UNYT Press promovon librin “Historia e letërsisë turke në Ballkan-nga fillesat deri sot”

“Historia e letërsisë turke në Ballkan-nga fillesat deri sot” nga prof. dr. Mustafa Isen dhe prof. dr. Tuba Durmuş


Nga Dash Frashëri

Qendra e Studimeve Ballkanike dhe UNYT Press, pjesë e Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), kanë prezantuar librin me titull “Historia e letërsisë turke në Ballkan-nga fillesat deri sot”, me autorë prof. dr. Mustafa Isen dhe prof. dr. Tuba Durmuş.

 

Në aktivitetin e organizuar në ambientet e kampusit qendror të UNYT-së ishin të pranishëm përfaqësues të ambasadës turke në Tiranë, të Fondacionit Turk Maarf, të UNYT-së, institucioneve të tjera turke dhe studentë.

Prof. dr. Mustafa Isen, një personalitet i spikatur në botën turke. Prof. Isen ka një përvojë të pasur si pedagog brenda dhe jashtë Turqisë, si studiues me mbi 26 vepra të botuara e një numër të shumtë artikujsh shkencor. Veç kësaj Prof. Isen ka një karrierë mjaft të pasur burokratike, në Ministrine e kulturës, si deputet i parlamentit turk dhe si sekretar i përgjithshëm i presidencës turke.

Gjithashtu Prof. dr. Tuba Durmuş ka një përvojë të pasur si pedagoge në Univeristetin TOBB te Ekonomisë dhe teknologjisë. Kërkimet e saj shkencore janë përqendruar në fushën e krijimtarisë letrare të periudhës osmane, si dhe në produktin që ofron ajo për historinë kulturore. Ajo ka botuar mbi 11 libra dhe mjaft artikuj shkencorë, si dhe është vlerësua me “Çmimin e Shkencëtarit të Ri të Shquar” akorduar nga Akademisë e Shkencave të Turqisë, në vitin 2017.

Anëtari i Bordit të Administrimit të Fondacioni Turk Maarif, Ahmet Türkben, në fjalën e tij gjatë aktivitetit u shpreh se si fondacion kryejnë punën si porta e Turqisë drejt botës, veçanërisht në fushën e arsimit, përfshirë dhe Shqipërinë.

“Ne përpiqemi të ofrojmë shërbime arsimore cilësore për shumë studentë me arsimin tonë”, u shpreh Türkben.

Türkben tha se është shumë e vlefshme që ky aktivitet të mbahet në UNYT, universitet i Fondacionit Turk Maarif, sipas tij “në këtë institucion të veçantë dhe unik për ne”.

Ai theksoi se Ballkani është një gjeografi shumë e vlefshme për Türkiyen dhe shtoi se dëshirojnë të mbështesim aktivitetet arsimore dhe studimet shkencore në Ballkan.

Türkben tha se libri mbi historinë e letërsisë turke në Ballkan do të përmbushë një mision të rëndësishëm dhe shtoi se libri është shumë i vlefshëm.

Këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë, Metin Bulut, tha se përcjellë përshëndetjet e ambasadorit turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay.

“Vepra do të jetë një vlerë e shtuar si për rajonin tonë, i cili ka një histori shumë interesante, ashtu edhe për punimet diplomatike”, theksoi Bulut.

Prof. asoc. dr Lindita Xhanari Latifi nga Qendra e Studimeve Ballkanike dhe UNYT Press në fjalën e saj u shpreh se Ballkani është një vend me një histori të pasur kulturore dhe letrare, ku shumë kultura dhe tradita janë ndërthurur me njëra tjetrën dhe janë zhvilluar përgjatë shekujve, duke shtuar se letërsia turke është një nga këto pasuri.

“Një universitet në jetën e vet ka mjaft ditë të rëndësishme, por sigurisht botimi i një libri, i një studimi të përmasave të mëdha që përfshin një territor gjeografik të gjerë e që mbulon një hapësirë kohore disa shekullore, është ngjarje për të gjithë.

Ballkani është një vend me një histori të pasur kulturore dhe letrare, ku shumë kultura dhe tradita janë ndërthurur me njëra tjetrën dhe janë zhvilluar përgjatë shekujve. Letërsia turke është një nga këto pasuri, e cila ka lënë ndikimin e saj në zhvillimin e kulturës së këtij rajoni.

Në këtë libër, autorët kanë shpalosur dhe analizuar me kujdes rrugëtimin e letërsisë turke në Ballkan, duke hedhur dritë mbi rëndësinë dhe ndikimin e saj në kontekstin historik dhe kulturor të kësaj zone. Përmes përdorimit të burimeve arkivore, autorët kanë sjellë një dimension të ri dhe një pasqyrë më të plotë të historisë së letërsisë turke në Ballkan.

Le të mos harrojmë se trashëgimia letrare nuk është vetëm një pasuri kulturore, por gjithashtu një rrugë për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin dhe për të krijuar ura të reja të bashkëpunimit dhe dialogut.

Le ta bëjmë këtë libër pjesë të diskutimit dhe studimit të vazhdueshëm për historinë dhe kulturën e Ballkanit. Le të shpresojmë se ky punim shkencor do të frymëzojë dhe do të udhëheqë gjeneratat e ardhshme të studiuesve dhe lexuesve në njohjen dhe kuptimin e drejtë të kësaj trashëgimie të çmuar.”, tha Prof. asoc. dr Lindita Xhanari Latifi

Gjatë prezantimit, dy autorët e librit zhvilluan një bashkëbisedim rreth temës së botimit. Libri në gjuhën turke i botuar nga UNYT Press bën fjalë për letërsinë e vendeve të Ballkanit që është shkruar me alfabet arabo-osman dhe është bazuar në studime e vëzhgime arkivore.

Sipas asaj që shpjegojnë autorët në këtë studim:

“Rajoni i Ballkanit hyri në interesin e Perandorisë Osmane nga gjysma e dytë e shekullit të 14-të dhe kjo zgjati pēr mbi pesë shekuj. Në pikat strategjike u ngritën shumë qytete të reja. Këto ishin të pajisura me infrastrukturë dhe objekte superstrukturore. Duke filluar nga shekulli i 16-të, këto investime filluan të jepnin rezultate në çdo fushë dhe kështu doli në pah tabloja e përcaktuar nga disa studiues si qytetërimi rumelian. Në këtë kontekst, u dëshmua një akumulim mjaft aktiv turk në fushën e letërsisë, e cila është fusha më e gjallë e kulturës osmane.

Kështu, siç do të shihet gjatë këtij hulumtimi, gati gjysma e shkrimtarëve dhe e poetëve që krijoi letërsinë turke, u rrit në Ballkan. Kjo letërsi, e cila u mbështet nga disa institucione private gjatë periudhës kur Perandoria Osmane dominonte në rajon, u përball me vështirësi kur mori fund dominimi turk. Akumulimi kulturor më i fuqishëm në Ballkan, si në tërësinë e qytetërimit osman, është letërsia. Edhe pse janë bërë disa kërkime në këtë fushë, kërkime rajonale dhe kërkime nga studiues të veçantë, ende nuk është bërë një vlerësim tërësor për të gjitha vendet së bashku .

Studimi synon të trajtojë letërsinë turke, e cila u shfaq në rajon me ardhjen e osmanëve dhe vazhdon të ekzistojë në disa vende edhe sot, duke e analizuar atë që nga fillesat e saj e deri në ditët e sotme. Punimi mbulon gjithë Rumelinë, e cila gjatë periudhës osmane përfshinte rajonin në jug të Danubit, duke përfshirë gjithashtu edhe ishujt e Detit Egje (Eğriboz, Lesbos, Rodos), me përjashtim të Trakës, e cila aktualisht ndodhet brenda kufijve të vendit tonë.

Në libër është trajtuar ardhja e osmanëve në rajon, politikat e ndjekura prej tyre, veçanërisht institucionet arsimore dhe artistike të konsideruara si infrastrukturë e studimeve kulturore, medresetë dhe lozhat e dervishëve, si dhe shkollat në periudhën e fundit. Pas dhënies së shkurtër të informacionit historik për qytetin, renditet në mënyrë kronologjike numri i poetëve/shkrimtarëve të trajnuar në qytet. Renditja e qyteteve brenda vendit përkatës është bërë mbi bazën e numrit të poetëve që prodhuan këto qytete, duke filluar nga qytetet me numrin më të madh të tyre.

Sipas shifrave të marra nga analizimi i burimeve qe disponojmë, na rezulton se rreth 1894 poetë dhe shkrimtarë që kanë jetuar në të kaluarën ose që jetojnë në vendet e sotme të Ballkanit, kanë prodhuar vepra në gjuhën turke. Kjo shifër mbulon periudhën nga shekulli i 15-të e deri më sot. Me këtë shifër të arritur dhe me këtë studim të kryer, letërsia turke në Ballkan trajtohet për herë të parë me një qasje holistike dhe për herë të parë arrihet gjithashtu studimi i një numri kaq të madh poetësh e autorësh. Kështu veç qyteteve si: Dimetoka, Komotini, Selaniku, Janina, Peloponezi, Razgrad, Silistra, Zagora e Vjetër, Beogradi, Ujice, Shkodra, Shkupi, Manastiri, Tetova është zbuluar se qendra të turqishtes kanë qenë edhe qytete të rëndësishme si Prizreni, Prishtina, Sarajeva, Mostari. Nga ky këndvështrim vihet re se letërsia turke në këtë rajon është e përqendruar në Traki, gjeografikisht Maqedoni dhe Bullgari. Kësaj kornize duhet t’i shtohen edhe Bosnje-Hercegovina e Shqipëria.”

Autorët shtrojnē nevojën e studimeve të thelluara në kēto fusha e sidomos edhe në çështje të studimit të letërsisë alhamiado në Bosnje e letërsisë së bejtexhinjve në shqipëri, pra të letërsive vendase me alfabet arab, pasi ato janë mjaft të rëndësishme për filologjitë e këtyre vendeve, për studimin e historisë së shkrimit dhe letërsisë.

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Përditësimi i Fjalorit të madh të shqipes, në konsultim shumë të gjerë publik

Kryeministri Edi Rama njoftoi prezantimin publikisht të draftit të Fjalorit të Madh të Gjuhës Shqipe, gjatë fjalës sot në Kuvendin…