Baza ajrore në Kuçovë, Wisner: Gur kilometrik në përkushtimin e Shqipërisë ndaj parimeve të NATO-s
I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, David Wisner deklaroi sot se hapja e bazës së parë ajrore në Kuçovë përbën një tjetër gur kilometrik
Shefi i Misionit dhe i Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA në Tiranë, David Wisner deklaroi sot se hapja e bazës së parë ajrore në Kuçovë përbën një tjetër gur kilometrik në përkushtimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj parimeve të NATO-s.
Në ceremoninë e hapjes së bazë ajrore të NATO-s, në Kuçovë, e cila do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve tanë, ndërkohë që i jep vendit tonë një rëndësi të re gjeostrategjike, Wisner përgëzoi Shqipërinë që në 15-vjetorin e anëtarësimit në NATO, përuron bazën e parë ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
“Ky është një tjetër gur kilometrik në përkushtimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj parimeve të NATO-s, mbrojtjes së paqes, lirisë dhe demokracisë dhe kundërshtimit të kërcënimeve përmes parandalimit të mbrojtjes”, deklaroi Wisner.
Wisner u shpreh se NATO qëndron si Aleanca më e suksesshme dhe më e qëndrueshme në histori.
“Sot, pavarësisht sfidave të mëdha, NATO është më e fortë, më e madhe, me burime më të mira dhe në të vërtetë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia, NATO është rritur, si simbol i gjithë angazhimit tonë dhe veçanërisht si simbol i solidaritetit të Shqipërisë me anëtarët e NATO-s”, shtoi Wisner.
Wisner përgëzoi dëshirën e Shqipërisë për të zgjeruar më tej bashkëpunimin me NATO-n, ndërsa lëvdoi edhe përkushtimin e Shqipërisë për modernizimin e ushtrisë së saj për përmbushjen e angazhimeve të NATO-s.
“Shqipëria është e vlerësuar dhe mbron stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Kjo është tejet kritike. Pres me padurim rritjen dhe kontributin e vazhdueshëm, tejet të rëndësishëm për vitet përpara. Veçanërisht ne shkojmë përpara drejt Samitit të NATO-së në Uashington kësaj vere. Ne qëndrojmë së bashku, jemi më të bashkuar dhe më të fortë së bashku”, u shpreh Wisner.