Edlira Mali: Euro 2024, formulë ku mund të fitojmë në imazhin turistik të vendit

Pedagoge e Marketingut dhe Menaxhimit të Markës, “Kolegji Universitar Bedër”


Futbolli do të jetë diplomacia më e mirë këtë vit në arenën europiane për pjesëmarrësit dhe ata që do ta ndjekin Kampionatin Europian Euro 2024. Një aktivitet i këtyre përmasave është garanci për një audiencë ndërkombëtare dhe një ekspozim të gjerë mediatik, ku përfitimet janë të shumta.

Edlira Mali, Pedagoge e Marketingut dhe Menaxhimit të Markës në Universitetin Bedër, në një intervistë për “Monitor”, vlerëson se pjesëmarrja e Shqipërisë me kombëtaren e saj në këtë aktivitet është një mundësi e artë, që mund të ndikojë pozitivisht nga imazhi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Pjesëmarrja e kombëtares shqiptare në Euro 2024 nuk ka të bëjë vetëm me golat, fitoren dhe lavdinë. Ajo është një mundësi e artë për të ridimensionuar emrin Shqipëri në skenën botërore.

Ndërkohë që Gjermania, vendi pritës, mund të jetë fillimisht në qendër të vëmendjes, Shqipëria mund ta shfrytëzojë në mënyrë strategjike pjesëmarrjen e saj për të shënuar rezultate të ndjeshme në imazh, turizëm dhe rritje ekonomike”, nënvizon ajo.

Euro 2024, sipas saj, është një mundësi e mirë edhe për bizneset që lidhin emrin e tyre me Kombëtaren në një moment të tillë në kuptimin e sponsporizimeve, reklamave kreative apo kohës televizive.

Kombëtarja shqiptare do të jetë pjesë e Kampionatit Europian Euro2024, një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive që do të zhvillohet në Gjermani. Përfitimet zakonisht janë të shumta për vendet pritëse në aspektin ekonomik dhe atë të imazhit, por cilat janë përfitimet e vendeve pjesëmarrëse si Shqipëria në kontekstin e aktiviteteve të tilla në lidhje me imazhin, “brand identity” (identiteti i markës)?

Pjesëmarrja e ekipit kombëtar të futbollit të Shqipërisë në Kampionatin Europian Euro 2024 për të dytën herë është një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar imazhin dhe identitetin e markës së vendit.

Në këtë aktivitet të madh sportiv, Shqipëria përfaqësohet para një audience të gjerë ndërkombëtare, duke i dhënë mundësinë që shumëkush të mësojë për kulturën, bukuritë natyrore dhe potencialin turistik të vendit.

Duke pasur parasysh rezultatet me të cilat arriti të kualifikohet (e para në grup), kjo sjellje e vëmendjes ndikon pozitivisht në imazhin dhe identitetin e markës së Shqipërisë, duke e bërë atë të duket më tërheqëse dhe interesante për të huajt.

Përveç kësaj, pjesëmarrja në një event të tillë përforcon ndjenjën e unitetit kombëtar dhe krenarisë për vendin tonë, duke rritur besnikërinë ndaj markës “Shqipëria”.

Dua të imagjinoj miliona shikues në mbarë botën, duke parë ekipin shqiptar të “luftojë” në fushën e blertë kundër gjigantëve europianë.

Ndonëse përballet me një grup të ashpër dhe të vështirë, ku Shqipëria paraqitet si ekip modest, shpirti luftarak, elasticiteti, strategjia dhe talenti do të pushtojnë zemrat jo vetëm të shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë, por dhe të sportdashësve ndërkombëtarë dhe kështu të riformojë perceptimet për këtë markë.

Pavarësisht rezultatit ndaj skuadrave të forta në grup, shfaqja e qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së skuadrës shqiptare gjatë ndeshjeve sfiduese mund të krijojë një narrativë pozitive, duke nxitur respekt dhe admirim për ekipin shqiptar dhe shpirtin e saj.

Ekspozimi mediatik në Kampionate është i lartë, duke u dhënë mundësi vendeve që të ndiqen nga audienca të kombësive të shumta. A mund të japë ky kampionat një efekt zinxhir në aspektin turistik, duke e bërë Shqipërinë edhe më të dukshme në sytë e të huajve? Ndikimi më i fortë për “destination marketing” (marketing i destinacionit) kuptohet që është për pritësit, por a mendoni se ka një lloj kanalizimi të këtij marketingu edhe për vendet pjesëmarrëse?

Kampionati Europian është një fuqi mediatike. Rritja e mbulimit mediatik dhe interesit publik do të vijë edhe për shkak të lojës kundër skuadrave kampione dhe të forta si Spanja, Italia, Kroacia. Çdo ndeshje, çdo gol, çdo intervistë me lojtarë dhe tifozë shqiptarë bëhet reklamë për Shqipërinë.

Pamjet e fushave të tyre të stërvitjes, festimet pasionante në tribuna dhe pamjet e trashëgimisë së pasur kulturore të Shqipërisë mund të ndezin dëshirën e udhëtimit tek audienca.

Le të imagjinojmë një tifoz kroat, i mahnitur nga shpirti i ekipit shqiptar, fillon të kërkojnë në internet informacione rreth Shqipërisë dhe turizmit të saj dhe vendos të shtojë Shqipërinë në listën e tij të udhëtimeve.

I entuziazmuar nga intervista e trajnerit shqiptar pas ndeshjes kur flet edhe për eksperiencën e tij në Shqipëri, një tifoz spanjoll e konsideron seriozisht një udhëtim në këtë vend interesant dhe ua rekomandon dhe miqve të tij në bisedat që bëjnë në grupet online, ose në bisedat rreth Euro 2024 gjatë kafesë së mëngjesit.

Ky marketing organik “word of mouth” nëpërmjet shikuesve të entuziazmuar mund të ketë ndikim të qëndrueshëm në industrinë e turizmit në Shqipëri, duke nxitur rritjen e tij.

Kjo mund të çojë në përfitime ekonomike për Shqipërinë, si tërheqja e turizmit, ose krijimi i mundësive të bashkëpunimit në sektorë të ndryshëm.

Për shembull, sipas një studimi të Komisionit Europian të Udhëtimit, UEFA Euro 2016 në Francë rriti kërkesën turistike për vendin pritës me 1.3%, dhe për vendet pjesëmarrëse me 0.8%.

Prandaj, Shqipëria mund të përfitojë nga ky efekt, duke ofruar paketa udhëtimi tërheqëse dhe të aksesueshme, duke krijuar përmbajtje tërheqëse dhe informuese, si dhe duke krijuar partneritete me agjencitë e udhëtimit dhe grupet mediatike.

Kompeticionet sportive janë një formë e zgjedhur nga bizneset për të “bashkëngjitur” logon e tyre në aspektin e marketingut, duke i sponsorizuar këto aktivitete apo duke blerë kohë televizive gjatë transmetimit. Cilat janë përfitimet që kanë markat nga ky lloj marketingu?

Sponsorizimi i ngjarjeve të mëdha sportive si Euro2024 është një taktikë strategjike marketingu për markat. Është një mënyrë e fuqishme për të ndërtuar imazhin dhe për të rritur ndërgjegjësimin e markës përpara një audience të gjerë.

Nëpërmjet prezantimeve të logove të tyre në uniformat e ekipit, në pankartat dhe në reklamat e transmetimeve televizive, markat fitojnë ekspozim të gjerë dhe njohje globale. Kjo mund të çojë në rritjen e ndjeshmërisë ndaj markës dhe rritjen e shitjeve.

Le të mendojmë një kompani shqiptare prodhuese uji, në partneritet me ekipin kombëtar. Logo e tyre e shfaqur në shishe uji dhe e ekspozuar gjatë intervistave pas ndeshjes, në postera, në uniforma, etj., fiton ekspozim të vlefshëm për një audiencë lokale dhe ndërkombëtare.

Ky shoqërim me një ekip entuziast dhe pasionant ndikon në rritjen dhe besnikërinë e markës midis klientëve ekzistues dhe synon të tërheqë të rinj që lidhen me shpirtin e ekipit.

E njëjta gjë ndodh edhe në prezantimet e reklamave kreative gjatë hapësirave reklamuese që shoqërojnë ndeshjet e kampionatit, aktivitetet, emisionet e ndryshme që organizohen në kuadër të këtij kompeticioni sportiv të përmasave ndërkombëtare.

Por, përfitimet shtrihen përtej dukshmërisë së thjeshtë. Sponsorët shpesh i aktivizojnë partneritetet e tyre përmes fushatave kreative të marketingut, duke ofruar produkte ekskluzive, duke organizuar evente të fansave dhe duke përdorur rrjetet sociale për t’u angazhuar me audiencën.

Kjo qasje shumëplanëshe krijon një përvojë të paharrueshme të markës si dhe përvoja të veçanta për konsumatorët e tyre, duke krijuar një lidhje të fortë emocionale me klientët potencialë.

Është një situatë e favorshme, si për markën ashtu edhe për ekipin kombëtar, duke nxitur një ndjenjë krenarie kombëtare dhe rritje ekonomike.

 

Si mund ta shfrytëzojë Shqipëria dhe bizneset një aktivitet si ky për të marrë përfitimin maksimal në aspektin ekonomik dhe social dhe të imazhit? 

Për të maksimizuar përfitimet e Euro 2024, Shqipëria mund të zbatojë një strategji gjithëpërfshirëse, nëpërmjet një plani marketingu të integruar, i cili mbulon fazat përpara kampionatit, gjatë kampionatit dhe pas kampionatit dhe që përdor një miks kanalesh dhe mjetesh si online ashtu edhe offline:

-Storytelling: përgatitja e historive interesante për lojtarët, trajnerin, tifozët dhe frymën unike të ekipit shqiptar nëpërmjet përmbajtjes tërheqëse në internet, për të krijuar lidhje emocionale dhe të paharrueshme me audiencën.

-Bashkëpunim me Influencera: Duke ftuar në Shqipëri influencera europianë të udhëtimeve, të stilit të jetesës dhe të sporteve. U jepet atyre mundësia që të përjetojnë drejtpërdrejt mikpritjen, trashëgiminë kulturore, natyrën dhe kulturën shqiptare dhe të ndajnë në profilet e tyre dhe në grupe të ndryshme aventurat e tyre në Shqipëri. Përkrahjet autentike funksionojnë shumë.

-Krijim zhurme – e cila në marketigun njihet si Buzz: Organizohen evente përpara Euro 2024 në Shqipëri. Aktivitete si grupime të tifozëve, prezantimet e uniformave dhe ekspozitat kulturore gjenerojnë emocione. Këto mund të bëhen edhe në bashkëpunim me vendet e tjera pjesëmarrëse, si për shembull me vendet, skuadrat e të cilave janë në të njëjtin grup me Shqipërinë.

-Inovacioni dhe eksperimentimi me teknologji të reja dhe në zhvillim, si mediat sociale, platformat dixhitale, realiteti virtual dhe Inteligjenca Artificiale, për të përmirësuar përvojën dhe ndërveprimin e fansave.

-Rrjetet sociale: Përdorimi i platformave të ndryshme të rrjeteve sociale si Instagram, TıkTok, X, Facebook etj., për t’u angazhuar si me diasporën ashtu dhe me audiencën ndërkombëtare, duke nxitur një ndjenjë komuniteti dhe emocioni, si dhe për të përforcuar zhurmën e përmendur më lart.

-Partneritetet e Mikpritjes: Hotelet, restorantet dhe operatorët turistikë mund të ofrojnë paketa speciale të Euro 2024. Për shembull, për ata që nuk mund të përballojnë çmimet e kripura për të ndjekur ndeshjet në Gjermani, ofertat e tipit “Shijo Euro 2024 dhe Eksploro Shqipërinë” ofrojnë një perspektivë tjetër për turistët sportdashës. Këto bëhen mjaft tërheqëse nëse janë të ndërthurura me udhëtime me guidë dhe eksperienca me temë futbolli.

-Partneritetet strategjike: Bashkëpunim me grupe turistike, linjat ajrore dhe hotelet për të krijuar paketa udhëtimi të personalizuara për turistët e frymëzuar nga Euro 2024.

-Fuqizimi i biznesit vendas: Mbështetje e bizneseve shqiptare duke u mundësuar atyre të përdorin zhurmën e Euro 2024, duke ofruar promovime të veçanta ose produkte me tematikë. Në këtë kuadër, mund të ofrohen lehtësime fiskale për ato biznese që promovojnë Shqipërinë në hapësirën ndërkombëtare.

-Një instrument shumë i rëndësishëm është Media shqiptare, e cila mund të ndikojë shumë si në periudhën përpara, gjatë edhe pas kampionatit duke e bërë rrugëtimin e Shqipërisë në Euro 2024 një histori që ia vlen të ndiqet – si brenda ashtu edhe jashtë fushës.

Është shumë e rëndësishme që të sigurohet angazhimi dhe përfshirja e aktorëve të ndryshëm si qeveria, media, ekipi kombëtar, lojtarët, sponsorët, diaspora, bizneset dhe komuniteti në planifikimin dhe zbatimin e aktiviteteve të marketingut.

Vetëm një strategji e përbashkët do të sjellë përfitime të mëdha ekonomike dhe sociale për vendin tonë, duke kontribuar në rritjen e imazhit dhe identitetit të markës “Shqipëria”.

Duke zbatuar këtë strategji gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund ta transformojë pjesëmarrjen e saj në Euro 2024 nga një kompeticion sportiv në një trampolinë për rritjen ekonomike, zhvillimin e turizmit dhe një imazh të qëndrueshëm pozitiv të markës në skenën botërore.

Euro 2024 mund të luhet në Gjermani, por ndikimi mund të jehojë shumë më gjerë, duke lënë një trashëgimi të qëndrueshme për Shqipërinë.

Burimi: MONITOR

 

Lexo më shumë nga

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.