Shqipëria luan miqësoren e fundit para Euro 2024 me Azerbajxhanin
Ndeshja miqësore me Azerbajxhanin do të luhet më datë 7 qershor
Pas dakortësisë për të luajtur një ndeshje miqësore me Lihtenshtejnin, Federata Shqiptare e Futbollit ka gjetur gjuhën e përbashkët me Federatën e Azerbajxhanit për të zhvilluar një tjetër miqësore në muajin qershor, para nisjes së Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
Ndeshja miqësore me Azerbajxhanin do të luhet më datë 7 qershor, ndërkohë mbetet për t’u përcaktuar orari dhe stadiumi ku do të luhet kjo sfidë. Kjo do të jetë ndeshja e gjashtë në histori mes dy skuadrave, teksa Shqipëria numëron tre fitore, një barazim dhe një humbje kundër Azerbajxhanit.
Kombëtarja shqiptare fillimisht do të luajë dy takime miqësore në muajin mars. Kuqezinjtë do të përballen me Kilin më datë 22 mars në stadiumin “Ennio Tardini” në Parma të Italisë, duke nisur nga ora 20:45. Ndërsa tre ditë më vonë më datë 25 mars, Kombëtarja do të luajë me Suedinë në stadiumin “Friends Arena“ të Stokholmit.
Në muajin qershor Shqipëria do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera miqësore. E para me Lihtenshtejnin më datë 3 qershor, ndërsa takimi i fundit miqësor para nisjes së Europianit do të jetë ndaj Azerbajxhanit më datë 7 qershor.
Kombëtarja shqiptare do të debutojë në finalet e Europianit “Gjermani 2024” më datë 15 qershor në takimin e parë ndaj Italisë, që do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “BVB Stadion Dortmund”.
Ndeshjen e dytë të grupit kuqezinjtë do ta luajnë katër ditë më pas, më datë 19 qershor kundër Kroacisë duke nisur nga ora 15:00, në stadiumin “Volksparkstadion Hamburg”.
Ndërsa takimin e fundit në grupin B, Shqipëria do ta luajë ndaj Spanjës më datë 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena” në orën 21:00.