Ngritja e komisioneve hetimore, Spiropali: Nuk ka pasur negociata të fshehta
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin: Radikalizimi nuk është flamur fitoreje, por është flamur disfate
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi sot se ngritja e komisioneve hetimore do të bëhet sipas Kushtetutës.
Në një prononcim për medie nga kryesia e Kuvendit, Spiropali u shpreh se ngritja e komisioneve hetimore është një e drejtë, një instrument që i jep opozitës mundësinë për të rritur kontrollin.
“Nuk kanë munguar thirrjet tona të ulemi në tryezë. Rishqyrtimi i i kërkesës për ngritjen e komisioneve hetimore ka qenë në tryezë gjithë kohës. Për sa i takon marrëdhënieve tona me opozitën, fitore apo humbje s’kemi nevojë të bërtasim. Fitoret tona i përcakton vota”, tha ajo.
Sipas Spiropalit, nuk ka pasur negociata të fshehta, por janë institucionet e Kuvendit ato që duhet të jenë ura politike.
Spiropali theksoi se “radikalizimi nuk është flamur fitoreje, por është flamur disfate”.
“Sot nuk janë bërë marrëveshje apo pazare, por janë plotësuar detyra, që duhen bërë për të mirën e Shqipërisë. Pushteti nuk vjen nga bilbilat në parlament. Jam e lumtur që dëgjoj deputetë opozitarë, që mendojnë se radikalizmi nuk është flamur fitoreje. Jemi në një fazë të rëndësishme të integrimit të vendit dhe konsensusi na shërben për mirë”, tha ajo.
Sipas ministres, “janë disa detyra kushtetuese, që ne duhet t’i bëjmë bashkërisht”.
“Ne nuk jemi armiq. Më vjen mirë që opozita ka arritur këtë pjekuri politike. Greva e urisë para kryeministrisë nuk na çoi askund, as bojkoti i zgjedhjeve, as djegia e mandateve, as tymi, as molotovi. Asgjë nga këto nuk e rrit besimin te një forcë politike”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse kanë ndërhyrë ndërkombëtarët që opozita të rikthehet në Kuvend, Spiropali theksoi se “ambasadorët janë këtu për të ruajtur interesat e vendit të tyre”.
“Nuk mund të ketë presion ndërkombëtarësh. Partnerët tanë në bashkëpunim me institucionet e Kuvendit kanë thënë atë që themi ne: Nuk mund t’i vësh zjarrin Kuvendit”, tha Spiropali.
(Marrë nga ATSH)