Rritja e mbështetjes për kapitalin njerëzor, Mete takon përfaqësues të Bankës Botërore
Ministri i Financave, Ervin Mete, zhvilloi një takim me drejtorin rajonal të Bankës Botërore, Michal Rutkowski
Ministri i Financave, Ervin Mete, zhvilloi një takim me drejtorin rajonal të Bankës Botërore, Michal Rutkowski, menaxherin për Shqipërinë, Emanuel Salinas dhe përfaqësues të tjerë të lartë të BB.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi në drejtim të mbështetjes që Banka Botërore synon të japë në lidhje me punësimin, aftësimin, rritjen e përfshirjes sociale, si edhe investimin në kapitalin njerëzor.
Ministri Mete vlerësoi mbështetjen dhe ekspertizën e Bankës Botërore sa i përket fushave që lidhen me mbrojtjen sociale, me fokus punësimin dhe rritjen e përfshirjes sociale.
Palët vlerësuan rëndësinë e avancimit të dialogut, si edhe analizimit të komponentëve të mbrojtjes sociale, ku Banka Botërore shprehu gadishmërinë për të ofruar asistencën e saj.
Disa nga fushat ku pritet të fokusohet bashkëpunimi në të ardhmen janë përmirësimi i aftësive të të rriturve në moshë pune, duke i ofruar atyre trajnime dhe shërbime të punësimit, rritja e mundësive për arsimim për fëmijët e familjeve në nevojë, si edhe ndërmarrja e një qasje reformuese ndaj skemës së pensioneve, për përmirësimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të saj.
Në fund të takimit, palët ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të mbështetjes së kapitalit njerëzor, përmes rritjes së aftësimit, punësimit dhe mbrojtjes sociale.