Rrethimi Demokratik

Me anëtarësimin e Suedisë në NATO, Deti Baltik kthehet në një liqen të NATO-s, me vende anëtare të aleancës që rrethojnë enklavën ruse të Kaliningradit


Nga Ditmir Bushati

Ndërkohë që kemi hyrë në vitin e tretë të luftës në Europë, si pasojë e agresionit rus kundër Ukrainës, dallimi mes veriut dhe jugut të kontinentit është evident për sa i përket formësimit të arkitekturës së sigurisë dhe shtetit të së drejtës. NATO plotësoi copëzat e arkitekturës së sigurisë në pjesën veriore, arktike dhe baltike, falë bashkimit të Suedisë me aleancën. Suedia do të jetë një qendër për aktivitetet ushtarake në pjesën veriore të Europës, e lidhur për herë të parë në të njëjtën aleancë ushtarake me vendet e tjera si Danimarka, Finlanda, Islanda dhe Norvegjia. Në të njëjtën kohë, Suedia do të forcojë mbrojtjen e tre shteteve baltike, pjesë e NATO-s, duke ofruar mbështetje detare dhe ajrore, sikundër duke kontribuar me trupa shtesë në brigadën e NATO-s në Letoni. Ky grup shtetesh janë pararojë e standardeve të shtetit të së drejtës. Menjëherë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjektik, vendet nordike u bënë “dorëzanës” të vendeve baltike në rrugën e transformimit demokratik dhe ribashkimit me Europën.

Me anëtarësimin e Suedisë në NATO, Deti Baltik kthehet në një liqen të NATO-s, me vende anëtare të aleancës që rrethojnë enklavën ruse të Kaliningradit, e njëkohësisht kontrollojnë brigjet veriore dhe jugore të Gjirit të Finlandës që të çon në qytetin e dytë më të madh të Rusisë, në Shën Petersburg. Duhet thënë se Suedia ka bashkëpunuar në mënyrë të strukturuar me NATO-n që prej vitit 1994, kur u bë pjesë e programit të Partneritetit për Paqe. Ajo shpenzon 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në mbrojtje, gjë që një pjese të anëtarëve të aleancës ende nuk e bëjnë. Dhjetorin e kaluar Suedia nënshkroi Marrëveshjen e Bashkëpunimit të Mbrojtjes me SHBA-në që parashikon lejimin e pajisjeve ushtarake dhe trupave amerikane në tokën suedeze. Suedia posedon dy asete ushtarake të rangut botëror, duke u bërë kontribuese e gjeopolitikës europiane: nëndetëset që mund të kontrollojnë pjesë të mëdha të Detit Baltik dhe flotën e konsoliduar të avionëve luftarakë.

Në njëfarë kuptimi anëtarësimi i Suedisë në NATO është më domethënës sesa anëtarësimi i Finlandës në 2023. Me kufirin e saj të gjatë me Rusinë, pozicioni i Finlandës përsa i takon politikës së jashtme dhe mbrojtjes ka ka qenë gjithmonë i kujdesshëm. Brenda apo jashtë NATO-s qëllimi i Finlandës historiksiht ka qenë se si të mbrohet nga Rusia. Dikur NATO e shihte neutralitetin e Finlandës si një faktor kyç për kontributin e stabilitetit rajonal. Gjithçka ndryshoi në shkurt 2022, kur Rusia sulmoi Ukrainën.

Arsyeja zyrtare e Suedisë për të mos u bërë pjesë e NATO-s ka pasur të bëjë me mosbraktisjen e Finlandës, për të mos e lënë atë si një tampon të vetëm midis Perëndimit dhe Rusisë. Mirëpo, kur Finlanda trokiti në dyert e NATO-s në pranverën e vitit 2022, për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, për Suedinë nuk kishte zgjedhje tjetër, përveçse të bashkohej me NATO-n. Përgjigjja e unifikuar në veri dallon me mbivendosjet e përplasjet në jug të Europës, edhe pse jetojmë në një kontekst të ri të mjedisit të sigurisë të imponuar nga agresioni rus kundër Ukrainës. Teksa pritej që BE-ja të ndryshonte qasje në mënyrë radikale ndaj Ballkanit Perëndimor, pra, të ndihmonte në përmbylljen e konflikteve të papërfunduara në mënyrë që të ofronte një model të qëndrueshëm përkundrejt agresionit rus në lindje të kontinentit, BE-ja vërtitet në kurthin e politikës së vjetër në mbështetje të status-quo.

Pavarësisht përpjekjeve të lavdërueshme të Shqipërisë për t’u bërë mikpritëse e një aktiviteti të përbashkët midis Ukrainës dhe një grupi shtetesh të Europës Juglindore, qëndrimet e formuluara në rajon në lidhje me rendin e sigurisë në Europë, mes vendeve që janë në NATO apo duan të behën pjesë e kuadrit të sigurisë që ofron aleanca nga njëra anë, dhe aleatëve të Rusisë, nga ana tjetër, nuk arritën të zbuten. Edhe pse ndonjëherë paraqitet si një fuqi me prani të madhe ekonomike në rajon, ndikimi më i madh i Rusisë është në skenën politike, strukturat e sigurisë dhe shërbimeve inteligjente. Kjo është veçanërisht e dukshme në Serbi, në Republika Srpska të Bosnje-Hercegovinës, Mal të Zi dhe disi më pak në Maqedoninë e Veriut. Shkurt, Rusia e sheh Ballkanin Perëndimor si një territor që mund ta destabilizojë në mënyrë të vazhdueshme dhe prej ku mund të kërcënojë sigurinë europiane.

Megjithëse thuhet me njëfarë profecie vetëpërmbushese se vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dënuar njëzëri agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, e vërteta ështe se Serbia e bën këtë në mënyrë perfide, duke hequr paralele me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë rreth çerek shekulli më parë. As në planin politik dhe as në atë të sigurisë, nuk mund të flitet për një qëndrim apo përgjigje të unifikuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë Serbia refuzon t’i bashkohet sanksioneve të vendosura nga Perëndimi ndaj Rusisë dhe të kultivojë marrëdhënie politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike me Rusinë, sikur kjo e fundit të mos kishte nisur një luftë të paprecedentë në Europë. Të njëjtën gjë bën hapur edhe Republika Srpska e Bosnje-Hercegovinës. Në kushtet e izolimit të plotë të Rusisë nga Perëndimi, Beogradi është i vetmi destinacion europian ku mund të fluturosh për dhe prej në Moskë. Serbia, është i vetmi vend europian që nuk pranon ato pak disidentë që kërkojnë shpëtim prej përndjekjes në Rusi. Po kështu, i vetmi vend në rajon që refuzoi të linjëzonte qëndrimin me BE-në për vdekjen e udhëheqësit opozitar rus Alexei Navalny.

Arratisja nga përballja me ngjashmëritë fatkeqe nuk na ndihmon në projektimin e një mjedisi të qëndrueshëm sigurie në rajon, që si pikënisje duhet të ketë rrethimin demokratik të shteteve agresore. Nëse Vladimir Putin në vitin 2005 e konsideronte shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit”, Serbia nuk e pranon realitetin e pas luftës në ish-Jugosllavi, duke nxitur tensione me të gjithë fqinjët e saj që kanë dalë nga suaza e ish Jugosllavisë. Politika e jashtme ruse promovon doktrinën e “botës ruse”, të ashtuquajturën sferë të influencës politike, ushtarake, ekonomike e kulturore. Ndërkohë politika e jashtme serbe promovon doktrinën e “botës serbe”. Putin thotë se shtetësia dhe gjuha e Ukrainës nuk ekziston duke tentuar të legjitimojë agresionin ndaj saj. Serbia insiston se shtetësia e Kosovës nuk ekziston, duke nxitur destabilitet rajonal dhe penguar me çdo kusht funksionalitetin e saj.

Kjo është arsyeja kryesore pse Ballkani Perëndimor, është e vetmja qoshe e Europës, ku mungon qasja e përbashkët ndaj mjedisit të ri të sigurisë dhe ku sensorët e shtetit të së drejtës nuk funksionojnë. Nismat në funksion të zbutjes së armiqësive apo marrëdhënieve të tensionuara ndërmjet vendeve të rajonit janë të dobishme, si një rrugë e mesme ndërmjet agresionit dhe miqësisë, duke parandaluar përshkallëzimin e konflikteve dhe nxitur bashkëjetesën demokratike. Mirëpo kjo nuk mjafton. Një qasje e mirëbashkërenduar SHBA-BE në Ballkanin Perëndimor duhet konsideruar një mundësi për të parandaluar një tjetër kërcënim për sigurinë rajonale dhe europiane, duke marrë parasysh vendndodhjen gjeografike dhe gjeopolitike të rajonit.

Pika fillestare është pranimi se, pavarësisht përpjekjeve të Perëndimit për më shumë se dy dekada, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk mund të konsiderohen rajon në kuptimin politik dhe as në atë të sigurisë. Vende të cilat kanë një qasje strategjike dhe të linjëzuar në fushën e sigurisë dhe politikës të jashtme me atë të BE-së, sikundër kryejnë reforma transformuese të shtetit të së drejtës, duhen inkurajuar dhe shkëputur nga pjesa tjetër e vendeve të rajonit që preferojnë status quo dhe zonën e ndërmjetme. Duhet pranuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë karakteristika të veçanta. Bie fjala, për Shqipërinë, e vetmja pikë përbashkuese me vendet e Ballkanit Perëndimor, janë shqiptarët që kanë jetuar në ish-Jugosllavi. Prania në këtë grup vendesh ka vlerë në funksion të përparimit të të drejtave të shqiptarëve në rajon. Për Shqipërinë është jetike forcimi i përkatësisë mesdhetare në planin gjeostrategjik, politik, ekonomik dhe kulturor. Procesi i anëtarësimit në BE do të na krijojë mundësi e hapësira për më shumë ndërveprim në hapësirën Adriatiko-Joniane.

Përshtatja ndaj këtyre karakteristikave, pa kompromentuar standardin demokratik, do të nxis një konkurrence të shëndetshme në procesin e anëtarësimit në BE, standardeve të mirëqeverisjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror, por gjithashtu do t’u tregonte më skeptikëve se kjo është rruga e vërtetë për progres dhe rrethimin demokratik të influencave malinje. Elementë këto të rëndësishëm për një mjedis sigurie të qëndrueshëm. Nësë qasja e deritanishme nuk ndryshon, druaj se edhe pas disa vitesh, asgjë nuk do të ndryshojë. Siguria në rajon do të jetë e brishtë, bashkëpunimi ndërkufitar e rajonal i fragmentuar, hendeku zhvillimor me BE-në i njëjtë, dhe perspektiva e anëtarësimit në BE edhe më e largët. Në këtë kontekst, duhet kuptuar se anëtarësimi i vendeve të rajonit në BE është para së gjithash një çështje sigurie që ecën paralelisht me reformat e shtetit të së drejtës. Sot siguria europiane është kthyer në një çështje të mbijetesës së BE-së dhe pozicionimit të nesërm të saj si aktor global. Konsolidimi dhe integrimi i Europës Juglindore është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Një Europë e plotë, e lirë dhe në paqe është e mundshme përmes angazhimit të njimendtë ndaj vlerave themelore të demokracisë liberale. Prosperiteti i qëndrueshëm mund të pasojë vetëm mbi këtë bazë të nevojshme. BE-ja duhet të provojë se është i gabuar qëndrimi i atyre që mendojnë se mund të manipulojnë me vlerat dhe parimet e Europës së bashkuar, respektimi i të cilave përbën domosdoshmëri për transformim demokratik, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Lexo më shumë nga

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…