Katër marrëveshjet e arritura në Samitin Ballkani Perëndimor-BE
Na ulja e kostove të transaksioneve bankare te korsitë e gjelbra
Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi nënvizoi sot se janë katër marrëveshje që u arritën sot në Samitin BE-Ballkani Perëndimor për Planin e Ri të Rritjes.
Në konferencën e përbashkët për mediet me kryeministrin Rama, Varhelyi tha se: “mendoj që sot ne patëm marrëveshje për katër fusha ku duhet të ketë rezultate sivjet. E para, ka të bëjë me SEPA-n, që do të thotë një rishikim tërësor i të gjitha aspekteve rregullatorë në vendet tona. Shikojmë tashmë që në fakt vendet po përgatiten për këtë gjë dhe që të jem i sinqertë nuk duhet të jetë shumë e vështirë për shembull sepse sistemi bankar kryesisht ka në vetvete banka evropiane”.
Sipas tij, “kjo do të thotë se ato duhet të aplikojnë të njëjtat rregulla që aplikojnë në vendet e tyre të origjinës, por sfida është sa shpejt do të mund të arrijmë ne që këto rregulla të bëhen konkrete në terren, pra sa shpejt mund të aplikohen ato, por mendoj që ka patur dakordësi të gjerë që kjo gjë do të arrihet sivjet dhe besoj se do të arrihet sivjet”.
Komisioneri nënvizoi se marrëveshja e dytë ka pasur të bëjë me korsitë e gjelbra. “Me korsitë e gjelbra e kemi fjalën që të heqim të gjitha kohët e pritjes në pikat kufitare, që do të thotë se do të rregullohen procedurat doganore në mënyrë që të përshpejtohen kalimet në kufi në të gjithë rajonin. Ne tashmë kemi disa pika të kalimit kufitar që funksionojnë në formë të dyfishtë për shtete të ndryshme, por duhet ta zgjerojmë këtë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, pra ta shtrijmë në të gjitha vendet, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Kjo është sërish një gjë që duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti dhe në këtë formë në mënyrë të konsiderueshme do të ulë kostot e biznesit për bizneset e ndryshme në vendet e rajonit”, sqaroi ai.
E treta fushë, vijoi Varhelyi tha se “ka të bëjë me punën kërkimore shkencore që do të thotë që të sjellim brezin tjetër të industrive të ndryshme në rajon, që do të thotë që inovacioni, hulumtimi, kërkimi shkencor, industri të ndryshme do të kenë nevojë për një, të themi në fakt për atë që do të quhej një qendër ku të jenë këto industri, një bërthamë ku këto industri të mund të mbështeten dhe kjo të krijohet këtu në Ballkanin Perëndimor. Po flasim për aspektet farmaceutike, për sektorin farmaceutik digjital, aty ku njohuritë për teknologjitë aplikohen çdo ditë”.
“E fundit dhe ndoshta nuk e di siç duhet shkurtimin, unë vetë e quaj rrjetin falas të internetit në hapësirat publike në të gjithë Ballkanin Perëndimor, pra që të gjithë të kenë mundësi që të hyjnë në internet dhe ne këtë mund ta shohim edhe si pjesë të planit të investimeve ekonomike, i kemi fondet për këtë gjë dhe tashmë duhet t’i pajisim bashkitë me të gjitha mjetet e duhura që kjo gjë të bëhet realitet sivjet. Pra këto janë ato katër fusha prioritare për sivjet”, deklaroi Komisioneri i BE-së.
Ai shtoi se gjëja tjetër që u diskutua gjerësisht është çfarë do të bëjmë vitin e ardhshëm.
“Tashmë ne po presim që vetë rajoni të na sjell ide, çfarë duan vendet e rajonit që të ndodhë vitin e ardhshëm, ku janë pengesat për ekonomitë, për qytetarët, pra çfarë gjërash mund të arrijmë vitin e ardhshëm në atë 12 mujor që të arrijmë të tregojmë ndryshime të prekshme për qytetarët dhe kjo sa u përket financimeve, është përveç 30 miliard eurove, përndryshe kemi edhe 6 miliard euro, 2 miliard euro në grane dhe pjesa tjetër me hua. Pra, siç e tha kryeministri këto financime shtesë do të përcaktohen dhe do të jenë për të gjitha përpjekjet që duhen për reformat, për të sjellë vendet tuaja pranë anëtarësimit në BE”, përfundoi Komisioneri për Zgjerim.
(Marrë nga ATSH)