Zgjerimi, instrument për promovimin e paqes dhe stabilitetit afër kufijve të BE
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço mori pjesë në Konferencën Ndërparlamentare për Politikën e Përbashkët të Jashtme, të Sigurisë dhe Mbrojtjes
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Nasip Naço mori pjesë në Konferencën Ndërparlamentare për Politikën e Përbashkët të Jashtme, të Sigurisë dhe Mbrojtjes (e njohur edhe si IPC CFSP/CSDP), organizuar nga Parlamenti Federal i Belgjikës dhe Parlamenti Europian, në datat 3-5 Mars 2024, Bruges, Belgjikë.
CFSP/CSDP është vendi ku parlamentet shkëmbejnë informacione dhe përvoja në lidhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe politikën e përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes.
Në këtë konferencë morën pjesë kryetarët e komisioneve parlamentare për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, nga vendet e BE, Europës lindore dhe Ballkanit.
Fokusi kryesor i diskutimeve ishin 3 konfliktet aktuale në Ukrainë, Gaza dhe Armeni si dhe procesi i zgjerimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit dhe Europës Lindore në Bashkimin Europian.
Në përmbyllje të takimit, Presidenca belge e Këshillit të Bashkimit Evropian u shpreh se, është e gatshme të mbështesë vendet kandidate në përpjekjet e tyre për t’u anëtarësuar në Union, pasi që nga fillimi i ndërtimit të Evropës, zgjerimi ka qenë një instrument për promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajonet afër kufijve të Bashkimit Evropian dhe për mbështetjen e zhvillimit në vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në Union, duke respektuar vlerat dhe standardet e BE-së.