komisioneri Varhelyi. Për të ecur përpara duhet që ky ritëm të jetë i qëndrueshëm, duhet të udhëhiqet nga lart”.
Koopman theksoi se “së dyti nuk bëhet fjalë vetëm për udhëheqësit, por siç e tha edhe kryeministri Rama kjo është një përpjekje e të gjithë shoqërisë dhe institucionet e pavarura duhet të bëjnë punën e tyre për këto ndryshime, përndryshe nuk do t’ia dalim mbanë që të arrihet gjithçka për këtë rritje që ne kërkojmë”.
“Së treti vënia në zbatim është e vështirë, nuk është diçka e lehtë, është e vështirë për vendet e rajonit sepse ato vende do të duhet të bëjnë disa ndryshime ambicioze në legjislacion për ta përafruar atë me legjislacionin e Bashkimit Europian. Është gjithashtu e vështirë sepse disa nga nismat duhet të jenë funksionale si psh, CEFTA. Edhe ne nga ana jonë duhet të jemi gjithë kohën përkrah jush”, nënvizoi Koopman.
Në Tiranë po mbahet sot Samiti Rajonal mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në samit merr pjesë Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, si dhe liderët e rajonit.
(Marrë nga ATSH)